Aktualitet

Sytë përtej kërthizës tonë, a do të mbijetojë sonte BE?

Shpesh kalimtarët në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" kanë perceptimin se nga Shtëpia e Bardhë në Washington deri në   Qytetin e Ndaluar në Pekin  madje duke kaluar edhe nga Kremlin në Moskë akrepët e sahatit të botës rrotullohen rreth nesh.

Por sot na duhet të ndalojmë pak shëtitjen me çadër apo me syze dielli në bulevard dhe t'ju bashkohemi disa qindra milionë europianëve të kontinentit me të njëjtin emër, të cilët sot, pikërisht sot, i kanë sytë drejtuar nga Franca për të mësuar në ora 20:00, pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, nëse BE si hapësirë paqeje, mirëqenieje dhe zhvillimi do të vazhdojë të ekzistojë ende.

Po jap shembullin vetë duke e lënë mënjanë teknologjinë për këtë postim, sepse sado e rëndësishme qoftë teknologjia për jetët tona sot dhe nesër,  impakti i daljes së Francës nga BE, që do të sillte si pasojë edhe shkërmoqjen e Bashkimit Europian, do të ndryshonte përgjithnjë faqen e kontinentit dhe Shqipërisë e Ballkanit bashkë me të, për keq jo për mirë.

Dy ndër katër kandidatët që kanë probabilitet të mjaftueshëm të kualifikohen për raundin e dytë janë kundra Bashkimit Europian, Marine Le Pen dhe Jean-Luc Melenchon.

http://www.lemonde.fr/les-decodeurs/article/2017/04/18/avantlevote-melenchon-macron-asselineau-a-chaque-candidat-son-europe-ou-son-frexit_5112880_4355770.html

Nëse ndodh që këta të jenë dy të kualifikuarit  e raundit të parë, ne që e duam Europën mund të fillojmë ta qajmë sot në darkë. Pas Brexit, Bashkimi Europian nuk do ti mbijetonte dot një goditje të këtyre përmasave nga Franca, vend fondator dhe shtyllë e BE sëbashku me Gjermaninë.

Europianët kanë harruar çfarë ju sjell BE. A imagjinojnë dot sot të rinjtë francezë që udhëtojnë me trena në gjithë vendet e Europës, që shkrirja e BE sot nesër nuk do të thotë thjesht udhëtime pak më të vështira me viza e ndalesa në kufij, por mund të përkthehet në luftë me Poloninë a me Hungarinë ? Që zhdukja e € do të thotë ulje e shkëmbimeve tregtare brenda Europës, më pak  peshë karshi Kinës, Indisë, SHBA, por në fund të fundit më pak mirëqenie, më shumë varfëri, më pak punë për ta?

Europa mund të jetë bërë në këto 60 vjet jetë si ato shtëpitë e mëdha, e tejmbushur mbase me objekte të çmuar dhe qilima të rëndë por e pluhurosur. Por të shëmbësh shtëpinë për ta shkundur nga pluhuri nuk është zgjidhja sepse mbetesh jashtë.

Hajde ta shpluhurosim e ta modernizojmë shtëpinë, ti japim më shumë dritë duke hequr perdet e rënda, madje edhe duke e hapur oborrin për miqtë që duan të vijnë aty, siç jemi ne vendet e ashpra por dinamike të Ballkanit.

Bashkimi Europian  duhet forcuar dhe duhet bërë më fleksibël, duhet të vijojë të jetë model shprese, demokracie dhe mirëqenieje. Na duhet më shumë Europë jo më pak Europë.

Dëgjohemi të djelën tjetër,me lajme të mira shpresoj. /Copyright Tiranapost.al/