Shënime në Blog

Kultura nuk është zbukurim për kohë të mira, por mënyrë jetese

Kultura nuk është zbukurim për kohë të mira, por

Një histori ndryshe e librit, treguar nga një filozofe spanjolle që tetë vitet e fundit i ka kaluar në përpjekjen për të rizgjuar zëra nga e shkuara, për të përshkruar shtigje, për të vjedhur fragmente burimesh, në kërkim të historive alternative. Irene Vallejo është autorja e librit më të lexuar nga spanjollët gjatë karantinës së madhe të vitit të shkuar, e cila zbulon historinë e librit në mijëra vjet dhe e rrëfen atë me një stil krejt autentik.

Nuk është vetëm një roman, por nuk është as thjesht një ese. Brenda saj jeni ju me kujtimet tuaja, udhëtimet në arkiva dhe biblioteka. Ndarja në gjini letrare, që prej kohëve të Bibliotekës së Aleksandrisë, na ka lejuar t’i rigjejmë librat. Sot që gjinitë janë gjithmonë e më shumë hibride dhe siç shumë thonë, edhe të tejkaluara, si do ta përkufizonit “Papirus”?
Një ese aventure. Sigurisht jo një tekst akademik, edhe pse prapa këtij libri qëndrojnë vite kërkimesh dhe studimesh. Një ese letrare. Kam shkruar më parë disa romane dhe libra për fëmijë, por me “Papirus” doja të futesha në territorin e retorikës, një botë ku këto dallime mes gjinive letrare nuk kanë kuptim. Në thelb është gjithashtu një rikthim në eseistikë, siç e mendonte edhe Montaigne: ai shkroi dialogë me Senekën, Epikurin, Platonin apo me Ciceronin, duke ndërvepruar me kohën dhe duke folur për përvojat e tij. Kisha parasysh atë lloj lirie, atë butësi, ndjenjën e largimit: është më e rëndësishme se rendi, kronologjia, dallimi në gjini.

Ama akademinë e njihni mirë. Keni kryer një doktoraturë duke u marrë me kanunin letrar greko-latin...
Falë një burse studimi kam kaluar gati një vit në Firence për kërkimet e mia. Pa atë periudhë, ky libër për të cilin po flasim s’do të kishte ekzistuar. Në “Biblioteca Riccardiana” munda të përkëdhel për herë të parë një dorëshkrim të Petrarkës. Në atë moment ndjeva se sa përkushtim, sa kohë, sa durim kishte investuar dikush në atë vëllim. Doja të shkruaja për të. Përmes një libri “mikpritës”, jo për specialistë.

Sigurisht që turmat e njerëzve dhe gjestet e tyre, emrat e të cilëve nuk do t'i dimë kurrë, është një nga aspektet që të prekin më shumë. Të jep përshtypjen e një aventure të madhe të njerëzimit.
Historia e librave është një epope, e cila vazhdon edhe sot përmes librashitësve, bibliotekarëve, mësuesve. Ky zinxhir i shpëtimit të dijes i ka mbijetuar kolapsit të perandorive, luftërave, epidemive. Libri im është një homazh për njerëzit që nuk vepruan nga kotësia, si shumë klientë, por nga e pastra dashuri. Këtë kam dashur të tregoj. Me dy fantazma miqësore krah meje: Italo Calvino dhe Umberto Eco. Përpos shumë zërave të tjerë me të cilët jam formuar, që nga Roberto Calasso te Luciano Canfora.

Kënaqësia e leximit: libri juaj e pretendon atë përmes klasikëve. Shkrimtari Amin Maalouf në librin e tij të fundit shpreh të njëjtën ide përmes një metaforë të fuqishme: një popull i pasardhësve të Empedokliut, që na vjen në ndihmë.
Sa herë ndodhin katastrofa ose që jemi të dërrmuar nga ankthi, klasikët na përcjellin sigurinë dhe shpresën e njerëzimit që ka arritur të ecë përpara edhe në situatat më të këqija.

Megjithatë edhe klasikët janë goditur nga stuhia e kulturës së anulimit. Bëhet një riinterpretim që sfidon maskilizmin e tyre të tanishëm, dhunën e tanishme, vlerat e tanishme diskriminuese.
Mendoj se nuk duhet t'i ngjisim klasikët në piedestal. Por ama unë shoh një rrezik të madh në përpjekjen për të fshirë pasazhe dhe ide që bien në kundërshtim me ndjeshmërinë e sotme: më duket se është e njëjta gjë si mohimi. Ne duhet ta njohim historinë dhe të përpiqemi ta kuptojmë atë. Të dimë se si u formuan dhe se si u justifikuan disa ide, në mënyrë që të kemi mjetet për ta parandaluar përsëritjen. Unë nuk dua gjithçka që është klasike vetëm për faktin se vjen nga bota antike: me disa kam një marrëdhënie konfliktuale, si për shembull me Platonin. E rëndësishme është pasja e një vështrimi kritik. Nëse e bëjmë drejt së shkuarës, do ta bëjmë edhe drejt së ardhmes.

Kush jua ka ushqyer dashurinë për librat?
Prindërit e mi lexonin shumë, unë pata fatin të rritesha në një shtëpi plot me libra. Kam një kujtesë shumë të fortë për historitë e tyre: në mbrëmje ata krijonin një atmosferë magjike, intime, të huaj për jetën reale. Kjo është edhe arsyeja pse oraliteti zë një vend kaq qendror në "Papirus".

Kultura nuk është zbukurim për kohë të mira, por
Libri "Papirus", botimi në shqip.

Ese të ndryshme po tregojnë historinë e librit dhe të letërsisë. E kam fjalën për “Letër” të Mark Kurlansky dhe “Të lexosh” të Mark Seidenberg. Por theksi që i jepni gojëtarisë është në fakt një nga tiparet tuaja dalluese.
Mund të duket paradoks, por jam përpjekur ta tregoj historinë e librit siç do ta kishte bërë një poet gojor, përpara ekzistencës së vetë librave. Për ta realizuar kam kontaktuar tregimtarët, jam përpjekur të kuptoj teknikat e tyre, kam studiuar karakteristikat e komunikimit gojor. Më pas, si Shahrazadeja, ndërthura historitë, duke u përpjekur të zgjoj te lexuesi dëshirën për të ecur përpara.

Libri është plot anekdota dhe kuriozitete. Rezulton se Kleopatra ishte një lexuese e mrekullueshme. Dhe se Antoni i sjell asaj dyqind mijë libra si dhuratë. Cili është roli që luajnë gratë në këtë aventurë?
Thelbësor. Edhe pse me përjashtim të Safos, peizazhi intelektual ka qenë gjithmonë mashkullor. Pyesja veten nëse ishte realitet apo klishe. Jam konsultuar me burime për ta zbuluar. Gratë sigurisht nuk janë protagoniste sipas tyre, por herë pas here del një referencë, një emër, një fragment: Kjo do të thotë se gratë ishin gjithmonë prezente.

Dhe çfarë zbuluat nga këto gjetje?
Për shembull një grua mesopotame, Enheduana, ka qenë e para që shkroi vargje në historinë e njerëzimit. Isha e tronditur, sepse askush nuk ma kishte thënë më parë këtë. Në gjimnaz jo e jo, por as në kurse specializimi. Nëse një gruaje kaq të rëndësishme nuk i përmendet as emri, sa të tjera harrohen? U përpoqa të bëj një listë, që vajzat e sotme ta dinë qartë se vullneti për të shkruar, për ta kuptuar botën, për ta çuar mendimin në një tjetër nivel, na ka parë gjithmonë si protagoniste.

Korina, Telesila, Mirtida, Prasila, Eumetida, Beo, Erina ... Lista çuditërisht është vërtet e gjatë. Dhe kush ishte Enheduanna?
Një personazh i bukur, poete dhe priftëreshë. Ne flasim gjithmonë për Homerin, pa ditur shumë për të. Nga ana tjetër, ne dimë shumë për Enheduanan, ajo shkroi himne që ende jehojnë në Psalmet e Biblës. Ka folur për krijimin si një akt erotik, duke thënë se ishte “shtatzënë” me fjalë.

Kultura nuk është zbukurim për kohë të mira, por
Irene Vallejo

Një figurë e paharrueshme, pasi kam lexuar “Papirus” është Aspasia, gruaja e Perikliut.
Sipas Platonit, ka qenë ajo që i ka shkruar diskutimet politike të të shoqit. Fjalimet politike të Perikliut kanë pasur një ndikim të madh, nga Kenedi te Obama ato citohen vazhdimisht. Dhe a nuk është e jashtëzakonshme që këto kanë qenë fjalët e një gruaje, e cila ishte mësuese në atë kohë të artë? Gratë nuk janë një shënim në fund të historisë të burrave.

Aspasia ishte e huaj. Historia që po tregojmë është globale, ushqyer nga ndikimet e popujve të ndryshëm.
“Papirus” është edhe një homazh për përkthimin, që e konsiderojmë si diçka të zakonshme, por dikur, dikush e konceptoi për herë të parë. Në Aleksandri, aty ku Aleksandri i Madh ndërtoi ëndrrën për një bibliotekë universale nisi edhe një revolucion: për herë të parë dikush kuptoi se nuk mjaftonte të lexoje ç’ishte shkruar në gjuhën amë, por se ishte bukur të dije edhe se çfarë kishin zbuluar e ç’mendonin të tjerët. Të paktën në një kuptim simbolik, kufijtë ranë. Ëndrra e bibliotekës ishte demokratike: ishte për të gjithë, jo vetëm elita kishte të drejtë të hynte në të. Kur dikush mendon për trashëgiminë e Perandorisë Romake, bibliotekat zakonisht nuk përmenden, por ishin romakët që i zgjeruan ato. Marco Valerio Marziale, i lindur në një fshat të vogël pranë qytetit tim, mund të mbështetej te një bibliotekë, ku mësoi latinishten, e cila i mundësoi të shkonte në Romë dhe të bëhej shkrimtar. Midis popujve të Perandorisë Romake nuk kishte shumë elementë të përbashkët, por të gjithë në Anglinë, Spanjën apo Gjermaninë e sotme, kishin mundësi të shkonin në teatër, të ndiqnin shkollat ​​dhe bibliotekat ku flitej e shkruhej latinishtja. Është trashëgimia jonë, e qytetarëve europianë. Biblioteka e Aleksandrisë u dogj shumë herë, por një gjë e goditi përfundimisht: fakti që pushteti, në një moment të caktuar, e la pas dore. Kjo vlen edhe sot. Shpesh mendohet se kultura është thjesht një zbukurim për kohët kur ekonomia është në ditë të mira: nuk është kështu. Leximi na ndihmon të mbijetojmë. Edhe në kampet e përqendrimit, tregimi i historive ishte një strategji e mirëfilltë kundër dehumanizimit.

Në gjithë këtë histori, papirusi çfarë roli ka?
Papirusi është revolucioni më i madh teknologjik. Alfabeti, i përbërë nga mbi njëzetë simbole, na lejon të shkruajmë në pafundësi. Por fjalët janë shumë të brishta, copëza ajri që dridhen. Prandaj njeriu kërkoi sipërfaqen e duhur për t’i ruajtur: fillimisht guri, që duronte por nuk transportohej. Pastaj argjila, që ishte shumë delikate. Më vonë papirusi, zemra e një bime ujore, që është jeta. Fjalët strehoheshin aty. Pastaj u zbulua pergamena: edhe të shkruarit në lëkurë është një metaforë e bukur. Më pas erdhi letra, e cila është gjithashtu një kujtesë vegjetale. Dhe së fundi drita, me të cilën shkruajmë sot në ekrane. Toka, bimët, guri, drita: e gjithë natyra e përfshirë në kërkimin e materialit më të përshtatshëm. Sot, pa menduar shumë, i mbajmë në dorë librat. Por njerëzimi i tërë ka luftuar e ka bërë përpjekje të paimagjinueshme në mënyrë që këto objekte të vazhdojnë të na mahnitin.

*Irene Vallejo është shkrimtare dhe filozofe spanjolle. Në vitin 2020 u nderua me “Premio Nacional de Ensayo” për librin “Papirus”. Kjo intervistë për Sabina Minardi u përkthye në shqip nga Erjon Uka.