25 Rreshtat e Mirës

Liri ka, media nuk ka

Të shkruash mirë, të pyesësh mirë, të jesh sot një gazetar i ndershëm, kërkon para. Sepse gazetaria s’mund të jetë më një profesion i varfër. Gazetaria duhet dhe është biznes. Është punë si çdo punë që të paguan faturat edhe ëndrrat po ke mundësi. Nuk i duhen askujt gazetarët e varfër, dhe një media me pronar të pasur. Si një gazetare që e sheh të ardhmen online gjykoj se informacioni online do të mbijetojë kur publiku të paguajë për të.

Liri ka, media nuk ka

Instruktori im i palestrës vjen nga Instituti i Fizkulturës. E kam njohur para 7 vitesh. Çfarë lidhje mund të ketë një trajner gjimnastike me ditën ndërkombëtare të lirisë së medias? Jo më larg se sot në mëngjes më tregonte me shqetësim për mbirjen e trajnerëve nga Youtube dhe kaosin që është krijuar edhe në lëmin e tyre.

I thashë: Jemi të gjithë kështu. Para disa kohësh isha në spital me një të afërm dhe nuk e dalloja kurrë kur ishte sanitarja ajo tek dera, infermierja apo mjekja. Një standard! Një sjellje! Një vrazhdësi! Një uri! Një ftohtësi. Një babëzi! Një fatkeqësi! (por, kjo është një temë që do ta bëj një ditë tjetër).

Në media është e njëjta krizë, por ndryshe nga profesionet e tjerë, tek ne bie ca më shumë në sy bari i keq. S'duhet të sëmuresh vetë apo një i familjes si me spitalin p.sh. Media është kudo sot përmes linqeve të saj në Facebook, në Instagram, në Twitter. Media dhe gazetarët janë në telefonin e të gjithëve me shpejtësinë e dritës. Ata që të duan dhe ata që s'të durojnë dot, madje këta të dytët janë ndjekësit më të bindur.

Por si është media sot? E lirë? Po. Kjo është çështja?

Nuk fle lepuri tek liria, por tek media vetë. Tek rregullat e lojës që iu është prishur kandari. Tek mungesa e financave dhe rregullat e operimit në treg. Tek ngjitja në skenë e çdo lloj prerjeje. Këtu ka lloj-lloj satrapi.

Pse Media është e lirë:

-Po përsa kohë çdokush thotë çfarë i hipën në kokë, është. Shan e mburr! Një gënjen e një thotë të vërtetën, por 5 të tjerë kane postuar genjeshtrën si të vertetën dhe e vërteta ngelet jetime.

Pse tregun e mbizotëron skandali dhe gënjeshtra:

-Çdo shoqëri ka morbozitet dhe nevoja për të parë video, (këtu e kanë të gjithë pikën e dobët. Boll të shkruash në titulli fjalën “video” dhe disa tituj sa më joshës, të gjithë në rrjetë) skena ku rrihen, ku bëjnë dhe ndonjë gjë tjetër, tallje dhe sharje, tërheqin dhe pikë. Njerëzimi nuk e hesht dot kuriozitetin për jetën e tjetrit e askush dihet nuk mund të kontrollojë çfarë thuhet për të, por çfarë thotë vetë Po.

Boll të hapësh televizorin apo portalet dhe kupton se një "fake news" e kanë të gjithë. E kanë se shumica me gjasë as që nuk e dinë dhe ironia në këtë mes është se dëmi shpeshherë bëhet nga duar të pafajshme.

Të gjitha ndodhin dhe kudo. Mashtrues e amator nuk janë prodhim shqiptar. Çdo vend ka vulgun e vet, por ka edhe "Rai" -n e vet si Italia, "CNN"-in e vet, "The Guardian"-in e vet, "Le Monde"-n e vet. Mbrëmjet në asnjë vend të botës nuk t’i marrin peng 100 emisione politike. Qytetarët janë të bombarduar me informacion nga të gjitha anët. Statuse, artikuj, emisione. Dinë çdo gjë e kuptojnë gjithnjë e më pak për këtë shkak.

Ditën s'ta marrin peng dhjetëra portale që postojnë çdo gomar që fluturon.

A ka autocensurë? Po. Dhe është në një nivel me lirinë e llumit.

A ka gazetarë të mirë? Po. Dhe i kanë rreshtuar në një rresht me llumin.

Të shash, kërcënosh, të servilosesh, të ruash veten më shumë sesa lajmin, është kaq e thjeshtë.

Të shkruash mirë, të pyesësh mirë, të jesh sot një gazetar i ndershëm, kërkon para. Sepse gazetaria s’mund të jetë më një profesion i varfër. Gazetaria duhet dhe është biznes. Është punë si çdo punë që të paguan faturat edhe ëndrrat po ke mundësi. Nuk i duhen askujt gazetarët e varfër, dhe një media me pronar të pasur.

Si një gazetare që e sheh të ardhmen online gjykoj se informacioni online do të mbijetojë kur publiku të paguajë për të.

Më e lirë a më e mirë? Unë do zgjidhja të dytën! Liria nuk matet dot kurrë, se asnjë liri nuk është e pakufishme. Është klishe, e di, por liria jote përfundon kur prek atë të tjetrit. Ndaj, boll pritët që media online të jetë një pushkatuese, një ekzekutore, një gojë e pisët.

Media është mendje fine, ironi e bukur dhe drita e duhur në informacion.

Fatin e një medie më të drejtë e përcakton vetëm dita kur qytetarët do të paguajnë për të. Le të nisë me pak.

Është si puna e fatit të instruktorit tim, i cili paguhet njësoj si dikush që ta çon hernien thikë me ushtrime Youtube-i, por duhet vetë i zoti i hernies të ndërgjegjësohet për trupin e tij dhe të zgjedhë trajnerin e duhur.

Gjimnastika e mendjes e bën. Duhet braktisur bari i keq. Duhet lënë pa ujë, dritë, diell! Kudo ku i shihni, emisione politike, jo politike, portale, gazeta, edhe në Facebook e Instagram. Të gjithë kemi nevojë të rishpikim dhe të përmirësojmë veten. Gazetarët nuk jetojnë në Mars. Janë qënie dhe produkt i kësaj shoqërie megjithë të mirat dhe krizat e saj. Me luftë dhe ëndrra dhe fatura. Njerëz si ti jemi.

Ndërsa është një kategori që duhet lënë të ziejë në gjellën e vet, nëse nuk e ndjen që janë njerëz si ti, pa i mbyllur gojën, por duke i mbyllur derën!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]