YouPost

Letër për një grua në parajsë

Nga Sindi Bego/ Gjithmonë kam menduar se fati është për ëndërrimtarët, për ata që e lidhin jetën e tyre me shenjat, lumturinë e një çasti apo besimet. Ndërsa të tjerët jetojnë atë çka u ofrohet, pa kundërshtuar, me mendimin që çdo gjë do mbarojë në një moment apo në një tjetër.

Më pas vijnë njerëzit që fatin e lidhin me të pasurit e një personi apo disa personave të veçantë që u falin dashuri pa kushte. Pikërisht në këtë grup njerëzish e fus veten time. Po shkruaj me fotografinë e një gruaje përballë, një grua me flokë te zeza e të dendur, që vishte gjithmonë fustane me ngjyra dhe e donte aq shumë të bardhën, një grua të cilën do ta konsideroja si fatin tim, ndonëse ajo nuk është më...

Sa e vështirë është ta thuash që nuk është më, një njeri që të fali mësimin më të mirë në jetë, të dhuroi ngrohtësinë më të madhe. Shumë pak njerëz do më kuptojnë, sepse shumë pak njerëz e dinë çfarë ndjej.

Njoha njeriun më të mrekullueshëm dhe pak njerëz e kanë fatin të takojnë një njeri të tillë. Ky njeri ishte një grua, një grua aq e dhembshur dhe aq e buzëqeshur njëkohësisht, një miksim i jashtëzakonshëm që e bënte unike, siç e konsiderojnë shumë njerëz. Nuk mund të them që e humba sepse ajo do jetë gjithmonë me mua,me ne.

Do jetë çdo ditë e jetës,do jetë një luftëtare që më fali dashuri edhe kur lufta po mbaronte. Do jetë gjithçka që unë dua të jem dhe çdo gjë që unë jam. Ndërsa lotët të rrjedhin, ti kujton çdo gjë që ke marrë nga ajo grua, sigurisht është i pashmangshëm mendimi “sikur ajo të ishte këtu”, i cili të lëndon akoma më shumë,është sikur çdo herë që e kujton të hedhin një gotë me mungesë përsipër dhe pa e vënë re je zhytur në një liqen mungese, i cili vazhdon rritet dhe nuk shteron asnjëherë.

Mund të them se nëse bota do ishte e luftëtarëve atëherë bota do ishte e saj. Jam e lumtur për krenarinë që ndjej kur përmendet emri i saj apo kur diku lart në qiell shoh fytyrën e saj duke buzëqeshur, një buzëqeshje që s’ka forcë që ta shuaj.

Besoj se që në momentin që ajo u nda nga ne,jam ndjekur nga një yll çdo mbrëmje, shoh qiellin blu dhe një yll të vetëm që shndërrim aq shumë.

Mund të më quani të marrë por kam mësuar të flas me yjet,e di që një yll aty lart kujdeset për mua. E ndërsa ditët kalojnë, çdo gjë që mund të bëj është të hesht, të mos qaj për mungesën që ndjej, të endem nëpër shpi e të shoh fotot e saj, të dal në rrugë e të kërkoj fytyrën e saj.

E kërkoj çdo ditë, shpresoj akoma se mund ta shoh diku, ndoshta e di që s’do jetë ajo, por të paktën do gënjej veten duke thënë se e pashë edhe një herë të vetme,pashë sytë e saj ngjyrë kaf që më shihnin me aq dashuri.

Gjithë jetën time kam dashur të bëhem si ajo,e shihja atë dhe më pas shihja njerëzit rreth saj të cilët e shihnin me aq admirim dhe mendoja “sa me fat jam”,një grua që ata ëndërrojnë ta njohim unë e kam njohur që në ditën e parë të jetës.

Kanë kaluar shumë muaj e dashura ime, të erdhi ditëlindja. Ti nuk do të mund ta festosh me ne këtë ditë,nuk do mbulohesh dot nga puthjet tona me aq dashuri,por lulet s’do të të mungojnë ,do të të mbulojmë me lule sikur të ishin puthje dhe aroma e tyre të ishte dashuri.  Po shkruaj për ty atë çka do doja të ta thosha por s’ta thashë kurrë, ndoshta isha gjithmonë shumë e vogël për ti kuptuar disa gjëra dhe nuk e dija që nuk do kisha më mundësinë të t’i thoja disa gjëra.

Sa do doja ta lexoje këtë shkrim,të shihje se sa e shtrenjtë je për mua,të lexoje këto fjalë që s’do dilnin asnjëherë nga goja ime.

Edhe pse jeta e saj nuk ka qenë e lehtë, pasi ka jetuar në një kohë ku mendimi i lirë ishte i ndaluar dhe askush nuk guxonte të kundërshtonte, ajo e ndjente që atëherë, se e nesërmja do ishte më e mirë, ajo e dinte që djemtë e saj si yje dhe vajza që kish si hëna, sepse kështu i përshkruante nëpër vargje, do kishin një jetë më të mirë se ajo dhe do i mundësonin fëmijëve të tyre një jetë më të mirë se sa ajo që u dha të sajëve.

Dhe unë e di që ajo është e lumtur për këtë gjë, ajo është e lumtur që ne jemi më mirë se ajo, por të gjitha këto ne i kemi falë asaj, sepse ajo nuk u dorëzua kurrë dhe kur fatin nuk e kishte më në krah. Po flas për një grua që jetoi ndër vargje dhe jetoi e lumtur mes tyre. Unë jam me fat që kam një nënë të tillë, sepse në qoftë se ajo nuk do i kish shkruar ato vargje atëherë, unë nuk do isha duke shkruar tani, ishte ajo që më dha frymëzimin që më duhej për të mbushur rreshta të tërë me fjalë duke i lidhur ato fjalë me njëra-tjetrën.

E falënderoj çdo ditë për faktin që më bëri dhuratën më të bukur që mund të kisha marrë ndonjëherë, më dha dhuntinë dhe besimin për të shkruar, sepse unë tani jam e lirë për të shkruar ato që mendoj,ndryshe nga ajo. Atë grua e shoh si një udhëheqëse timen dhe jam krenare për të. Gjëja që dua më shumë është që dhe ajo një ditë të jetë po kaq krenare për mua me gjërat që do arrij, sepse e di që dhe pse ma thoshte sa herë që e shihja apo sa herë lexonte ndonjë shkrim timin jam akoma larg nga të bërit e saj krenare.

Ndjesia më e bukur që mund të ketë një mbesë është kur gjyshja ndan me të histori nga e kaluara,ndihem e lumtur që ajo më besoi mua ato gjëra që dikur ia besonte vetëm vargjeve. Ajo e kaloi jetën e saj ndër vargje, ato që s’mund t’i ndante me njeri i ndante me fletoret që i mbesnin nga shkolla.

Dhe në ditët e saj të fundit ajo i ndau ato histori dhe me mua,nuk e kisha dëgjuar asnjëherë gjyshen time të tregonte histori që e mërzisnin, por ajo e ndjente që s’do kishte kohë të mi thoshte më.

Do jesh gjithmonë me mua, në çdo moment uljeje apo ngritjeje ti do jesh aty,do jesh ajo çka unë dua të arrij, ëndrra ime më e bukur, streha e ngrohtë ku do dua të kthehem pas një dite më stuhi.