Aktualitet

Ndahet nga jeta motra e vetme e Sali Berishës

E përshkruajnë si një grua që rrinte shpesh në verandë. Mbesa, Argita, e vizitonte dhe në rrugë mund të dallojë një grua me shami të bardhë në kokë që ecte fiks si një njeri, si Sali Berisha.

Sot ka ndërruar jetë Hajrie Osmani-Berisha, motra e vetme e ish-kryeministrit Sali Berisha. Lajmin e konfirmojnë miq të familjes në rrjetet sociale, ndërsa Sali Berisha gjithmonë ka pasur një vlerësim të madh për të motrën, duke e quajtur “mbretëreshë”. Prej kohësh motra e Berishës jetonte në Lalz, në vilën që kishin atje fëmijët e saj dhe ajo ishte gjashtë vjet më e madhe se Berisha.

Berisha me të motrën kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë. Kjo konfirmohet edhe në një ndër intervistat e rralla që Hajrie Osmani-Berisha ka dhënë në vitin 2010 ku thotë se “Unë jam krenare që jam motra e Sali Berishës, qoftë Kryeministër, kryetar i PD-së, President, apo një qytetar i thjeshtë. Për mua ai është dhe mbetet vëllai më i mirë në botë, sepse është i tillë. Një njeri i dashur, i respektuar, që përpiqet të të ndihmojë, por mbi të gjitha ai është i drejtë. Ndaj siç më ka ndodhur që të dëgjoj njerëz që e shajnë, më kanë takuar edhe njerëz që e duan”, ka treguar ajo./Tiranapost.al