Aktualitet

Bobo, fiksimi për të pasur lëkurë të nxirë qenka si anoreksia. Vetëm se quhet tanoreksi

Lëkurë e nxirë me çdo kusht. Edhe nëse dëmton shëndetin. Psikoanalistët na shpjegojnë çfarë është tanoreksia, varësia e re nga abronxatura dhe kush është veçanërisht i goditur

Tanoreksia, neologjizëm që rrjedh nga bashkimi fjalës “tan” (në anglisht nxirje ose abronxaturë) dhe oreksis (nga greqishtja, oreks), na rrëfen për një varësi të re. Ajo e të marrit diell në mënyrë obsesive dhe që i shtyn miliona njerëz të theken në diell, edhe pse nuk ndihen në një situatë të rehatshme.

Gjithnjë e më shumë njerëz ndjejnë nevojën e ngutshme për të pasur lëkurë të nxirë me çdo kusht. Ndihen të qetë vetëm nëse shohin një abronzaturë të theksuar, pa e kuptuar se lëkura po shkatërrohet për shkak të eritemave dhe pezmatimeve të shkaktuara nga dielli.

Sipas psikologëve, rituali i seancave të solarit ose ekspozimi në diell me çdo kusht është si një supersticion, një nevojë e ngutshme varësie. Lëkura duhet të jetë domosdoshmërisht e nxirë, pavarsisht nga pasojat. Disa persona kanë një nevojë obsesivë për t’u dukur përherë të nxirë, në çdo muaj të vitit dhe nëse kjo nuk ndodh, provojnë një ndjesi ankthi dhe nuk ndihen mirë me vetveten. Humori, vlerësimi për veten dhe qetësia bëhen menjëherë të varur vetëm prej lëkurën me ngjyrë çokollate.

Karakteristikat kryesore të sindromit “varësi ndaj diellit”:

- njëlloj si një person anoreksik, që nuk e sheh veten kurrë mjaftueshmërisht të dobët, në të njëjtën mënyrë edhe persani tanoreksik mendon se nuk është asnjëherë mjaftueshmërisht i abronxuar.

- kënaqësia e një lëkurë të nxirë, për një tanoreksik bëhet një fiksim i vërtetë.

- armiqësi kundrejt kremrave me faktorë mbrojtës ndaj diellit, tendencë për të qëndruar sa më gjatë nën rreze, duke injoruar të gjitha rregullat për një ekspozim korrekt në diell.

- ankth dhe siklet psikik, nëse nuk arrin dot të qëndrojë aq sa do në diell, ose të frekuentojë llampat solare në stinët e tjera.

Kështu, tanoreksikët janë shumë më të ekspozuar ndaj rrisqeve që rrjedhin nga ekspozimi i tepërt nën diell, si djegiet, melanomat dhe plakja e lëkurës.

pushime yacht

Arsyet

Baza e fiksimit për një lëkurë të errët është ndjesia e pasigurisë, paaftësi për të pranuar imazhin personal, probleme të rënda afektive dhe një dëshirë e pandërgjegjshme për t’i bërë keq vetes. Motivimi që transformon një kënaqësi në një nevojë të pakontrollueshme shpjegohet në bazë të një dëshirë për vetëpërmbushje.

Po përse disa persona, të mirinformuar për rreziqet që shkaktojnë rrezet e dëmshme të diellit, këmbëngulin të abuzojnë me diellin dhe me llampat solare? Sepse moda është e aftë të kushtëzojë zgjedhjet dhe sjelljet e individëve, në të gjitha moshat qofshin. Personat e rrezikuar shfaqin simptoma të tilla, si faji gjatë seancave të solarit ose thekjes nën diell dhe nuk arrjnë dot të heqin dorë, edhe pse janë plotësisht të ndërgjegjshëm për dëmet që i shkaktojnë vetës.

Identikiti i një tanoreksiku

Edhe pse mund të prekë të dy sekset dhe të gjitha moshat, varësia nga nxirja e lëkurës duket se i takon më së shumti femrave. Dhe varion në moshat nga 25 deri në 54 vjeç, me një lëkurë me bazë të errët, të dobëta, duhanpirëse dhe me një profil solar mesatar. Jetojnë më së shumti në zonat metropolitane dhe e kanë zakon që të ekspozohen në diell për më shumë se gjashtë orë në ditë, përfshirë këtu edhe ato më të nxehtat, pa u lyer me kremra mbrojtës, por vetëm me solucione që intensifikojnë nxirjen, si për shembull vaji, bëjnë seanca solari UV në dimër, por kur ngjyra e marrë nën diell nuk u pëlqen, u nënshtrohen llampave edhe në verë.

dielli plazh

Statistikat që vijnë nga Italia

Gjashtë italianë në dhjetë kanë një tendencë të fortë për të abuzuar me rrezet diellore. Një person në tre i konsideron të ekzagjeruara alarmet që bëjnë ekspertët për rreziqet ndaj diellit. Një në katër beson se ekspozimi i shpeshtë ndaj llampave solare nuk shkakton kurrfarë rreziku. 20 për qind pranon rrezikun e shtimit të rrudhave. 17 për qind pranojnë se i merr parasysh rreziqet për të pasur një lëkurë të abronzuar. Po në Shqipëri? Natyrisht që statistika të këtij lloji nuk ka. Por që tendenca është mëse e përhapur, kjo s’ka pikë dyshimi. A nuk shohim bregut të detit vajza që theken për orë e orë të tëra dhe nuk e lëshojnë vajin nga dora? A nuk mbushen plot sallonet e solarit dimër e verë? A nuk duken vajzat e ekranit sikur sapo janë kthyer nga plazhi edhe në mes të shkurtit?