Aktualitet

Deputeti me 56 shtëpi, zyra dhe karburant: Ja pasuritë e majme të ligjvënësve tanë

Jo pak, por plot 55 shtëpi, zyra, dyqane, troje plus një karburant me sipërfaqe 630 metër katrorë. Është kjo pasuria e deputetit të PDIU Omer Mano, i cili të gjitha pasuritë e paluajtshme i ka në Fier. Por ajo që bie në sy është se në deklaratën pranë ILDKP, deputeti Mano sqaron se në të gjitha pasuritë është 50% bashkëpronar.

Pasuritë e paluajtshme të ligjvënësit vijojnë nga 1 715.5 m2 deri tek dyqanet me 19 m2. Ndër të tjetra, deputetit është bashkëpronar me 50% i një bodrumi me sipërfaqe 1 715.5 m2 në Fier, në vlerën 67 264 064 lekë dhe me vlerë investimi në vite 40 485 800 lekë.

Deputeti posedon gjithashtu një veturë në vlerën 50 mijë dollar, ku gjithashtu thotë se është bashkëpronar me 50%. Ndërkaq, në deklaratën e fundit të pasurisë, pra për vitin 2016, deputeti deklaron shitjen e dy apartamenteve me vlerë 5 600 000 lekë dhe 6 160 000 lekë. Deklaron gjithashtu pagën si deputet 2 811 934 lekë si dhe pagën e bashkëshortes si punonjëse tek firma O+P Petrol, 264 000 lekë.

Gjithashtu, sipas një investigimi të Shqiptarja.com, rezulton se deputeti i LSI Agron Çela përveç pasurive të paluajtshme në qytetin e Shkodrës, Velipojë, Ulqin deklaron edhe blerjen e Kafes së Madhe në Shkodër, një objekt i rëndësisë të veçantë për trashëgiminë kulturore, me një vlerë 900 mijë euro.

Edhe deputeti tjetër i PDIU Tahir Muhedini deklaron se është 100% pronar i 12 vilave, dyqaneve dhe bodrumeve ndërsa është 50% bashkëpronar i një apartamenti 56.2 metër katrorë në Tiranë.

Deputeti socialist dhe ish-ministri i Financave Anastas Angjeli deklaron pasuri të majme, që nga shtëpia e banimit në Tiranë me sipërfaqe 450 metër katrorë e deri te toka në Sarandë dhe apartamenti në Boston të Shteteve të Bashkuara me vlerë 330 mijë dollarë.

Deputetja Mimoza Hafizi ndonëse nuk ka deklaruar pasuri në emrin e saj, pasuritë e paluajtshme të bashkëshortit janë 26 të tilla, duke filluar nga shtëpi, truall apo dyqane ku ai është bashkëpronar./Tiranapost.al