Aktualitet

Mjaft me fyerjet online, burracakët duhet të marrin ndëshkimin e merituar

"Reflektova gjatë nëse duhet të veproj ose jo në këtë mënyrë, por pas katër vitesh e gjysmë ku jam përballur me shëmtira, kërcënime dhe mesazhe të dhunshme mendova që kisha detyrimin të merrja këtë vendim si grua, si nënë dhe si përfaqësuese e institucioneve."

Nga Laura Boldrini*

Tani mjaft më.

Jehona e këtyre komenteve ka kaluar çdo limit.

Kam vendosur që tani e tutje të ushtroj të drejtat e mia në institucionet përkatëse.

Reflektova gjatë nëse duhet të veproj ose jo në këtë mënyrë, por pas katër vitesh e gjysmë ku jam përballur me shëmtira, kërcënime dhe mesazhe të dhunshme mendova që kisha detyrimin të merrja këtë vendim si grua, si nënë dhe si përfaqësuese e institucioneve.

Mbështetjet që deri më tani më kanë ardhur nga shumë anë, brenda e jashtë rrjetit, më kanë shtyrë që të mos shkoj më tutje. Por nga sot do të mbroj veten time dhe pozicionin që kam edhe në rrugë ligjore nëse do të jetë e nevojshme.

Do ta bëj edhe për të inkurajuar të gjithë ata – mbi të gjitha vajzat dhe djemtë tanë – të cilët marrin vazhdimisht fyerje dhe sulme verbale që të dalin nga heshtja dhe të denoncojnë çdokënd që përdor internetin si mjet krimi!

Tashmë është e qartë që t’i lësh këta burracakë të vazhdojnë me metodat e tyre dhe të mos bësh rezistencë, do të thotë t’i hapësh rrugë vulgaritetit dhe dhunës.

Askush nuk duhet të ndihet i detyruar që të braktisë rrjetet sociale për shkak të dhunës. Por për fat të keq në shumë raste të kohëve të fundit – nga profesoresha e Cambridge Mary Beard te Alessandro Gassmann, nga këngëtari Ed Sheeran te Al Bano – tregojnë se ofendimet dhe intimidimi kanë një efekt të vështirë për t’u kapërcyer.

Kam bindjen se edukimi i gjeneratave për një përdorim të përgjegjshëm të rrjetit është një nevojë e patjetërsueshme dhe mbi këtë çështje do të impenjohem tërësisht.

Por ndërkohë, nuk mund të rrimë si vëzhgues.

Të shmangësh do të thotë t’u dërgosh institucioneve që janë garante për respektimin e ligjit dhe sigurinë qytetare një mesazh mosbesimi.

Si mund t’u kërkoj të rinjve që të mos i shmangin por t’i denoncojnë të gjitha fyerjet në rrjet nëse unë vetë nuk e bëj diçka të tillë?

Fëmijëve tanë duhet t’u mësojmë se në një shtet të se drejtës çdokush që sulmohet mund të mbrohet përmes ligjit. Dhe pa i shtuar urrejtjes urrejtje, sepse e kemi me bollëk.

*Laura Boldrini është gazetare dhe politikane italiane. E diplomuar në La Sapienza, ajo ka qenë për shumë vite gazetare e rrjetit televiziv Rai duke mbuluar raportimet nga Jugosllavia, Pakistani, Irani, Sudani, Iraku etj. Ka qenë zëdhënëse e Komisionerit për Refugjatët në Kombet e Bashkuara, ndërsa prej vitit 2013 është deputete dhe Kryetare e Dhomës së Deputetëve në Parlamentin Italian/Tiranapost.al