Aktualitet

Mos e shkruaj atë fjalë jo se është turp, po se tregon aq shumë për ty

Nga Diana Çuli*

Këto ditë, të gjithë do t’u ketë rënë në sy se në titujt e gazetave është shumëfishuar fjalori vulgar. Fjalë që fillojnë me gërmën e parë dhe të dytë dhe pastaj vazhdojnë me pika pika, që të merret vesh kuptimi i ulët. Janë fraza e shprehje “të fortësh”, të personazheve “vip” ( kjo fjalë tani ka marrë përmbjatje kuptimore negative dhe qesharake) më së shumti te rubrikat life style ( përfytyroni sikur ne, anëtarët e zakonshëm e të shumtë të shoqërisë të ndiqnim këtë life style të propozuar!!!) dhe, për fat të keq, edhe nga disa deputetë. (Në italisht deputetin e thërrasin onorevole –i nderuar). Pra, i bie, që kur deputeti flet me fjalë të pacipa e vulgare, mbetet gjithnjë zyrtarisht “i nderuar”.

Mendova njëherë se mos, nga vapa, njerëzve u janë shkrirë pak frenat mendore dhe gjuhësore, po ashtu dhe gazetarëve e redaktorëve që mezi presin sa t’i botojnë fjalë për fjalë e pikë për pikë, në faqe të parë e në kryetituj.

Hapim TV në mëngjes, duke u përgatitur për të shkuar në punë  të marrim vesh ndonjë lajm e të dimë se çfarë po ndodh, kur sulmohemi nga fjalët e ndyra dhe shprehjet vulgare, që dhe fjalorët profesionalë të shprehjeve vulgare do t’i kishin zili.

Pastaj mendova se, sigurisht, nuk e ka fajin vapa, por cilësia, niveli, dukuria, ajo ku kemi rënë, po ndoshta jo vetëm ne. Dhe bëra një kërkim lart poshtë nëpër botë, për t’i hyrë pak më thellë këtij fenomeni, që në të vërtetë, të gjithëve na bën përshtypje e na çudit pa masë. Por, mos vallë, ne të shqetësuarit hyjmë te kategoria e të prapambeturve, të jo-modernëve?

Me sa pashë, nuk jemi të vetëm. Madje, Putini nuk e paska zgjatur shumë por, rreth 2014-ës e ka kaluar një ligj në Parlament ku pikësëpari, pikërisht aty, të mos përdoren fjalë të ndyra, por as në internet, në radio, teatër e në shumë sfera të tjera...Nuk mund të them se është e drejtë kjo gjë apo jo, se ku qëndron kufiri midis së drejtës së njeriut, lirisë së medias dhe të drejtës për mos-ndotje gjuhësore, për mjedis dinjitoz të debatit, fjalorit, për edukim të të rinjve etj. Kjo është një çështje ligjore, që kërkon ekspertizë ligjore dhe, nga na tjetër, duhet njohur dhe në detaje ligji rus.

Por, është dhe çështje morale dhe etike. Në të gjithë vendet europiane ka një debat gjithnjë e në rritje për fjalët e ulëta që përdoren ngado, veçanërisht në rjetet sociale e më shumë nga të rinjtë. Na zë veshi shpesh fjalor të rëndë të të rinjve, sidomos të meshkujve, fjalor të lidhur me seksualitetin, gjithnjë fyes e përçmues. Dhe, ky lloj fjalori i lidhur me seksin, që me thënë të drejtën nuk ka ku bëhet më i shpifur, duket sheshazi se këta lloj burrash që e përdorin, i gënjen mendja se shprehin forcën e tyre mashkullore, se janë të paarritshëm në këtë fushë dhe se aty, në atë shesh beteje, nuk i mund kush. Mund të vësh duart në bel e të qeshësh një shekull.

Në një studim të rajonit të Ballkanit të kryer nga disa organizata që merren me dukuritë sociale e psikologjike të të rinjve, përdorimi i fjalëve të pacipa vjen nga disa shkaqe, shpesh me funksion socializues, mes të cilëve futen kopjimi i sjelljeve të personazheve « të famshëm » të medias, ku Big Brother-i mban vendin e parë, mos-vrasja e mendjes- sepse këto fjalë e shprehje nuk thonë asgjë, nuk kanë asnjë vlerë a pasojë, ndjesia se i përket një grupi, se ngjan si më i fortë, etj. Po ashtu, përdorimi i fjalëve vulgare, theksojnë psikologët, shprehin pafuqinë, dobësitë, pa-zgjuarsinë dhe frikëra të ndryshme të personit që i përdor. Pra, të kundërtën e asaj që ai është në të vërtetë : i dobët, i trembur, me frikën se nuk ia varin, i pafuqi.

Studime të tjera vënë gishtin tek dy mjedise edukuese : familja dhe shkolla. Toleranca e prindërve që i dëgjojnë fëmijët e tyre të flasin në këtë gjuhë dhe shkolla që nuk respekton vlerat dhe misionin e saj.

Por t’i rikthehemi mass-medias sonë dhe atyre deputetëve tanë të nderuar, që shprehen si të fortë me këtë lloj « argumenti » a « përgjigjeje”, që sipas tyre « i tregon vendin » kundërshtarit. Nuk ka asnjë dyshim se kjo ndodh sepse ata pandehin se kështu po bëjnë një satirë të hollë, që e kap dhe më i trashi i njerëzve, që pandehin edhe se kështu mbushet boshllëku që kanë në kokë, e, madje, për paradoks, kujtojnë se kështu janë më të drejtpërdrejtë me njerëzit, më simpatikë, madje më suepriorë, se guxojnë e lëshojnë nga goja fjalë që të tjerëve nuk « ua mban ».  Të jenë të bindur se krijojnë efektin e kundërt. Dhe, theksojnë të gjithë sociologët e psikologët, pacipëria mund të shërbejë edhe për t’i mbushur mendjen vetes se po i bën përshtypje të tjerëve, por ajo, mbi të gjitha, shpreh mungesën e aftësisë për dialog.

Ndërkohë, përse duhet të jenë  mediat e shkruara – që këto ditë shpërthyen me të tillë tituj – zëdhënësit e këtyre njerëzve ? Ndoshta për t’i diskredituar ? Për të nxjerrë në dritë se si janë në të vërtetë disa politikanë, disa « artistë » dhe disa « vip-a » ? Mund të kuptohet edhe kështu. Por, po të hedhim një sy gazetave serioze e kryesore të vendeve kryesore të Europës dhe të SHBA, po edhe të fqinjëve tanë, nuk i sheh në faqe të parë, ku, përkundrazi, pasqyrohen çështjet kryesore jetike të shoqërisë. Mos vallë na është bërë dhe neve jetike kjo ulje niveli e paparë ? Apo, mos vallë, duhet të dëgjojmë pak dhe sociologët që i japin dhe përgjegjësi mass-medias e rjeteve sociale që, duke mos përdorur asnjë filtër e nxisin dhe e ushqejnë pacipërinë dhe nivelin e vulgaritetit në shoqëri ?

*E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al