Intervistat e Mirës

Ukrainasja për Tiranapost: Kievi është i rrethuar! Sonte presim natën më të vështirë

Ukrainasja për Tiranapost: Kievi është i rrethuar! Sonte presim

Gazetarja Mira Kazhani ka mundur të kontaktojë një 32 vjeçare ukrainase e cila tregon se sonte Kievi është ndoshta në orën më të vështirë që prej nisjes së luftës.

32 vjeçarja që jeton mes Shqipërisë dhe Ukrainës, ka udhëtuar në Kiev pak ditë para shpërthimit të luftës për të parë familjen e saj dhe ka vendosur të qëndrojë atje. Ajo ndodhet aktualisht me nënën e saj, dhe i tregoi gazetares Kazhani se po qëndrojnë 10 metër nëntokë në pallatin që posedohet nga nëna e saj biznesmene, por ne jemi me fat. Shumica janë në metro e nëpër makina. Fëmijët po vdesin. Supermarketet janë hapur vetëm për pak gjatë ditës deri dje, por sot në Kiev mbizotërojnë alarmet dhe priten bombardime të fuqishme. Ata që qëndrojnë në Kiev komunikojnë përmes grupeve të mëdha që kanë hapur në Telegram. Në Kiev ka internet dhe linja shkon edhe nëntokë falë Starlink që u vu në dispozicion nga Elon Musk.

Ka shumë organizata në lëvizje që japin informacione se kur mund të ketë bombardime dhe se kur duhet të fshihen nëpër vende të sigurta e kur mund të dalin për të shkuar në spital apo për të blerë diçka. Bankomatet s’kanë më cash dhe banka e vetme e hapur është ajo kombëtare, nga ku 32 vjeçarja, thotë se ka një numër llogarie ku dërgohen para në mbështetje të ushtrisë dhe rezistencës ukrainase.

“Nëse situata do të jetë pak më e qetë do t’ju tregoj live”, tha ajo “çfarë ndodh. Për momentin kemi nevojë të jemi të qetë dhe të shpëtojmë kokën. Po lutemi.”

Ndërsa nëna e saj, një grua e fortë dhe optimiste tregon se ukrainasit do ja dalin dhe se një ditë do të vijë me shoqet në Vlorë, qytetin që i ka pëlqyer shumë në Shqipëri.

“Ne nuk e kemi alternativë frikën” tha ajo për gazetaren Mira Kazhani.

Rrëfim ekskluziv nga Kiev për Tiranapost.