Aktualitet

Pakënaqësia ndaj ligjit, televizionet nuk transmetojnë aktivitetin e PS

Pakënaqësia e televizioneve për ligjin që i detyron t’u japin hapësirë televizive falas partive politike gjatë fushatës, është pasqyruar sot me bojkotimin që i kanë bërë aktivitetit të kryeministrit Edi Rama në Kashar.

Gjatë kohës që Rama ka folur, asnjë nga katër televizionet informative nuk ka dhënë pamjet e aktivitetit, e madje nuk e kanë pasqyruar as me titra fjalën e kryeministrit.

Që pas miratimit të ligjit, televizionet shfaqën pakënaqësinë e tyre për këtë ndryshim ligji, ndërsa ditën e djeshme Shoqata e Mediave Elektronike reagoi zyrtarisht kundër ligjit duke e cilësuar si anti-kushtetues pasi cenon lirinë e sipërmarrjes private.

Por gjithsesi, aktiviteti ka gjetur “dritaren” e televizionit online “ER-TV”. Ndoshta Rama e ka parashikuar këtë sjellje bojkotuese të mediave gjatë fushatës, ndaj prej disa javësh ka vendosur që aktivitetet elektorale të Partisë Socialiste t’i pasqyrojë në televizionin e vet online./E.U, Tiranapost.al