Histori Personale

Urban, do shkojmë në protestë

Urban, do shkojmë në protestë

Nga “Fatorinoja”/Me terezi ngrihem nga shtrati. Një rreze e vakët dielli ndriçonte në dritare. Disa zogj cicërinin me ëmbëlsi. E kisha gjithë ditën time.

Një takim me një mik me detyroi të dilja e të merrja urbanin. Protesta e opozitës ende nuk kishte filluar. Rrugët ama ishin të bllokuara. Tek stacioni milet i madh.

-Jo mos hip se ne kthehemi pas?

-Si ktheheni pas, po për të vajtur...

-Djali e ka bllokuar policia, nuk e shikon është protesta.

Më duhej t’i bija si Magelani për të shkuar tek vendi ku unë doja. Në këmbë ishte e pamundur të shkoja. Ndaj PD-ja protestonte mua më ikën lekët nga taksia.

***

Pas takimit, doja që turma e protestës të mos më zinte rrugës. Ndaj nxitova. Urbani plot, lloj lloj fytyrash me flamuj në duar.

-Sa bën bileta?

-40 lekë

-Ou, pse kur e keni rritur?

-Sa kohë ke që nuk ke ardhur në Tiranë?

-E mirë na, se nuk pyesim për lekë ne.

Në urban ishin të pakët ata që kishin abone, të tjerët me lekë.

-Or ti po shumë trash je veshur?

-Nata është e ftohtë, gjithë natën aty. Pse jemi paguar, apo... për këtë punë. Ja kam marrë dhe çadër, se për të ngrënë do na sjellin ata.

-O shofero, jepi gaz o burr se jemi vonë. Nuk do arrijmë dot?

-Ça ke ti mer që bërtet, të them unë si ta bësh punën tate ti? Jo, tani rri pse i jep gojës.

Disa stacione më pas, dy korçarë ishin të ekzaltuar për atë që do ndodhte.

-Po çfuarë thua ti bre? Ne do rrëzojmë sot Ramkën dhe Peleshkën. Të dy do t'i shtypim si morrat e kuq.

-Peleshka, ka ikur bre. As Ramka nuk është. Naaa, shtatë nga frika!

Përr, përrr, përrrr...

Një bilbil i policit rrugor ndezi më shumë situatën.

-Yyyyy do t’ju shtypim, ore dëgjove

Veçse bëri që gjithë njerëzit të kthenin kokën. Mezi prisja të arrija në stacionin më të afërt. Dhe ashtu bëra, turma ishte e padurueshme.

(E shtunë, 18 Shkurt 2017)