Aktualitet

Ligji për administrimin e pallateve, nëse banori nuk paguan detyrimet shkon në gjykatë

Me miratimin e ligjit të ri për administrimin e pallateve pritet t’i jepet fund një herë e mirë kaosit të ambienteve të përbashkëta. Paketa ligjore përfshin edhe një nen që zgjidh një ndër problemet më të mëdha siç është mospagimi i detyrimeve mujore nga banorët. Nëse banorët nuk shlyejnë brenda tre muajsh tarifat për mirëmbajtjen e pallateve, administratori i ndërtesës i drejtohet gjykatës dhe më pas përmbarimit për vjeljen e detyrimit. Në alternativë, Kryesia ose administratori mund të zgjedhin t`i drejtohen njësisë së vetëqeverisjes vendore, për vjeljen e tarifës së papaguar.

Gjithashtu një tjetër problem që zgjidh ky ligj është kur banorët dëmtojnë njëri-tjetrin. Banori i dëmtuar mund t’i drejtohet kryesisë së banorëve kur i është shkaktuar dëm nga përdorimi i pakujdesshëm i një bashkëpronari tjetër. Kryesia e banorëve ka të drejtën për të detyruar këtë të fundit të rivendosë gjendjen e mëparshme dhe të dëmshpërblejë të dëmtuarin. Kur dëmtuesi, brenda 10 ditëve nga njoftimi i vendimit, nuk ka dëmshpërblyer të dëmtuarin, vendimi i kryesisë së bashkëpronarëve për dëmshpërblim përbën titull ekzekutiv, dhe ekzekutohet nga shërbimi përmbarimor.

Ligji pritet të hyjë në fuqi pas konstituimit të parlamentit të ri./Tiranapost.al