Shënime në Blog

Joe, njeriu me zemër që nuk të zhgënjen asnjëherë

Kujt t’ia besoja rolin e zëvendëspresidentit? E kisha reduktuar përzgjedhjen në vetëm dy alternativa: guvernatorin e Virginias Tim Kaine dhe senatorin e Delaware Joe Biden.

Joe, njeriu me zemër që nuk të zhgënjen asnjëherë

Nga Barack Obama/ Në atë kohë, isha shumë më pranë Timit, që ishte i pari funksionar i zgjedhur me njëfarë rëndësie jashtë Illiniosit që më siguroi mbështetjen e tij gjatë rrugëtimit drejt presidencës, duke punuar pa lodhje për fushatën. U bëmë menjëherë miq: ishim pak a shumë moshatarë, me të njëjtat rrënjë në Midwest, me të njëjtin temperament dhe madje me CV të ngjashme (nga student në Law School në Harvard, Timi kishte punuar në një mision në Honduras dhe përpara se të merrej me politikë kishte qenë avokat në fushën e të drejtave civile).

Sa i përket Joe-s, nuk mund të ishim më të ndryshëm nga njëri-tjetri, të paktën në letër. Ishte nëntëmbëdhjetë vjet më i madh se unë dhe nëse në Washington unë isha një i huaj, ai kishte kaluar tridhjetë e pesë vite në Senat, duke mbuluar edhe detyrën e Presidentit të Komisionit Gjyqësor dhe të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Teksa formimi im rinor ishte shëtitës, ai kishte rrënjë të qëndrueshme në komunitetet e Srantonit, të Pensilvanisë dhe ishte krenar për origjinën nga klasa punëtore irlandeze (vetëm në vazhdim, pasi u zgjodhëm, zbuluam se paraardhësit tanë irlandezë, të dy këpucarë, u nisën për në Amerikë me një distancë kohore vetëm pesë javë nga njëri-tjetri).

Nëse unë jepja përshtypjen e një temperamenti të ftohtë dhe vetëkontrollues, edhe për mënyrën se si i masja fjalët, Joe ishte gjithë nxehtësi njerëzore, një njeri pa frenime, gjithmonë i lumtur për të shprehur gjithçka që i kalonte nëpër mend. Ishte një tipar që tërhiqte simpati, sepse mund të shihje se sa shumë i pëlqente të ishte pranë njerëzve.

Kuptohej nga mënyra si ndërvepronte me të tjerët, me atë fytyrën e tij gjithmonë të ndriçuar nga një buzëqeshje verbuese teksa i kërkonte ndonjërit se nga vinte dhe pastaj për t’i thënë se sa e donte atë vend (“Kam ngrënë calzonen më të mirë në jetën time” ose që duhej patjetër ta njihte filanin (“Një njeri absolutisht fantastik, tamam si një bukë e mire”), apo bashkëshortja (“Lëri këto! Nuk mund të jetë më shumë se dyzetë vjeç”), përpara se të kalonte te tjetri në rreshtin pasardhës dhe më pas te tjetri, derisa të kishte prekur çdo shpirt të gjallë në dhomë me një breshëri shtrëngimesh duarsh, përqafimesh, puthjesh, rrahje shpatullash, lavdërimesh dhe batutash.

Entuziasmi i Joe përfaqësonte edhe disa anë negative. Në një qytet plot me njerëz që donin të dëgjonin njëri-tjetrin duke folur, ai nuk do të kishte rivalë. Nëse kohëzgjatja e parashikuar e një fjalimi ishte pesëmbëdhjetë minuta, Joe vazhdonte për të paktën dyfishin e kohës. Nëse parashikimi ishte gjysmë ore, atëherë nuk kishte ndonjë mundësi për të ditur se sa do të fliste.

Monologjet e tij gjatë dëgjesave në Komision ishin legjendare. Mungesa absolute e filtrave e fuste rregullisht në telashe, si një herë gjatë primarieve, kur më quajti “një djalë të pashëm, të pastër dhe me një elokuencë brilante”, frazë që pa dyshim duhej të ishte një kompliment, por që sigurisht disa e interpretuan si një insinuatë e mbushur me tipare të tilla veçanërisht të denja për një njeri me ngjyrë.

Ama duke e njohur nga afër, zbulova se gafat e tij rastësore ishin pakogjë në krahasim me pikat e tij të forta. Mbi çështjet e brendshme ishte i zgjuar, konkret dhe i përgatitur. Në politikën e jashtme pastaj mund të mburrej me një eksperiencë të gjerë dhe të thellë. Gjatë rrugëtimit të tij të shkurtër në primarie, më bëri përshtypje për aftësinë dhe disiplinën me të cilën i përballonte debatet dhe për natyrshmërinë e treguar në skenën kombëtare.

Por më shumë se çdo gjë, Joe kishte zemër. Si fëmijë kishte tejkaluar një problem të bezdisshëm me belbëzimin (rrethanë që, me shumë mundësi, shpjegonte lidhjen e tij energjike me fjalët) dhe në moshë të rritur dy aneurizma cerebrale. Në politikë, kishte njohur suksese të shpejta dhe kishte pësuar humbje të sikletshme. Dhe më pas, përpos gjithë këtyre, i kish bërë ballë peshës së një tragjedie të paimagjinueshme: në vitin 1972, vetëm pak javë pas zgjedhjes së tij në Senat, Joe humbi gruan dhe vajzën pak muajshe në një aksident rrugor ku mbetën të plagosur edhe dy djemtë e mëdhenj, Beau dhe Hunter.

Të nesërmen e kësaj humbjeje të madhe, kolegëve dhe vëllezërve iu desh ta bindnin të hiqte dorë nga mendimi për të braktisur Senatin, por e kishte organizuar axhendën e tij në mënyrë që të kryente një orë e gjysmë udhëtim me tren çdo ditë midis Delaware dhe Washington për t’u kujdesur për djemtë e tij, një zakon që do të vazhdonte për tre dekadat e ardhshme.

Nëse mundi t’i mbijetonte një dhimbjeje të tillë, gjithsesi merita ishte e gruas së dytë, Jill, një mësuese e adhurueshme dhe diskrete që e kishte njohur tre vite pas aksidentit dhe që atëherë i rriti djemtë e tij sikur të ishin të sajët. Sa herë shihje familjen Biden së bashku, binte në sy se sa familja e mbështeste Joe-n dhe se sa krenar ishte ky i fundit për Beau, në atë kohë prokuror i përgjithshëm i Delaëare dhe yll në ngritje i politikës shtetërore, për Hunter, avokat në Washington, për Ashley, asistente sociale në Wilmington dhe për nipërit e tij të mrekullueshëm.

Familja e kishte mbështetur, sigurisht, por një rol po aq të rëndësishëm kishte luajtur edhe bollëku i karakterit të tij. Nëse tragjeditë dhe pengesat e kishin lënduar, do të mësoja se nuk e kishin bërë aspak të hidhur apo cinik.

Mbi bazën e këtyre ndjenjave i kërkova që të kalonte procesin fillestar të vlerësimit dhe të takoheshim teksa bëja fushatë në Minnesota. Në fillim, bëri qëndresë: si pjesa më e madhe e senatorëve, Joe kishte një ego të pakufishme dhe nuk toleronte idenë për një rol dytësor. Kur u takuam më filloi duke shpjeguar se një rol si zëvendëspresident mund të ishte një hap pas për të (së bashku me shpjegimin e arsyes, që përpos çdo gjëje, nuk mund të bëja zgjedhje më të mirë). Unë e sigurova se nuk po kërkoja një dublant, por një partner të vërtetë.

“Nëse më zgjedh mua”, tha Joe, “dua të kem mundësinë për të të dhënë këshilla dhe vlerësime tërësisht të vërteta. Ti do të jesh presidenti dhe unë gjithsesi do të të mbroj, çfarëdolloj gjëje të vendosësh. Por dua që ai i imi të jetë mendimi i fundit që kërkon përpara se të marrësh një vendim të rëndësishëm.” Iu përgjigja se ishte një angazhim që mund ta merrja përsipër.

Joe mbante në supe edhe rreziqe. E merrja me mend se mungesa e vetëkontrollit përballë mikrofonëve mund t’i hapte udhë polemikave të cilave nuk ua kishim nevojën. Ai i përkiste modës së vjetër, i pëlqente shumë vëmendja dhe nuk ishte gjithnjë i vetëdijshëm për veten.

Kisha përshtypjen se mund të irritohej nëse do të bindej se nuk po merrte aq sa i takonte: një veçori që mund të kishte pasoja shpërthyese pikërisht në kontaktet e përditshme me një drejtues më të ri në moshë se ai.

Por gjithsesi e pashë jashtëzakonisht efikas kontrastin mes nesh. E vlerësoja faktin se Joe do të ishte plotësisht gati në kostumin e presidentit, nëse mua do të më ndodhte ndonjë gjë, dhe se në çdo rast ai mund t’i siguronte ata që kishin frikë se unë isha shumë i ri.

Gjithashtu i kushtoja një rëndësi të madhe përvojës së tij në politikën e jashtme (veçanërisht në një kohë kur ishim të përfshirë në dy luftëra të ndryshme), marrëdhëniet dypartiake që ai kishte në Kongres dhe potencialin e tij për të bërë për vete ata votues që ende hezitonin për të votuar një kandidat afroamerikan.

Megjithatë, më e rëndësishmja ishte ajo që më kishte thënë instikti: pra që Joe ishte një njeri i mirë, i ndershëm dhe besnik. Isha i bindur se ai kujdesej për njerëzit e zakonshëm dhe se në kohë vështirësish mund të mbështetesha tek ai.

Nuk do të më zhgënjente.

*Pjesë nga libri “Tokë e premtuar”, vëllimi i parë i kujtimeve i presidentit Barack Obama gjatë dy mandateve të tij në Shtëpinë e Bardhë, i cili do të botohet në shqip nga “Botimet Dudaj” në fillim të pranverës. Pasazhe të librit janë botuar në gazetën italiane “La Repubblica”. Kjo pjesë është përkthyer në shqip nga Erjon Uka.