25 Rreshtat e Mirës

Mirupafshim zyshë Eda!

Mirupafshim zyshë Eda!

Nga Mira Kazhani/ Ajo ishte pedagogia e parë që hyri në auditor në vitin 2000 në grupin e Punës Sociale. E butë si mëndafsh, me flokët e shkurtër dhe dy perla në vesh, na kërkoi të prezantoheshim duke thënë nga dy fjalë për veten.

Më kujtohet sesi me qetësinë e saj vuri në dukje mundin e studentëve që vinin nga rrethet, përkundër bursave që përfitonin kryeqytetasit kryesisht, me ndonjë Vlorë a Durrës nëpër to. Në ato vite ka patur një praktikë bursash për ata që nuk fitonin konkursin për në shkollë të lartë dhe iu jepte mundësi qeveria (qeveria Nano) të shkonin në fakultet, edhe pse mund të ishin të fundit në lista. Mekanizëm favoresh totalisht. Padrejtësi!

Dukej që zyshë Edës kjo praktikë nuk i rrinte përshtat.

Më vonë, në provime dhe detyra kursi kuptoje që zyshë Eda nuk ishte aq e mëndafshtë, kërkonte shumë dhe 9-ta me të më është dukur 10-të me yll.

Sot, ajo u nda nga jeta pas një sëmundje të gjatë dhe lufte 5-vjeçare me kancerin. Ka luftuar jo pak!!! Jeta ka ligjësitë e veta.

Lajmi për vdekjen e Edës më ngjalli sot kujtesën e asaj plejadës së profesorëve të mirë. Atyre që në heshtje dhe pa bujë i kanë dhënë këtij vendi impulse. Si atëherë në orën e parë në fakultet që një profesore na nxiti të kërkojmë të drejtën dhe të mos pajtohemi me padrejtësitë.

Unë të paktën kështu besoj se ka qenë.

Mirupafshim zyshë Eda!
Prof. Edlira Haxhiymeri