Aktualitet

Ato kanë dalë gjithnjë përsipër kreshtës...

Diana Çuli/ Historia e botës është e mbushur me emra grash të shquara në të gjitha fushat – arte, shkencë, politikë, udhëheqje, filozofi...poezi e letërsi. Nganjëherë na bën mirë të rikujtojmë disa shembuj të jashtëzakonshëm vullneti e arsyeje, talenti e qëndrueshmërie. Në dallgët e fuqishme me të cilat u është dashur të përplasen, ato kanë dalë gjithnjë përsipër kreshtës së shkumbëzuar.

Le të ndjekim disa prej tyre:

1. SAFO

safo

Poetesha greke jetoi midis shekullit të VII dhe të VI para erës së re. Ajo lindi në Eres, në një familje aristokratike, në ishullin Lesbosit, ku dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës. Poezia lirike e Safos ka në qendër pasionin dhe dashurinë për njerëz të ndryshëm, të të dyja gjinive. Safoja shkroi mbi 10.000 vargje. Poezia e saj ishte mjaft e njohur dhe shumë e adhuruar gjatë gjithë antikitetit dhe numërohej ndër nëntë poetët më të vlerësuar nga studiuesit e Aleksandrisë helenistike. Sot shumica e poezive të Safos ka humbur, por ajo vazhdon të quhet si poeteshë e jashtëzakonshme dhe vepra e saj ka ndikuar deri në ditët tona.

2. ARTEMISIA GENTILESCHI

2shi

Artemisia Gentileschi ( 1593 – 1656) ishte piktorja e parë grua italiane që u pranua në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences, në një epokë kur gratë piktore nuk pranoheshin lehtë në komunitetin artistik. Ajo sot konsiderohet një nga piktoret barok më të spikatura të brezit që ndoqi shkollën e Caravaggio-s. Ajo pikturoi shumë piktura me gra të forta e të vuajtura, nga mitologjia dhe Bibla, po edhe viktima, edhe luftëtare.

Për shumë vite ajo shihej si një kureshti. Sot vlerësohet si një prej piktoreve më progresiste dhe shprehëse të brezit të saj.

3. ANNA BOLENA

treshi

Anna Bolena (1501–1536) ishte vetëm 35 vjeç kur e ekzekutuan me prerje koke në Kullën e Londrës. Ishte gruaja e dytë e Henrit të II të Anglisë dhe nëna e Elizabetës, mbretëreshës që do të sundonte dhe do të ndryshonte Anglinë dhe Irlandën për 40 vjet. Martesa e Henrit me të dhe më pas ekzekutimi i tmerrshëm, e shndërroi atë në një figurë kyçe në sfondin politik dhe fetar që shënoi fillimin e Reformës Angleze.

Pas kurorëzimit të Elizabetës si mbretëreshë, Ana u nderua si martire. Ndër shekuj ajo ka frymëzuar shumë vepra artistike dhe kulturore dhe është quajtur si një nga “mbretëreshat më me ndikim që ka patur Anglia”. Martesa e saj me Henrin II, i cili u divorcua nga Katerina e Aragonës, solli dhe shkëputjen e mbretërisë nga Selia e Shenjtë, që u pasua me pavarësi të plotë të monarkive europiane prej saj.

4. CALAMITY JANE

katra

Calamity Jane (1852 -1903) është një personazh shumë i veçantë i kohës së saj. Ajo konsiderohet si pistoleria e parë grua e historisë, figurë mitike e Perëndimit të Egër. Veshja dhe arma e saj na kujton pak virgjëreshat tona të Malsisë. Ajo u shndërrua në legjendë, për jetën e saj të lirë dhe jo sipas rregullave që gratë e asaj kohe duhet t’u nënshtroheshin; i përbuzte fustanet e gjata dhe vishej si burrë, luante bixhoz dhe pinte alkool. Sot quhet si simbol i antikonformizmit.

5. EMMELINE PANKHURST

pesa

Emmeline Pankhurst (1858 –1928) ishte një aktiviste britanike, politikane dhe udhëheqëse e lëvizjes për të drejtën e votës për gratë, lëvizje që i ndihmoi gratë ta fitonin këtë të drejtë. Në vitin 1999 gazeta Time e nominoi Panchrust-in si një nga 100 njerëzit më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë me vlerësimin se “ajo formoi idenë për gratë e kohës sonë; ajo e çvendosi shoqërinë në një model të ri, nga i cili nuk mund të kthehej më mbrapsht”.

6. ROSALIND FRANKLIN

gjshta

Rosalind Franklin (1920 – 1958) ishte një shkencëtare angleze që ndihmoi për të zbuluar strukturën e ADN-së. Fotografitë dhe rrezet X me dopio helikë të saj u përdorën nga shkencëtarët Francis Crick, James Watson dhe Maurice Wilkins, të cilët morën çmimin Nobel për mjekësinë dhe punën e tyre mbi modelin e ADN-së. Puna e Rosalind Franklin-it u vlerësua plotësisht vetëm pas vdekjes.