Aktualitet

Ndryshuan botën, por intelektualët janë mëkatarë: Të pathënat e Marksit, Rasëllit dhe Sartrit

Një përsiatje në jetën e vërtetë të intelektualëve, atë përtej librave dhe katedrave: Cili ishte marifeti i Rasëllit për të fshehur lidhjet jashtëmartesore? Me kë i kalonte netët Sartri dhe si e përdorte famën për të kënaqur instinktet? E në fund, një rrëfim se si Karl Marksi nuk arriti të menaxhonte kurrë paratë dhe për marrëdhënien e tij të ndërlikuar me ujin.

Nga Erjon Uka/Priremi t’u besojmë gjithmonë. Thëniet e tyre i nënvizojmë e përpiqemi që jo vetëm t’i mbajmë mend, por edhe t’i zbatojmë në jetën e përditshme. I shohim si hyjni ndriçuese në momentet më të vështira duke i parë me një idealizëm të tepruar.

Por nëse do t’i hedhim një sy jetës të shumë prej intelektualëve që ndryshuan mënyrën e mendimit njerëzor, do të shohim se të parët që bien në kontradiktë me ato ç’ka thonë, janë po ata.

Ka qenë gazetari Paul Johnson i cili në librin e tij best-seller “Intelektualët” ka zbuluar shumë nga “mëkatet” e këtyre personave që morën përsipër të ndryshojnë njerëzimin, por ndonjëherë pa i besuar as vetë atyre që shkruanin.

23351-004-4286D6B7

Për shembull Bertrand Rasëlli është cilësuar gjithmonë si një ndër logjicienët më të mëdhenj, por po t’i hedhësh një sy jetës së tij, kupton se Paul Johnson e quan me të drejtë “logjikë leshi”. Përgjatë jetës 97-vjeçare u martua katër herë, pa gjetur asnjëherë rehat në lidhjet e tij. E përveç këtyre martesave, pati një numër shumë të madh lidhjesh jashtëmartesore. Një ndër postulatet e mëdha të Rasëllit ishte “Mos fshih asgjë dhe vepro sikur të gjithë i kuptojnë veprimet e tua”. Por ai ishte i pari që e hodhi në kosh të plehrave këtë parim pasi humbiste tmerrësisht shumë energji për të fshehur gjurmët e dashnoreve. Madje, në ato vite kur për një Lord si Rasëlli ishte e ulët të shkonte në hotele me femra të tjera ai shpiku një truk për të mos rënë në sy. Sa herë i afroheshin recepsionistit dhe merrnin vesh çmimin për një natë, e dashura e Rasëllit ankohej me zë të lartë për çmimin, e kështu recepsionisti mendonte se ishte bashkëshortja e Lord Bertrandit.

MV5BYjA3M2Q0ZjUtMDM5My00OGQ5LWI0NGQtMTI3ZWU0M2NiM2NkL2ltYWdlL2ltYWdlXkEyXkFqcGdeQXVyMTc4MzI2NQ@@._V1_

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe francezi Jean-Paul Sartre. Me një impakt shumë të madh në Francën e pas Luftës së Dytë Botërore, Sartri e uli filozofinë në rrafshin më të ulët popullor, pasi idetë e tij i shprehte jo vetëm nëpërmjet studimeve filozofike, por mbi të gjitha përmes dramave dhe romaneve. Por pas famës që mori, Sartri u bë një thuajse një pijanec që çdo natë mund ta shihje në kabaretë e Parisit. Ishte shumë bujar dhe qeraste këdo, por kjo avash-avash ia zbrazi portofolin. Megjithëse dashuronte Simone De Beauvoir, ai kishte një numër shumë të madh lidhjesh të tjera, madje edhe me vajza 17-18 vjeçare të cilave u premtonte promovim në jetën mondane franceze. Por përveç jetës së shfrenuar, ishte pak koherent me mendimet e tij. Mbështeste komunizmin verbërisht dhe pas një vizite në Bashkimin Sovjetik, dha një intervistë manipuluese për mediat franceze duke thënë se “Njerëzit nuk duan të largohen nga Bashkimi Sovjetik sepse atje ka mirëqenie dhe çdokush ka lirinë të kritikojë”. Vite më vonë do ta pranonte me gojën e tij se kishte gënjyer në këtë intervistë. Gjithashtu interesante është marrëdhënia me Albert Kamynë, me të cilin me siguri që nuk janë ndarë për ideale ashtu siç thuhet, por janë ndarë për xhelozi. Sartri ishte i shkurtër, me sytë e prekur nga strabizmi dhe fytyrën me puçrra: Një burrë i pashëm dhe inteligjent si Kamy e eklipsonte në shoqërinë e lartë franceze.

66kmjm

Por në “mëkatet” e tij nuk mbetet prapa as Karl Marksi. Ai që do të ndryshonte krejt botën duke hedhur duke krijuar komunizmin, në fakt i bëri kritikën kapitalizmit i financuar nga një kapitalist siç ishte Engelsi. Gjatë gjithë jetës së tij Marksi nuk arriti dot kurrë që të menaxhonte financat, por ishte gjithmonë Engelsi që mendonte për të dhe familjen. Madje aq e keqe ishte gjendja ekonomike e Marksit sa që një prej fëmijëve ndërroi jetë vetëm prej të ftohtit. Në pjesën më të madhe të jetës jetoi në Londër në apartamente pa kushtet minimale, ndërsa e kishte mendjen vetëm të shkruante. Të gjitha paratë i linte duke blerë libra dhe revista, sidomos “The Economist”. Por edhe pse gjithë arsyetimi i tij nisej nga fakti se njeriu ishte një qenie e mirë në thelb që duhej t’i përmbahej moralit, vetë Marksi pati një fëmijë të jashtëligjshëm me shërbëtoren e shtëpisë dhe për më tepër nuk e njohu kurrë fëmijën si birin e tij. Përtej këtyre, siç tregon Paul Jonhson kishte një defekt shumë të madh: Mund të kalonin javë pa u larë, aq sa filloi t’i dilnin puçrrat në fytyrë, në krah dhe në të ndenjura. “Të paktën kapitalistët do më mbajnë mend puçrrat”, i shkruante me sarkazëm Engelsit.

Por pavarësisht këtyre, rëndësia intelektualëve në mendimin modern është e paçmueshme. Këto janë historitë e tyre të fshehta, “mëkatet” që çdo njeri bën. Pasi tek e fundit, edhe ata ishin njerëz./Tiranapost.al