25 Rreshtat e Mirës

“Vaksina” nd'rro kasetën!

“Vaksina” nd'rro kasetën!

Lulzim Basha ia mori hakun kundërshtarit të tij Edi Rama mbrëmë, duke zhvendosur vëmendjen nga kaseta, që e mbuloi për ditë me radhë liderin e opozitës me një tis tradhtari, me një listë të vdekurish nga Covid (vlen të sqarohet: pa emra dhe veç me numra. Sipas PD-së, e fshehur me kast nga politika e Edi Ramës).

Pra, pa gjetur ende njërën kasetë, u fut tjetra. Dy javë nuk morëm vesh se çfarë ndodhi me kasetën e masakrës së Krushës. E kish ngrënë kasetën Basha, e kish fshehur, nuk e kish ngrënë, ishte tradhtar apo nuk ishte. Në një mbrëmje ku 3+5=7 milionë shqiptarët e Bashës kishin kuriozitet për dëshminë e kreut demokrat në lidhje me të shkuarën e tij si zyrtar i rëndësishëm i UNMIK, në kohën kur janë përpiluar dosjet për krimet e shqiptarëve, Lulzim Basha bën një deklaratë të tmerrshme, shoqëruar me një tabelë me numra të vdekurish nga Covid, në dy versione. Njëri i qeverisë dhe tjetri i PD-së. Të vdekurit sipas qeverisë dhe të vdekurit sipas PD-së. Sigurisht, në Shqipëri, por edhe në Kosovë, të dalë një lajm i tillë, megjithë respektin e mirënjohjen e thellë për gjakun e UÇK-së, aktualiteti predominon sentimentin publik. Në këtë pikë zoti Basha ia arriti qëllimit, duke i ofruar opinionit publik një histori të re, ankth të ri, një rrëqethje, duke iu përgjigjur krimit me krim, kufomave me kufoma dhe duke krijuar panik e pështjellim. E përsëris: Nëse qëllimi i zotit Basha ka qenë të krijojë tymnajë dhe të ndërrojë kasetën, ia doli me sukses. Por, këto punë nuk duhet të mbyllen gjithmonë me kaq. Sepse akuza të rënda si këto, nëse nuk sqarohen, vërtetohen dhe bëhen thjesht për strategji fushate, janë të pafalshme. Të pafalshme, të paktën moralisht, se në politikën tonë nuk ka prej kohësh limite morali. Këta politikanët tanë e kanë stil që sulmojnë njëri-tjetrin sa ta lodhin nervash, por në fund kurrë nuk i çojnë akuzat aty ku duhet: tek drejtësia! Sikur e duan njëri-tjetrin me një pakt të heshtur, është si një formë bashkëjetese ose martese. Janë si të martuar që kërcënojnë, por nuk ikën asnjëri nga shtëpia. Nuk di sa herë janë sulmuar dhe prapë ja ku janë para nesh, me kasetën e radhës.

Thjesht përdorni memorien e Google me fjalën - akuzë, komision hetimor, Prokurori.

Nëse Lulzim Basha ka fakte e prova për të vdekurit e fshehur nga Covid duhet ta çojë deri në fund këtë histori, duke i dorëzuar provat që ka në institucionet e drejtësisë.

Nëse do të vazhdojë të mbajë hartime para mikrofonave, për prova në bazë gojëdhënash, është një turp i përsëritur.

Sa për Lulzim Bashën vetë, ai seç ka një kurorë. I ikën gjithmonë përballjes me drejtësinë. S’di si ia del, por e mbaj mend vetëm që del e akuzon tek dera e Prokurorisë, ku e thërrasin sa ta shohin mediat që hyri.

Po Edi Rama a do ta çojë në prokurori siç ka thënë sot, çështjen e viktimave “të fshehura” të Covid? Se di. A do dalë me kasetën e sulmit politik Lulzim Basha? Këtë e di si buka që ha. A do harrohet dhe kjo sa të dalë një kasetë e re? E pres dhe këtë të ndodhë shumë shpejt! A do jetë kështu deri më 25 prill? E sigurt, por deri atëherë kam ankthin, a do ketë mbërritur këtu vaksina për shëndetin tonë?

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]