Aktualitet

Rruga e Kombit që nuk u përfundua kurrë: Kërkon edhe 70 milionë euro të tjera

U konsiderua si vepra më e madhe infrastrukturore pas viteve ’90, por prej inaugurimit në vitin 2009 Rruga e Kombit vetëm ka thithur para nga buxheti i shtetit, duke mos përfunduar kurrë.

Edhe tani, kur qeveria po bëhet gati ta japë menaxhimin saj me koncesion, kanë dalë probleme të tjera. Nga inventari i bërë, rezulton se rruga e cila nuk ka ende 8 vjet që është inauguruar, ka dëmtime serioze çka mund të rrisë më tej koston e koncesionit edhe me mbi 70 milionw euro.

Burime nga revista Monitor thonë se nga verifikimet në terren janë vërejtur disa dëmtime dhe investime të munguara. Mungojnë disa skarpata anës rrugëve dhe nga ana tjetër ka shumë dëmtime në hyrje-daljet e autostradës të paautorizuara, të cilat i bëjnë të pamundur koncesionarit të fillojë zbatimin e kontratës.

Aktualisht pala shqiptare po negocion me kompaninë Catalyst dhe investimi fillestar është mbi 43 milionë euro, ndërsa në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 euro për 30 vitet në vijim.

Mirëpo të njëjtat burime pohojnë për Monitor se kostoja e punimeve të munguara do të jetë mbi 70 milionë euro. Palët janë në negociata që shuma e punimeve të munguara me gjasë do të transferohet tek koncesionari duke i akorduar fonde shtesë./Tiranapost.al