Aktualitet

Jona, 10-vjeçarja që do të blejë shtëpi duke shitur biskota

"Goca, goca të lutem bli një ëmbëlsirë"-erdhi përpara meje duke thënë buzagaz, Jona (kështu quhet) e veshur me një xhaketë xhins dhe një çantë shpine ku mbante biskotat rezervë, shumë energjike. Ajo është vetëm 10 vjeç.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët, që po më shfaqeshin përpara syve me telefona nëpër duar në po të njëjtën pjesë të ditës, Jona kishte në dorë një shportë të thurur kashte ku mbante biskotat e përgatitura nga e ëma e saj që qëndron diku në distancë dhe vëzhgon të bijën që shet biskotat.

Me shumë mirësjelljeje, ajo ju kërkon kalimtareve ne rrugë dhe nga makinat që t'i blejnë një qese me biskota. Kushtojnë 200 lekë.

Edhe pse ndodh që njerëzit ta shpërfillin jo rrallë herë ajo nuk tregohet këmbëngulëse as e bezdisshme, por struket në krahët e së ëmës derisa dikush të ndalojë përsëri.

Jona e ëmbël më tregoi se paradite shkonte në shkollë dhe i pëlqente të lexonte. Për një moment mu duk si “Shitësja e vogël e shkrepëseve” në përrallën e Andersenit, vetëm se Jona ishte shitësja e vogël e biskotave në jetën reale në Tiranë.

vajza 2

Ajo pasi mbaron mësimet del me mamin e saj për të shitur biskota në rrugët e Tiranës.

"Do të blejmë një shtëpi"- më tregon entuziaste duke besuar se biskotat do ta ndryshojnë fatin e saj.

E ëma që e di që nuk blihet shtëpia tregon për Tiranapost.al: "Ka që japin vetëm qindarka dhe marrin biskotat, ka që vetëm japin dhe nuk marrin... nuk është se fitojmë ndonjë shumë të madhe, por jam e detyruar të dal me të për të ndihmuar tim shoq. Ai ka rrogë minimale. Fundja nuk po bëjmë gjë të keqe, as Jona nuk është e bezdisshme..."

E pyes nëse nuk mendon se duke e nxjerr Jonën e vogël në punë po i mohon fëmijërinë. Jona e vogël, më tha se do të shkoj të paktën njëherë tek Teatri i Kukullave.

Kjo ishte dëshira e saj më e madhe, pasi t’ia kishte dalë të kishte një shtëpi të sajën. Një shtëpi nga ku nuk hynte i ftohti, një sobë ku biskotat të piqeshin më shpejt dhe një bibliotekë të madhe me libra. Ndërsa kur të rritej ajo donte të bëhej doktoreshë, që të kujdesej për prindërit, që t’u blinte pacientëve të vegjël akullore kur të kishin bajame.

“Dua që të ndihmoj, dua që njerëzit të jenë më të mirë…”, thotë Jona.

Pasi hëngrëm një qese me biskota të dyja, ulur këmbëkryq në një qoshe të Tiranës, ku dëgjonim vetëm hapat e njerëzve, u përshëndetëm me dashuri. Jona kishte dhe shumë biskota për të shitur.

  • Rubrika My Tirana
  • Punoi në terren Kristi Gongo
  • Copyright Tiranapost.al