Scriptorium

Rezistenca jonë kundër çnjerëzimit

Rezistenca jonë kundër çnjerëzimit

Elif Shafak/ Viti 2020 nuk është përcaktuar vetëm nga pandemia, rritja e nivelit të papunësisë, pabarazisë ekonomike, periudhës kritike përsa i përket ndryshimit klimatik. Por ka qenë një periudhë alarmante edhe për shkak të rritjes së numrit të krimeve në të githë botën.

Në Poloni, komuniteti LGBTQ u shëndrrua në armikun numër një. Në Hungari turmat neo-naziste organizojnë protesta për të përjashtuar komunitetin rom. Më shumë se pesëdhjetë përqind e krimeve në New York janë krime që kryhen për shkak të urrejtjes ndaj hebrenjve.

Në Gjermani, ka pësuar një shtim të rrezikshëm numri i sulmeve ndaj minoriteteve dhe refugjatëve. Në Mbretërinë e Bashkuar vihet re gjithashtu një rritje në krimet si pasojë e urrejtjes, sidomos krime seksuale me viktima njerëz që u përkasin minoriteteve ose transeksualët. Një lloj tjetër dogme e rrezikshme po zhvillohet në Turqi, Brazil dhe Indi. Të gjitha këto ngjarje kanë një emërues të përbashkët: urrejtje sistematike dhe një shpërfillje ndaj atyre që konsiderohen si njerëz ndryshe, një formë çnjerëzimi i tjetrit.

Historia ka treguar se urrejtja nuk fillon as me kampet e përqëndrimit, as me vrasje masive as me luftë civile dhe as me gjenocid. Gjithmonë urrejtja nis nga fjalët: steriotipet, klishetë, banalitetet. Lufta ndaj çnjerëzimit gjithashtu duhet të nisë nga fjalët, historitë. Nëse historia e dikujt është si një abstraksion për ne, e kemi më të lehtë të përgjithësojmë, por nëse duam të zhvillohemi duhet të ndalojmë së përgjithësuari e të fillojmë ti trajtojmë si njerëzorë dhe ata që janë çnjerëzuar prej përgjithësuesve. Për këtë na duhet arti i rrëfimit të ngjarjeve.

Të dhënat dhe informacionet janë shumë të rëndësishme por nuk janë të mjaftueshme për të thyer muret e mpirjes dhe indiferencës, për të na ndihmuar të jemi më empatikë me njerëzit që nuk i përkasin tribusë tonë. Kemi nevojë për lidhje emocionale, njësoj siç kemi nevojë për vëllazërinë e jo patriarkalizmin, kemi nevojë për historinë e jo për fanatizmin. Edhe pse larg, sa lindja me perëndimin ne lidhemi me të tjerët përmes historive tona. Letërsia mund të jetë një forcë universale bashkimi e mbi të gjitha një forcë shëruese.

Doris Lessing kishte të drejtë kur thoshte se letërsia ishte analiza pas ngjarjes. Shkrimtarët kanë nevojë për kohë që të procesojnë, të përtypin, të analizojnë. Por në botën post Covid, kur çdo gjë po ndryshon me një shpejtësi marramendëse, kur ka aq shumë lëndim, padrejtësi, dhimbje gjithandej, letërsia duhet të jetë një analizë që zhvillohet përgjatë ngjarjes. Libraritë janë mbyllur përpara syve tanë, qendrat e kulturës janë neglizhuar. Koronavirus-i ka vënë në rrëzik dhe artin e kulturën përpos rreziqeve të tjera që i njohim të gjithë. Në këtë kohë kur pabarazitë dhe paragjykimet po pësojnë një rritje të frikshme, krijimtaria ka nevojë për mbështetje nga fonde publike e private, veçanërisht në komunitetet e lëna pas dore. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes demokracisë në një shoqëri, me sa mbështetje ka industria e krijimtarisë në këtë shoqëri. Nuk është luks, por diçka aq jetësore dhe e nevojshme sa ajri që thithim.

Arti i rrëfimit të ngjarjeve është hapësira jonë e mbrame, demokratike. Ky art duhet të jetë tanimë, rezistenca jonë kundër çnjerëzimit.

*Elif Shafak është shkrimtare me origjinë turko-angleze. Ajo shkruan në turqisht dhe në anglisht, ka të botuar 11 romane që janë përkthyer në 54 gjuhë të ndryshme. Libri i saj ¨Dyzet rregullat e dashurisë¨ u përzgjodh nga BBC si një ndër 100 librat që i kanë dhënë formë botës. Ajo jep mësim në disa universitete në Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Shafak ka fituar disa çmime prestigjioze dhe është një aktiviste e dalluar.

*Shkrimi u soll në Shqip për Tirana Post nga Albana Murra.