Aktualitet

Udhëtonte me biçikletë, makina përplas për vdekje studenten shqiptare

Një studente shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në një aksident rrugor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Itali, në provincën e Solarolos, ku viktimë ka mbetur 27-vjeçarja Eligersa Baha.

Aksidenti në fjalë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa sot studentja shqiptare nuk ka arritur t’i mbijetojë dot më plagëve duke ndërruar jetë.

Sipas mediave italiane, studentja shqiptare po udhëtonte me biçikletë, në momentin që është goditur nga një automjet. Mësohet se shqiptarja po shkonte për një shtëpi ku kujdesej për një të moshuar gjatë natës.

Hetimet paraprake tregojnë se shoferja e automjetit tip “Fiat Punto” nuk e ka vënë re studenten shqiptare për shkak të pengesave të vendosura nga agjentët komunalë, pavarësisht se ka tentuar të frenojë por pa ia arritur dot.

Përplasja rezultoi fatale për studenten, duke marrë plagë të rënda në kokë dhe ku pavarësisht mbikqyrjes së mjekëve për dy ditë, 27 vjeçarja ka humbur betejën me vdekjen.

Eligersa Baha 27-vjeç ishte studente bë Universitetin e Firences. E.C/ Copyright Tiranapost.al