Noizy flet pas koncertit: Ishte nata më e bukur e karrierës sime


Këngëtari i njohur i muzikës pop Noizy në një intervistë për Euronews Albania tregoi emocionet e koncertit të 14 gushtit Alpha Show, që siç tha, i kaloi pritshmëritë e tij.
Ai e cilësoi natën më të bukur dhe ndoshta më të rëndësishme të karrierës, ndërsa theksoi se një skenë e përmasave të tilla ishte një ëndërr e bërë realitet.
“S’e dija sa ka qenë rekordi i biletave të shitura më parë, por mora vesh që është tejkaluar numri dhe ndihem mirë se atmosfera ishte në kulm. Të ftuarit janë njerëz me të cilët kam bashkëpunuar. Mund të them se është nata më e bukur e karrierës sime. Kisha një staf të gjerë nga prapa që u mor me çdo detaj. Kanë qenë 200-300 veta që u angazhuan, kemi që në shkurt që merremi me organizimin”, tha këngëtari.
Rreperi deklaroi se pas koncertit kanë vendosur që ftesat për të kënduar në vijim nëpër Europë t’i organizojë në salla të mëdha me bandë live.
“Do të jetë një eksperiencë e re. Kjo në fakt duhet të bëhej shumë më përpara,” u shpreh artisti.
Noizy tha se ky vendim do të ndikojë 100% në rritjen e tarifës për të parë live atë.
Ai tha se kostoja e koncertit ku ishte i vetmi sponsor gjeneral ishte mbi gjysmë milioni euro, shifër që siç tha e kishte vendosur që nga fillimi, pavarësisht si do shkonte.
“Ishte një shifër mbi gjysmë milionë euro, isha sponsor gjeneral vetë se nuk kishte njëri ta merrte përsipër. Ideja është që nëse nuk vjen me shifrën e duhur, më mirë mos e bëj. E vendosa nga fillimi që ato lekë do t’i investoja. Nuk prita që gjatë rrugës do nxjerr dhjamë nga pleshti, i quajtura të humbura ato para pavarësisht si do shkonte”, tha këngëtari.
I pyetur nëse i ka marrë mbrapsht ato para me koncertin, këngëtari tha se ende nuk e di se sa ka fituar ndërsa theksoi se për momentin ka ndërmend të largohet për të pushuar pas impenjimit me Alpha Show.