Shënime në Blog

Fjalët mund ta ndryshojnë botën

Fjalët mund ta ndryshojnë botën

Nga David Grossman/ Ndodh që nga mesdita unë të ngre kokën nga tastiera dhe të mendoj për një a dy miq të mi shkrimtarë.

I imagjinoj të ulur në kompjuter si unë, në kërkim të një fjale apo të një tipari të pakapshëm për karakterin e një personazhi. I imagjinoj duke lëvizur gishtat, duke përgatitur kafenë e radhës. Ecin lart e poshtë nëpër dhomë sepse fraza që sapo kanë shkruar nuk u tingëllon ashtu siç duhet. I imagjinoj në shtëpinë e tyre. Pandemia ka shpërthyer, mbase tashmë u ka trokitur në derë, megjithatë ata janë plotësisht të zhytur sikur të ishin duke akorduar një instrument muzikor. Imagjinoj një lloj rrjeti të padukshëm, të hollë, por të fortë, të thurur nga mijëra shkrimtarë dhe poetë që jetojnë në çdo pjesë të botës. Disa i kanë publikuar librat e tyre, të tjerë janë në eksperiencat e para. Pjesa më e madhe e tyre as nuk është e vetëdijshme për ekzistencën e të tjerëve, por së bashku bëjnë diçka me rëndësi: korrigjojnë sado pak disonancën e përgjithshme. Krijojnë një vepër arti.

Sot ne shkrimtarët, poetët, përkthyesit, redaktorët, botuesit, agjentët por mbi të gjitha lexuesit, krahasojmë trishtueshëm rrethanat aktuale me ato të viteve të kaluara dhe pyesim veten se cila është detyra jonë në realitetin e tanishëm. A mund të japim ndonjë kontribut? Të krijojmë një lloj “antikorpi” ose një “vaksinë shpirtërore” për virusin? T’i kundërvëmë diçka domethënëse ndjenjave të kufizimit dhe asgjësimit që janë krijuar nga pandemia?

Mendoj se kjo “diçka” është aftësia jonë për të vëzhguar. Mënyra në të cilën vështrojmë botën dhe përshkruajmë atë që shohim. Vëzhgimi është boshti i artit tonë. Kjo është ajo që na bën ne shkrimtarë, e madje na personifikon si njerëz. Dhe në fakt ka shumë për të vëzhguar, si edhe për të treguar. Thuajse në të gjitha sferat e jetës janë shkaktuar dhe do të shkaktohen ndryshime. Sisteme ekonomike, politike, sociale dhe kulturore do të shkatërrohen ose të marrin fizionomi të reja. Me shumë mundësi edhe marrëdhëniet mes njerëzve, mes familjarëve, mes miqve e mes çifteve do të ndryshojnë.

Ndoshta afërsia me vdekjen do të bëjë që gratë dhe burrat, pas pandemisë, ta shohin jetën e tyre në tjetër dritë dhe të mos i duan më kompromiset. Dhe ndoshta ata do të zbulojnë se sa kuptimplotë dhe të rëndësishme janë marrëdhëniet e miqësisë dhe të dashurisë. Por deri në atë moment koronavirusi do të shumohet me inat dhe si gjithmonë, dalëngadalë me minimin e themeleve të shoqërisë dhe zvogëlimin e sigurisë personale dhe kombëtare, ne ndoshta do të shohim një rritje të episodeve të nacionalizmit, fundamentalizmit fetar, ksenofobisë, racizmit dhe shkeljeve serioze të demokracisë dhe të drejtave civile.

Dhe ne shkrimtarët do të vëzhgojmë, do të shkruajmë, do të dokumentojmë dhe do të paralajmërojmë këdo që do të përpiqet të kryejë manipulime gjuhësore dhe konjitive. Këdo që do të kërcënojë të drejtat tona civile dhe njerëzore. Një ngjarje si pandemia aktuale vjen ndoshta një herë në shekull. Fati e ka dashur që të na ndodhte ne. Është një sëmundje e tmerrshme, vdekjeprurëse e që na bën të ndihemi të pafuqishëm. Ta vëzhgosh atë dhe pasojat e saj, është si të fokusosh diellin. Por shkrimtarët gjithmonë e kanë fokusuar këtë apo atë diell dhe kanë treguar se ç’kanë parë. Është natyra e këtij lloji profesioni.

Duam të vëzhgojmë këtë epokë dhe të kujtojmë se si ishim. Në ç’mënyrë rezistuam ose nuk rezistuam. Ku ishin dobësitë tona, individuale dhe shoqërore, dhe në cilat momente zbuluam se ishim më të dobët nga sa mendonim dhe më të fortë nga ç’besonim.

Do të jemi dëshmitarë aktivë, kuriozë dhe të kujdesshëm. Të shkruash, jo domosdoshmërish për pandeminë, është edhe mënyra jonë për t’i rezistuar klisheve, sloganeve boshe dhe pretendimeve pa kriter që u hapin rrugë nxitjeve, paragjykimeve dhe racizmave. A do të arrijmë me ato që do të bëjmë të dobësojmë vrullin e koronavirusit, qoftë edhe minimalisht? Padyshim që jo. Sidoqoftë, do të na lejojë të forcojmë pak sistemin tonë imunitar. Për të kujtuar se kush ishim para pandemisë, dhe sa e bukur dhe e ndritshme mund të jetë bota pasi të dalim nga ky makth.

Përpara se ta mbyll, dua t’ju tregoj një histori siç ma ka treguar Abraham Sutzkever, një prej poetëve më të mëdhenj hebrenj, që ka jetuar në geton e Vilniusit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sutzkever më tregoi për natën kur u arratisën nga getoja. “U binda për fuqinë që qëndronte brenda poezisë në mars të vitit 1944, kur m’u desh të kaloja një fushë të minuar. Asnjë nuk e dinte se ku ishin fshehur minat. Pashë njerëz që u bënë copash. Pashë një zog budalla që ishte afruar shumë. Çfarëdo drejtimi të merrja, çdo hap që të hidhja, mund të nënkuptonte vdekjen. Por me vete përsërisja një melodi (dhe me “melodi” ai nënkuptone poezi). Dhe në ritmin e asaj poezie, eca për rreth një kilometër në fushën e minuar dhe ia dola.” Më pas, habitshëm tha: “A mund të ma kujtosh çfarë melodie ishte? Unë nuk e mbaj mend...”

Dhe mund ta imagjinoj buzëqeshjen e tij, si për të na thënë që melodia harrohet gjithmonë. Na mbetet ne ta rishpikim, me fjalët tona, në mënyrë që të mos ndihemi të pafuqishëm, të mundur, madje as në mes të një fushe të minuar. Të kemi akoma shpresë.

*David Grossman është ndër shkrimtarët më të suksesshëm izraelitë, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës Në vitin 2017 ka fituar Man Booker International Prize dhe në vitin 2018 çmimin e Izraelit në letërsi. Kjo pjesë është marrë nga fjalimi i tij në hapjen e Panairit virtual të Librit në Frankfurt, 2020. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.