Aktualitet

I vuri zjarrin pyllit, policia arreston në flagrancë 21-vjeçarin

Akuzat e kreut të Emergjencave Civile dhe kryetarëve të bashkive, po vërtetohen tani. Zjarret që përfshinë Shqipërinë për më shumë se dy javë duke shkrumbuar hektarë të tëra me pyje e duke vënë në rrezik pronat e qytetarëve, kanë qenë të qëllimshme.

Një rast i tillë është evidentuar sot në Sarandë, ku policia ka arrestuar 21-vjeçarin Jorgo R., banues në Finiq pasi është konstatuar nga shërbimet e policisë duke vendosur zjarr në vendin e quajur “Gropa”, në fshatin Leshnicë, ku për pasojë janë djegur rreth 50 hektar sipërfaqe pyjore.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë në ngarkim të tij për veprën penale ''Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal, ndërsa në të gjithë vendin vazhdon puna për të vënë para ligjit të gjithë përgjegjësit./Tiranapost.al