25 Rreshtat e Mirës

Pushteti në duar të gabuara është kudo njësoj shkatërrimtar

Pushteti në duar të gabuara është kudo njësoj

E kam pasur një moment kur edhe vetë e kam parë jo pa empati Donald Trump. Duhet të ketë zgjatur tre ditë dhe e di edhe arsyen nga erdhi. Si studente që vij nga Shkencat Sociale ky quhet “efekti i kundërt”.

Lufta e të gjithëve kundër tij, edhe pse e drejtë, në një çast të provokonte ndjenjën e keqardhjes.

Nuk e desha gjithsesi në asnjë rast fitoren e Donald Trump, as të parën e sidomos të dytën...

4 vjet më kishin mjaftuar për të kuptuar se lidershipi i tij prej biznesmeni çoi papunësinë në nivelet më të ulëta në Amerikë, por gjithashtu e martoi atë me veten, Amerika brenda, Amerika për veten, ne dhe ata, ata dhe ne. Përçarja kudo!

Trump tregoi se një njeri i vetëm prish punë.

Ai qe njeriu që riktheu muret që bota i ka shembur me gjak.

Trump zgjoi “kllounët” si tek filmi “Joker”. Kapi me intuitë apo prej limitimeve të tij kryesisht shtresën e frustruar në Amerikë. Të pashkolluarit, të varfër dhe njerëz të sfiduar nga kapitalizmi dhe konkurenca. Të sfilitur nga Amerika robotike.

Iu dha atyre hapësirë dhe një vend në shoqëri dhe i ndezi të dalin rrugëve si “Proud Boys” kundër institucioneve dhe modeleve tradicionale të Amerikës demokratike: Institucioneve!

Institucionet nuk janë askund perfekte, ato kanë anën e tyre të errët, mëkate dhe gabime, por në asnjë rast nuk mund të barazohen me injorancën e turmave që e gjejnë veten tek lideri i keq dhe tek adresa e tyre në Facebook apo Twitter e Instagram ku marrin dozën e tërbimit përkundrejt.

Ky është rasti flagrant kur një individ i sheh institucionet si zgjatje të egos së vet. Institucionet si pronë private. Politikën si biznes privat. Facebook dhe Twitter si zyrën e shtypit për të difuzuar të pavërteta, gënjeshtra që ngrehin turmat.

Kështu u shpëlanë mendjet nga dezinformimi në Amerikë. Megjithëse Facebook dhe Twitter kanë reaguar duke blllokuar llogaritë e Presidentit të ikur.

Mediat sociale kanë qenë arma perfekte e Trump për të përhapur lajme dhe për të përdorur emocionet e njerëzve.

Ajo që ndodhi në Capitol Hill në 6 Janar 2021 është një fatkeqësi për SHBA dhe një sinjal i zi për ne republikat që dhunën ende e përngjasim me demokracinë dhe që për fat të mirë a të keq lundron mjaft në internet.

Ne që dhunën kemi të vetmen mundësi për të ardhur e mbajtur pushtetin.

Që dhuna tregon se ke të drejtë. Që një turmë mund të bëjë që të duket se i gjithë populli është me ta.

Ne shqiptarët e kuptojmë mirë Amerikën sot. Jemi dëshmitarë të zgjedhjeve me kuti në krah, komisioner peng, akuza të shëmtuara dhe kurrë njohje rezultatesh me qytetari. Siç thoshte Angela Merkel, demokracia është kur njëri fiton dhe tjetri humb. Kaq thjesht.

Kur shikon janarin amerikan fillon të mendosh për prillin tonë. Sa prilla të thyer kemi parë në 30 vjet Demokraci. Sa adresa online janë gati të bëjnë të mendosh se ti je një njeri tjetër, se diçka po ndodh ashtu siç nuk po ndodh. Se diçka është ashtu siç nuk është.

Institucionet do të luftojnë gjatë gjjthë kohës tanimë me keqinfomimin që del nga çdo vrimë e mundshme në telefon. Leksioni i Amerikës është sidomos njëri: -pushteti në duar të gabuara është kudo njësoj shkatërrimtar.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]