Nën lupën e Stela Sallakut

Rikthehet trendi, ja cilat janë pardesytë më “IN”

Nga Stela Sallaku/Jemi akoma në stinën e plazhit dhe mediat sociale kanë filluar promovimin e koleksioneve të vjeshtë dimrit 2017/2018. Ndoshta disa prej nesh akoma nuk kanë mundur të shkëputen për pushimet, ose disa që si unë shkëputen vetëm në fundjavë. Gjithsesi na pëlqen që të njohim trendet që do pasojnë . Edhe pse po shpresojmë që vera të mos mbarojë, të paktën dhe për disa kohë.

Në më pak se një muaj na duhet të rikthejmë xhaketat dhe trikot e punuara me shtiza. Nëse e vutë re gjatë verës shumë blogger të huaja filluan të vishnin disa element nga gardëroba e vjeshtës, këmisha me mëngë të gjata të cilat i lidhën në mënyrë asimetrike, xhinse dhe pantallona me dizenjo tartani, kombinuar me mules ose shapka. Në do çdo sezon, ose më mirë të them përpara çdo sezoni të ri, influencueset e modës na tregojnë shinat mbi të cilat do lëvizë tendenca dhe trendi . Duhet të kesh shqisën e gjashtë, siç themi ne, për të parashikuar se çfarë do ndodhë me ecurinë e biznesit më fitimprurës sot për sot. Por ja që kemi lajme të mira! Ju kujtohen pardesytë e mamave tuaja? Ato camel, nude, apo gri? Shpresoj që po sepse do tju duhet ti nxirrni nga sëndukët dhe ti përdorni ju këtë sezon. Po kthehemi tek klasikja dhe e pavdekshmja, nuk e di nëse është bërë për arsye të ndërgjegjësimit të popullatës për të mos hedhur asgjë, apo vërtet paskan qenë zbulim i pazëvendësueshëm dhe se kemi ditur.

Sido që të jetë, jemi të lumtur që kthehemi tek klasikja, dhe po u ikim disa trendeve të çuditshme që ishin më të shkurtra se sa “FAD” , termi  përdorur për tendencën afatshkurtër. Më lini t’ju kujtoj shapkat prej pellushi dhe besoj e kam sqaruar termin e sipërm.

Ndërkohë, po ju lë t'i hidhni një sy tendencës në mënyrë që të jeni të parët për ta provuar. Mos e lini pas dore javën e modës në Copenhagen, dhe “streetstyle”-n atje. Për mendimin tim këtë vit do jetë ajo influencuesja dhe jo Milano as Parisi.