Aktualitet

Eksportet nuk rriten mjaftueshëm, thellohet deficiti tregtar

Në korrik 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 miliard lekë, duke u rritur me 9,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,4 %, në krahasim me qershor 2017. Importet e mallrave në korrik 2017 arritën vlerën 55 miliard lekë, duke u rritur me 9,2 % në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 3,7 % në krahasim me qershor 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 30 miliard lekë, duke u rritur me 8,9 %, krahasuar me Korrik 2016. Në këtë mënyrë eksportet kanë vijuar të ngadalësojnë ritmet e rritjes edhe për 7 mujorin, duke reflektuar ecurinë e dobët të grupit të “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”.

Instat raporton se rritja vjetore e eksporteve prej 9,7 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “tekstile dhe këpucë” me +5,6 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me +3,6 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” me +3,3 pikë përqindje.

Capture

Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, ka shënuar rënie për të dytin muaj radhazi. Arsyeja kryesore e këtij ngadalësimi lidhet me faktin se prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, po e shet një pjesë të konsiderueshme të naftës në vend, tek kompania IRTC, e cila më pas e përpunon dhe e hedh në tregun e brendshëm. Burime nga Bankers Petroleum pohuan se aktualisht 50% e naftës shitet në vend dhe 50% shkon për eksport, ndërsa vitin e kaluar e gjithë sasia shkonte për eksport. Një tjetër faktor që ka ndikuar lidhet me rënien e çmimit të naftës në bursa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, eksportet e këtij grupi u rritën me 3.8%, në 26 miliardë lekë. Ai mbetet grupi i dytë më i madh i eksportuar, por pesha e tij ndaj totalit ka rënë ndjeshëm në vetëm 16%, nga gati 40% që arriti 3-4 vjet më parë, kur zuri peshën kryesore të eksporteve, për shkak të konjukturës së favorshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare./Tiranapost.al