Aktualitet

Një ditë e brengosur për shkak të profesionit

Çdo profesion ka rregullat e tij dhe profesioni im, që ka të bëjë me shkrimin e saktë të fjalëve të gjuhës shqipe, vuri alarmin, sapo dhe unë vura syzet për ta lexuar me ëndje atë betim, të cilin me siguri çdo mjek e di përmendësh

Nga Diana Çuli*

Disa ditë më parë, duke mbajtur radhë në një nga ambulancat e Tiranës, po mendoja me pozitivizëm se sa shumë ka ndryshuar sistemi ynë shëndetsor publik : radhë normale, jo torturuese, pastërti, përgjigje të sakta, të sjellshme, (madje dhe buzëqeshje, gjë e rrallë në përgjithësi), përgjegjës kati që të drejtojnë kudo që ke nevojë, dokumentacion i rregullt....

 Pra, nëse nuk kërkon qimen në vezë, mund të thuash me vete se nuk ka asgjë që nuk mund të ndryshojë në këtë botë, megjithë pikënisjen dëshpëruese.

Ndërkohë, tek po bluaja në kokë të tilla mendime shpresëdhënëse, ulur në një karrike të re, të rregullt dhe jo me këmbë të thyera, për dreq më shkon syri tek muri përballë. Pranë emrave të mjekëve përgjegjës të sektorit ishte një tabelë e madhe, në kornizë dhe me xham, me shkrimin brenda me letër të zverdhëruar enkas, për të dhënë idenë e diçkaje të vjetër, të një papirusi, më saktë. Vështrova më me vëmendje dhe m’u shtua kënaqësia: ishte Betimi i Hipokratit, që revolucionarizoi konceptin e mjekësisë duke e përcaktuar si profesion më vete. Dhe mendova për atë njeri të shquar të lashtësisë, i cili mori famë edhe kur mposhti murtajën në Athinë, që krijoi shkollën e tij mjekësore e shkroi rreth shtatëdhjetë vepra, të përmbledhura në Corpus Hippocratum. Por, këto mjekët i dinë shumë më mirë se unë dhe me siguri u vjen të më buzëqeshin me dashamirësi, për këtë përsëritje naive të gjërave që dihen, si ABC-ja.

Por, ja që çdo profesion ka rregullat e tij dhe profesioni im, që ka të bëjë me shkrimin e saktë të fjalëve të gjuhës shqipe, vuri alarmin, sapo dhe unë vura syzet për ta lexuar me ëndje atë betim, të cilin me siguri çdo mjek e di përmendësh.

Dhe fillova të vuaja. Teksti që kisha përpara syve tek ajo ambulancë, megjithë letrën e vjetëruar si papirus dhe kornizën e xhamin, po më torturonte gjuhësisht.  Që në rjeshtin e parë ai thoshte “se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit” që shqip do të thotë “në shërbim të njerëzimit” . Më tej të gjitha foljet në vetën e parë njëjës: ruaj, ushtroj respektoj etj. ishin me ë në fund: unë do të ushtrojë, unë do të ruajë, unë do të respektojë, etj.

Më tej, një frazë që m’u duk si enigmë: “Brengosja ime më e madhe do të jetë shëndeti i të sëmurit”.  Si ta përktheja këtë? Se mjeku do të jetë shumë i brengosur, pra, i trishtuar, i hidhëruar, i dëshpëruar nga shëndeti i të sëmurit? Përsëri fraza nuk më mbushte mendjen, nuk kishte logjikë.  Çfarë shqipe ishte kjo?

Më tej: “Për mësuesit e mi do të kem gjithnjë respekt e miradinë” (???!!!) Ç’ishte kjo fjalë?

Më pas, në internet kërkova të dija më shumë për betimin e Hipokratit. Pashë se versioni origjinal ishte tjetër gjë dhe se të gjitha vendet e botës kishin përshtatur një version të tyrin, të aprovuar nga Urdhëri kombëtar i mjekut.

Kërkova të shihja si ishte përshtatur i yni. Në këtë gjendje analfabete? Për fat gjeta disa versione të tjera. Wikipedia fillonte me fjalinë: “Në çastin që po hyj në radhët...”, ndërsa ai i ambulancës fillonte me fjalinë mbrapsht: “Me të hyrë në … ». Disa versione te tjera fakultetesh, farmacish e mjekësh të veçantë ishin të gjithë më të mirë se sa ai i ambulancës, por asnjeri nuk ishte njësoj me tjetrin. Për shembull tek njeri m’u sqarua fjalia me fjalën e pakuptueshme « miradinë - apo miradi « ?), ku ishte shkruar mirësjellje. Nuk gjeta më version me foljet e vetës së parë njëjës me ë në fund. Gjeta dhe versione ku humanitet ishte zëvendësuar me njerëzim.

Gjeta dhe zbërthimin e rebusit: “Brengosja ime do të jetë shëndeti i të sëmurit”. Një version e kishte shqipëruar më në fund:  “Përkushtimi im më i madh do të jetë për shëndetin e të sëmurit”. Mora frymë lirisht, por që m’u pengua përsëri, sepse në disa versione të tjera m’u faneps përsëri fjala brengë në vend të brengosje. Kush i ka njësuar i pari kuptimet aspak të njëjta të fjalëve përkushtim dhe brengosje?

Mund të jem gabim, mund të mos jem shumë mirë e informuar për këtë çështje, por nuk pashë asnjë version të unifikuar të betimit të Hipokratit. Shpresoj shumë të jem e painformuar dhe kjo gjë të jetë e koregjuar. (Por jo tek ambulanca, ku mbretëron sot e kësaj dite!)

Dhe më lind pyetja: I sheh njeri në administratën tonë nga ana gjuhësore shkresat, sloganet, tabelat, etj? Përfytyroni përshembull në anglisht të shkruhet  tabl në vend të table.  Madje as shqiptarët që dinë anglisht nuk e bëjnë këtë gabim. Por, nuk e vrasin mendjen kur bëjnë gabime në shqip. As shefi, as drejtori, as mjeku a infermieri që e kanë para syve atë gabim. As në mjedise të tjera publike ose private.

U rrotullova nëpër Tiranë atë ditë e brengosur dhe aspak me miradi. Për të ma shtuar brengën më dilte në çdo cep të rrugëve kafeneja Mulliri Vjetër pa nyjen e përparme në mes: Mulliri i vjetër. Përfytyroni në anglisht një emërtim restoranti a kafeneja ku mungon of-i. Do t’ia mbyllnin lokalin, ose, e pakta, do t’i vinin gjobë.

Dhe, për ta përfunduar këtë ditë të brengosur gjuhësisht me brengë të vërtetë, folësja e lajmeve të një kanali televiziv të rëndësishëm tha: “Presidenti Trump sulmoi Koloseun Amazon për…” (etj.etj)

M’u deshën disa sekonda të vija në vete dhe të kuptoja se ishte fjala jo për Koloseun e Romës, as për ndonjë kompani të quajtur Koloseu Amazon, por për “kolosin Amazon”, të famshmen kompani të shitjes së librave on line. Mesa duket, folësja e lajmeve që parashikohet të jetë të paktën me shkollë të mesme, nuk e di që ekziston Amazoni, por do t’i ketë zënë veshi diku se ka një si fjalë që thuhet Koloseu. U tmerrova kur mendova se ajo mund të kishte thënë dhe fjalinë: “Presidenti Trump sulmoi Koloseun në lumin Amazonë!”

*E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al