Shënime në Blog

Nga pandemia do të na shpëtojë vetëm qeverisja e mirë

Nga pandemia do të na shpëtojë vetëm qeverisja e mirë

Nga Ian McEwan/ Nëse do të arrihet që të gjurmohen dhe të izolohen variantet e reja dhe njerëzit do të përballojnë me durim mbylljet, nëse do të lihet mënjanë nacionalizmi i vaksinave dhe kombet më të varfra imunizohen me një ritëm shumë më të shpejtë, mbase mund të hyjmë në aktin final të tragjedisë Covid 19.

Ka shumë “nëse”. Virusi nuk do të duhej të përhapej në mënyrë kaq efikase, por edhe nëse të gjithë do të bënim gjënë e duhur nuk është e thënë se do të mjaftonte për të dalë nga pandemia. Sidoqoftë, kjo plagë duhet të marrë fund, nëse jo këtë vit, vitin tjetër. Kur kjo të ndodhë, ne do ta shohim veten në një botë të re përtej reflektimit tonë mbi sukseset dhe dështimet në qëndrueshmërinë personale, të etur për të qenë me familjen, me miqtë dhe atë që John Milton e festoi në vitin 1631 kur shkroi: “Qytetet më pas do të gëzohen në gumëzhitjen e mundimshme të njerëzimit”.

Ajo botë e re është e ardhmja jonë, kur kulturat e panumërta të Tokës do të rifillojnë gumëzhitjen e tyre. Bare, teatro, koncerte rock ose simfonike, darka me miq: zhurma e mundimshme e grave dhe burrave do të jetë në të njëjtën kohë e re dhe e njohur dhe ne do ta përjetojmë me emocione. Por ne do të kemi ndryshuar. Se si saktësisht dhe çfarë zgjedhjesh do të duhet të bëjmë mbetet detyrë e imagjinatës ku takohen shpresat me parashikimet. Kam marrë dy mësime.

E para, ndryshimet klimatike. Në vetëm një vit kemi qenë dëshmitarë të shfaqjes së tragjedisë tridhjetë vjeçare të ankthit të klimës. Nuk na befasoi. Disa herë ishte parashikuar një pandemi virale. Disa prej qeverive pa ndonjë dëshirë të dukshme kishin marrë masa, shumica jo. Kjo perspektivë shqetësonte disa shkencëtarë dhe aktivistë. Shumë prej nesh hiqeshin sikur nuk shihnin. Një pandemi në kohët moderne dukej shumë alarmuese, i ngjante një filmi katastrofik. Konsiderohej e njëjtë me shpërthimet e mëdha të meteorëve ose me përmbysjet e papritura të poleve magnetike. Teorikisht ishte e mundur, por nuk ia vlente të shpenzoheshin miliarda të çmuara për të. Jeta duhet të vazhdojë.

Tani jemi brenda atij filmi dhe kjo nënkupton edhe një kufizim të përditshëm, një mërzi, e mbi të gjitha një tragjedi për jetën tonë. Covid është mësimi ynë masiv, prova gjenerale për dëmet personale dhe fatkeqësitë që mund të shkaktojë emergjenca klimatike.

Morëm paralajmërimin për një shkatërrim planetar, por ishte vetëm reklama e filmit të vërtetë që pritet të shfaqet. Shtetet u detyruan të mendonin globalisht (dhe e kanë bërë keq, deri tani), për të bërë përpjekje shkencore dhe për të shpenzuar shuma të mëdha parash. Tani duhet të ribëjmë gjithçka nga fillimi, në një hark kohor shumë më të shkurtër. Zgjedhjet tona janë të kufizuara. Mund të ndërhyjmë në ato pak vite që na mbesin për të mbajtur temperaturën brenda disa limiteve. Mund të ndërmarrim projekte masive infrastrukturore me shpresën e zbutjes së efekteve më të këqija. Përndryshe, do të jemi të dënuar të jetojmë përgjithmonë në një karantinë klimatike, duke kujtuar me trishtim se si ishte jeta dikur - dhe kjo në rastin më të mirë. Shumë njerëz që tani janë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Shumë prej nesh do të vdesin.

Mësimi i dytë, qeveria. Kur Ronald Reagan tha se qeveria nuk ishte zgjidhja por problemi, ndoshta kishte në mendje inflacionin. Por fjalët e tij u transformuan përgjatë dy gjeneratave në një aksiomë të së djathtës politike: tregu mundet, qeveria jo. Përdoret sa herë që administratat duan të çmontojnë modelin e tyre social. Në pandemi, kjo aksiomë u duk si një strukturë llamarinë e përplasur nga një uragan. Në Shtetet e Bashkuara, atdheu i armiqësisë patriotike ndaj qeverisë, mungesa e një përgjigjeje të shpejtë dhe vendimtare ndaj sëmundjeve nga ana e administratës Trump kushtoi dhjetëra mijëra jetë.

Në versionin britanik, administrata Johnson u përfshi instiktivisht në tregti dhe shpenzoi miliarda, shumë prej tyre në mënyrë të panevojshme, duke e lënë veten të binte pre e klientelizmit. Por ngadalë, pas shumë kërkimesh, u zbulua se në qeverisjen lokale ekzistonin rrjeta të konsoliduara me kosto të ulët.

Pandemia shërben si një pasqyrë ku bashkohen këto dy mësime. Shohim qartë pabarazitë tona, raciale, sociale, paaftësinë për të bashkëndarë mundësitë, dhe këto janë probleme me të cilat duhet të përballen qeveritë.

Këtij reflektimi i bashkohen imazhe të përmbytjeve, thatësirave dhe zjarreve në pyje. Tregjet kanë nevojë për rregulla themelore për të ulur ndikimin në mjedis pa frikën se konkurrentët nuk do të përshtaten me to.

Këto rregulla mund të vendosen vetëm nga qeveritë, në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Shpresa e madhe është që testi në të cilin na nënshtroi virusi na ka bërë më të përgatitur për dy pretendime të thjeshta: fatkeqësitë globale mund të ndodhin, por nuk mund të ketë zgjidhje pa qeverisje të mirë.

*Artikull i Ian McEwan në “Wall Street Journal”. Ian McEwan është ndër shkrimtarët më të lexuar anglezë, fitues i çmimit “Man Booker Prize” dhe një prej 100 personaliteteve britanike me më shumë ndikim. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.