Shënime në Blog

Inteligjenca kolektive, antivirusi ynë i parë

Inteligjenca kolektive, antivirusi ynë i parë

Nga Mauro Bonazzi/ Si i bëhet për të pasur sukses në jetë? Pyetja është e thjeshtë dhe e vështirë në të njëjtën kohë. Është e vështirë sepse askush nuk e di cila është formula e suksesit, gjithmonë nëse ekziston ndonjë. Por pyetja është e thjeshtë, në kuptimin që gjithkush e kupton se për çfarë bëhet fjalë.

Cilat janë cilësitë – virtytet, sipas të lashtëve - që na ndihmojnë për të krijuar rrugëtimin tonë? Kuptimi është i qartë për të gjithë. Të gjithë përveç njërit. Sepse kur Menoni e pyeti Sokratin, Sokrati u përgjigj se nuk kishte idenë më të vogël se ku e hidhte fjalën kur përmendte këto dhunti ose virtyte. Për këtë ai nuk mund të thoshte gjë.

Menoni u shtang, por as Sokrati nuk kishte ndonjë ide. Dukej se po flisnin për çështje praktike, por në të vërtetë, diskutimi rrotullohej rreth mundësisë së njohjes, gjë që na prek shumë afër. Bëhet fjalë për paradoksin e madh të dijes: nëse as unë dhe as të tjerët nuk dimë se çfarë kërkojmë, si mund ta kërkojmë?

Mund të duket paradoksale sa më s’ka, por ky citim është më shumë aktual nga ç’mendojmë. Më 30 janar të vitit 2003, një tregtar u shtrua në spitalin e Kantonit. Kishte të vjella dhe probleme me frymëmarrjen. Në ato ditë, sa njerëz ishin prokur nga gripi apo nga problemet e tretjes në Kinë, në Europë apo në Amerikë? Sigurisht nuk ndihmonte shumë fakti të dije se pak ditë më vonë një zonjë në Toronto u ndje keq, dhe disa ditë të tjera më pas po ashtu një tjetër zonjë në Singapor. Shumë prej atyre që kishin qenë në kontakt me këta njerëz, shpejt shfaqën simptoma të ngjashme. Problemi ishte serioz. Por, si Menoni dhe Sokrati, të gjithë po ecnin në errësirë duke mos ditur ç’të kërkonin.

Sot e dimë se bëhej fjalë për rastet e para të një infeksioni të shkaktuar nga një virus deri më atëherë thuajse i panjohur, Sars Coronavirus. Dhe e dimë këtë gjë sepse disa virologë dhe biologë bënë atë që Sokrati i kishte shpjeguar Menonit: u bashkuan për të kërkuar, duke u përpjekur të hidhnin dritë mbi atë mister – duke gabuar, rrezikuar, hipotezë pas hipoteze, deri në gjetjen e rrugës së duhur në mes të shumë rrugicave qorre.

Tashmë që gjërat po bëhen më të qarta, duhet imagjinuar ajo situatë fillestare kur kishim të bënim me një fenomen të pakuptueshëm dhe të rrezikshëm. Vetëm ndërlidhja e atyre tre personave ishte e paimagjinueshme në fillim. Si mund të gjendet një gjilpërë në kashtë, kur as nuk e dimë se ka një gjilpërë? Gjithsesi, pikërisht kjo gjë u bë. Sot jemi këtu, me një vaksinë të prodhuar në kohë rekord kundër një varianti të ri të virusit.

Sa herë gjatë muajve të fundit na është kujtuar brishtësia jonë? Është e vërtetë, ne jemi shumë më pak të fuqishëm nga ç’besojmë dhe është mirë të mos e harrojmë këtë, duke lënë mënjanë iluzionet tona të dominimit.

Por së bashku ne gjithashtu duhet të kujtojmë, dhe të festojmë, për fuqinë e inteligjencës sonë kolektive, që synon të arrijë një kuptim gjithnjë e më të thellë të realitetit që na rrethon. Quhet shkencë.

Ka shumë gjëra që akoma nuk i dimë për këtë virus. Por ndërkohë kemi kuptuar se çfarë të kërkojmë dhe të fillojmë të mbrohemi. Edhe ky - sa e rëndësishme është dija! - është një mësim për të cilin i detyrohemi virusit.

Siç mësonte Sokrati ("virtyti është dije" është teza e tij më e vërtetë: pa dije nuk mund të shkosh askund), me gjithë respektin për Menonin dhe të ngjashmit e tij sot.

*Mauro Bonazzi është studiues i filozofisë dhe letërsisë, profesor në shumë universitete europiane si “Université Michel de Montaigne”, “Catholic University Leuven”, “Università degli Studi di Milano” apo “Università del Piemonte Orientale”. Ai është gjithashtu edhe kontributor në media të ndryshme italiane, si “Corriere della Sera” dhe “Sette”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.