Çështje të Personalitetit

Një hap larg kujdesit të shëndetit mendor

Post-trauma pandemike duket sikur ka ngrirë nevojën për ndihmë. Reduktimi i kufizimeve ka rikthyer shpresën e shërimit dhe iluzionin e lirisë. Bota ka ndryshuar. Dikush zgjedh të qëndrojë me trishtimin e asaj që nuk kthehet mbrapsht.

Një hap larg kujdesit të shëndetit mendor

Psikoterapia e grupit është një formë e psikoterapisë ku, me kalimin e kohës, individi mëson të dëgjojë veten prej mënyrës sesi të tjerët në grup reagojnë ndaj tij dhe asaj që evokohet gjatë seancave mes anëtarëve përfshirë dhe psikoterapisten që drejton grupin.
Me entuziazëm, që prej vitit 2015, një grup individësh të interesuar, nisi rrugën e kualifikimit në psikoterapinë grupanalitike duke bashkëpunuar me Institutin e Analizës së Grupit, Londër. Përgjatë rrugës së formimit, projektohej më ndrojtje dita e aplikimit të kësaj forme psikoterapie në Shqipëri. Mendime të tilla si "po ne jemi vend i vogël, të gjithë dalim të njohur me njëri-tjetrin në një mënyrë apo tjetër; rrezikohet konfidencialiteti", "familjet janë të vetmet grupe të besueshme të shqiptarëve; gjërat fliten vetëm aty dhe nuk duhet të dalin jashtë shtëpisë" etj, shpesh ngatërronin dilemat tona. Gjatë këtyrë 6 viteve, ekspozimi me eksperienca grupanalitike brenda dhe jashtë vendit, hapi një tjetër perspektivë mbi ndjesitë e 'turpit' dhe 'fajit' ndaj familjes, kulturës dhe historisë nga vinim.

Prej 4 vitesh, kujdesemi për grupet komunitare të cilat ofrojnë një hapësirë psikoterapeutike për të folur e kuptuar veten në realitetin e grupit, në praninë e të panjohurve. Nevoja për të folur e për t'u dëgjuar është e madhe. Pjesëmarrja është ende e brishtë, një reflektim ky, i rezistencës për ta përshfaqur brishtësinë emocionale tek të tjerët. Ata që vijnë rregullisht në grupet tona, ndihen si në 'shtëpinë e tyre', ndajnë me krenari rehatinë për të folur pa censurë. Shpeshherë, mjafton kaq, për të kuptuar nivelin e lehtësimit shpirtëror kundrejt deprivimit torturues mbartur ndër vite.
Gjatë pandemisë si dhe tronditjes fizike prej tërmeteve, pjesëmarrja në grupet komunitare ishte e lartë. Versioni online i këtyre takimeve ishte për të gjithë një eksperiencë e re, por edhe komode e shpërblyese për pjesëmarrësit, të cilët, së paku vazhduan të ishin në kontakt me grupin, kur çdo gjë tjetër ish ndërprerë. Post-trauma pandemike duket sikur ka ngrirë nevojën për ndihmë. Reduktimi i kufizimeve ka rikthyer shpresën e shërimit dhe iluzionin e lirisë. Bota ka ndryshuar. Dikush zgjedh të qëndrojë me trishtimin e asaj që nuk kthehet mbrapsht. Ndihet me mire aty tani për tani. Dikush tjetër jo, sepse forca e rizgjimit të traumave të hershme ka goditur kapacitetin për të vepruar. Nuk është aspak e thjeshtë të pranosh humbjen e rutinës së dikurshme, humbjen e kënaqësisë, humbjen e njerëzve të dashur, e mbi të gjitha humbjen e kontrollit mbi lirinë personale. Arratisja prej vetes mbetet mënyra e vetme më e thjeshtë për të shpërbërë frikën dhe dhimbjen. Grupet janë aty për të krijuar mundësi arratisjeje për veten brenda vetes nën kujdesin profesional të drejtuesve të grupit.

Hidhërimi për të shkuarën, dhe ankthi për të ardhmën i prek të gjithë njësoj, përfshirë edhe profesionistët e shëndetit mendor. Përgjegjësia për shëndetin e atyre që vuajnë çdo ditë është prioritet në çdo kohë, por vecanërisht sot, kur ekspozimi me traumat personale dhe “traumatizimin sekondar” prej historive të pacientëve është i lartë. Është koha kur shërbimet e shëndetit mendor, tani më shumë se kurrë, të kërkojnë vëmendjen e profesionistëve ndaj kujdesit personal nëpërmjet supervizimit profesional e jo vetëm. Njohja e kufizimeve të aftësisë për të mbajtur e proçesuar ngarkesën emocionale në interesin më të lartë të pacientit mbetet çështje themelore etike dhe morale.

*Dr. Anxhela GramoChair, Group Analysis Albania

*Tiranapost.al.