Aktualitet

7 fqinjët e çadrës ngjitur që ta bëjnë plazhin ferr

Det fantastik përpara, rërë e ngrohtë, diell që ta bën lëkurën çokollatë dhe për garniturë ca tipa në çadrën ngjitur, që t’i kthejnë ato orë të bekuara në ferr të vërtetë, aq sa mallkon veten që lëvize nga divani i shtëpisë. Pse juve nuk ju ka rastisur ndonjëherë të keni pranë çadrës nga ata njerëzit që s’do doje t’u shihje bojën? Ka plot kategori, por 7 janë më të tmerrshmit

1. Pushtuesit

Befas mund të ngatërrosh këmbë dhe në vend që të lyesh tënden, mund të lyesh ndonjë tjetër, aq shumë janë përhapur fqinjët e çadrës ngjitur. Tre shezlonjë, dy rrogozë të shtrirë përtokë ca peshqirë, komerdare, ca lodra, çanta, shapka… pa e kuptuar janë futur edhe në hijën e çadrës tënde dhe ti duhet të kapërcesh një mal me pengesa për të shkuar deri tek bregu

2. Zhurmuesit

Si të mos ekzistonin kufjet që vihen në vesh, kanë marrë me vete një magnetofon (ekzistojnë akoma?), një kitarë ngaqë janë shoqëri artistësh dhe për bateri mjaftojnë dy shkopinj që përplasen me ritëm në kutinë e zbrazët të picës. Muzika në maksimum dhe një playlist që të ngre qimet e kokës përpjetë.

3. Padronët e plazhit

Janë ata që kur vrapojnë drejt detit krijojnë një stuhi rëre të denjë për shkretëtirën e Sarasë dhe pastaj kur dalin prej andej shkundin pikat e ujit me një fuqi që i shpërndan gjithandej, sa nuk të ngelet asnjë centimetër pa u lagur.

4. Plazh me fisin, sojin dhe sorollopin

Asnjë problem me familjet e shumta në numër, vetëm se ç’kusur ke ti që pyetjes “Kur do ikim të hamë?” duket t’i dëgjosh të paktën 12 përgjigje të ndryshme, bashkë me debatin që pason se kush ka të drejtë dhe kush e ka tmerresisht gabim.

5. Llafazanët

Ke marrë me vete në çantë librin që po ëndërroje ta lexoje gjithë qejf poshtë çadrës, por harroje! Ku të lënë ato dy zonjat, që pasi kanë sharë e nëmur, fisin, nuset, komshinjë dhe brezin e shtatë të kushërinjve, janë gati të të shkruajnë edhe ty ndonjë biografi të vogël, meqë u ndodhe aty.

6. Të dashuruarit e paturpshëm

Që të mos keqkuptohemi, neve na pëlqejnë të dashuruarit që e tregojnë dashurinë në çdo cep e në çdo qoshe. Por do ishte më mirë sikur të mos dëgjonim prapa veshit pllaquritje, kërcitje, rënkime, lëvizje… jo për gjë po sikur e kanë vendin tjetërkund.

7. Ata që kanë telefon

Po telefon kemi të tërë ne, por nuk dimë ta përdorim si ajo zonja që e ka vënë në vesh që kur ti shkele në atë vend dhe vazhdon të tregojë se si pastaj nga mesi i dasmës po e vrisnin këpucët dhe vendosi t’i hiqte dhe sa mirë që kishte marrë një palë shapka me vete dhe i veshi e ra rehat. Të mendosh që ky ishte mesi i dasmës. Dhe edhe dy orë të tjera muhabet për të dëgjuar. Ka bërë ofertën tjetra. Nuk do ta lërë t’i ikin kot gjithato minuta.