Çështje të Personalitetit

A mundet një ngjarje traumatike të ndryshojë zërin e njeriut?

A mundet një ngjarje traumatike të ndryshojë zërin e

Elisa Monti është një psikologe e specializuar për zërin. Fusha e saj e kërkimit është e përqendruar tek marrëdhënia midis traumës psikologjike dhe ndryshimit të zërit.

Më poshtë janë shpjegimet e saj në lidhje me temën, përmes një interviste:

Pyetja: Më tregoni pak për karrierën tuaj deri tani dhe këtë qëllim specifik që i keni vendosur vetes

Dr.Monti: Qëllimi im në jetë është të kontribuoj në kuptimin e marrëdhënies midis traumës psikologjike dhe zërit. Kjo fushë nuk është krijuar ende dhe kërkimi do marrë kohë. Prandaj kam themeluar voiceandtrauma.com, një platformë përmes të cilës ekspertët mund të flasin rreth kësaj teme dhe të shkëmbejnë ide. Aktualisht, e quaj veten studiuese dhe terapiste performance.

Çfarë është një traumë?

Mendoj që konceptualizimet dhe terminologjia për traumën kanë ndryshuar gjatë viteve. Trauma mund të përshkruhet si një ngjarje veçanërisht shqetësuese, emocionale që i ndodh një personi me efekte potencialisht afatgjata. Trauma nuk është domosdoshmërisht vetë ngjarja, por është mënyra se si sistemi nervor i përgjigjet ngjarjes.

Unë mendoj se shenjat dalluese të traumës janë disa, por në thelb është një ndryshim në aftësinë e dikujt për t'u marrë me situatat e përditshme në të njëjtën mënyrë siç merrej para traumës. Lidhja me të tjerët mund të shndërrohet në të vështirë. Ky njeri e shikon veten, por edhe botën, ndryshe nga më parë.

Pyetja: Si të shkoi për herë të parë ndër mend se mund të ketë një lidhje mes traumës dhe zërit?

Kam qenë e magjepsur dikur pas lidhjes së të kaluarës dhe dikujt dhe zërit kur kam ndjekur Akademinë e Arteve. Më kujtohet kur shikoja bashkëmoshatarët e mi teksa këndonin bukur dhe zëri i tyre apo mënyra ndryshonte kur ndodheshin në një situata të sikletshme, kur për shembull para tyre shfaqej një mësues i sertë apo në lëndën e të cilit kishin vështirësi. Papritmas zërat e tyre nuk ishin në gjendje të bënin atë që normalisht bënin. Askush nuk kishte interes ta diskutonte me mua këtë lidhje të mundshme.

Si e ndikon trauma zërin?

Kjo është pyetja ime e preferuar pasi është pyetja rreth të cilës rrotullohet pasioni im! Lidhja midis traumës dhe zërit diskutohet gjerësisht, por ende nuk është hulumtuar mjaftueshëm.

Një lidhje e mundshme mund të ekzistojë në atë se si trauma ndikon në fiziologjinë dhe në sistemet fiziologjike të aparatit vokal. Zëri është tepër kompleks. Kur flasim, ndodhin disa hapa, duke filluar me frymëmarrjen, pastaj te fonacioni (palosjet vokale vibruese) deri te rezonimi (kavitetet e traktit oral ndryshojnë formën kur flasim) në artikulim (p.sh. lëvizja e buzëve). Gjithashtu, truri është i përfshirë në të gjithë këta mekanizma në nivele të ndryshme. Ndonjë prej këtyre elementeve mund të ndikohet fiziologjikisht indirekt nga trauma e cila më pas mund të ndikojë në zë.

Ka raste studimore në patologjinë e gjuhës së të folurit që diskutojnë humbjen e zërit pas humbjes së një personi të dashur, ose zhvillimin e tensionit të pashpjegueshëm të zërit kur lind tensioni mes një çifti. Gjithashtu, janë raportuar raste të njerëzve që tingëllojnë 'mbytur' kur pranojnë fajin ose një sekret. Unë personalisht e shoh shumë interesante kur zërat e njerëzve ndryshojnë kur flasin për veten e tyre në krahasim me momentin kur flasin për dikë tjetër.

Ekziston një literaturë e konsiderueshme për ato që ne i quajmë Çrregullime Psikogjene të zërit që janë probleme patologjike si rezultat i ngjarjeve psikologjike - përfshirë traumën - në mungesë të patologjisë së laringut.

Unë kam kryer disa studime paraprake vetë, ku kryesisht kam eksploruar lidhjet midis traumës së vetë-raportuar të fëmijërisë dhe dhunës. Janë ende në proces, sepse janë studime longitudinale.

*Artikulli i Minds Plain u përshtat në shqip nga Tiranapost.al. Ndalohet ribotimi pa lejen e editorit