Aktualitet

Sekrete bukurie, siç bënin dikur gjyshet

Ato nuk kishin kremra të shtrenjta, sallone bukurie e produkte specifike për lëkurën. Gjithçka e gjenin brenda shtëpisë, në raftet e kuzhinës dhe në shportën e fruta-perimeve. Dhe gjyshet dinin ç’bënin

Lëngu i portokallit është një tonik i përsosur për lëkurën e fytyrës: e bën lëkurën elastike, të butë dhe i jep ngjyrë të bukur.

Para se të shkosh për të fjetur, laj fytyrën me ujë të ftohtë dhe më pas masazho zonat më delikate, ku rrudhat formohen më lehtësisht, me pak lëng kastraveci.

Për një fytyrë sa më të pastër hidh në një enë ujë të nxehtë, shto disa petale trëndafili të sapokëputura dhe disa pika vaj esencial trëndafili. Hidh një peshqir mbi kokë dhe qëndro mbi avull për disa minuta. Më pas shpëlaje fytyrën me ujë trëndafilash dhe rezultati është një lëkurë e lëmuar dhe e freskët.

Nëse flokët janë të dëmtuar dhe po kërkon një zgjidhje për t’i bërë më të shëndetshme, një kërkim mes bimëve është ajo që të duhet. Gjyshja ju propozon zgjidhjen e saj natyrale, thjesht dhe të shpejt për t’u përdorur: 40 gr hithra të freskëta dhe 200 ml ujë. Griji hithrat dhe hidhi që të ziejnë bashkë me ujin në një tenxhere, për dhjetë minuta, në nxehtësi të ulët. Pastaj kulloji dhe lërë lëngun të ftohet. Pas dushit shpëlaje kokën me këtë lëng dhe masazhoje me kujdes.