Aktualitet

QSUT shpall tenderin: 1.4 milionë lekë kush kujdeset për trajtimin e mbetjeve spitalore

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka shpallur këtë të premte tenderin për “Trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, anatomike të lëngëta dhe të ngurta.”

Sipas asaj që njofton TV Scan, fondi limit i vënë në dispozicion është 1,482,000 lekë pa TVSH, dhe financohet nga buxheti i shtetit.

Tenderi në fjalë është hapur më 21 Korrik dhe do të mbyllet më 1 Gusht. Subjekti që do të shpallet fitues do të duhet që të bëjë trajtimin e mbetjeve spitalore deri më 31 dhjetor të 2017, duke ju referuar kodit për hedhjen dhe trajtimin e mbetjeve.

Ky tender pritet t’i japë zgjidhje deri në fund të vitit 2017, problemeve sa i përket mbetjeve spitalore. Shpesh herë këto mbetje nuk kanë kaluar pa probleme. Jo në pak raste ka pasur akuza se këto mbetje hidhen drejtpërdrejtë në mjedis, duke rritur ndotjen dhe rrezikuar jetë. E.C/ Copyright Tiranapost.al