Shënime në Blog

Pandemia i zbuloi, nuk i krijoi, vetmitë tona

Pandemia i zbuloi, nuk i krijoi, vetmitë tona

Nga Susanna Tamaro/ Prej një muaji bie shi dhe vazhdoj të jem e mbyllur. Aktivitetet që nisëm të bënim në fillim, të lumtur për kohën e lirë që na erdhi papritur, si për shembull rregullimi i dollapëve apo sistemimi i bibliotekës, mbaruan ashtu siç avulluan ethet për serialet televizivë që në muajt e parë të pandemisë u shndërruan në një lloj bote paralele ku mund të jetonim.

Dimri ka ardhur dhe për ata që si unë jetojnë në fshat, nuk ka më as mundësi për t’u marrë me kopshtin, ndaj gjatë periudhës së Krishtlindjes nxorra lojërat e bukura të tavolinës: shangai, domino, letra. Të qëndruarit e zhytur në karrige para një ekrani të shndritshëm në fund bëhet e mërzitshme sepse ne jemi qenie sociale dhe në një moment të caktuar kemi nevojë për t’u takuar, për të qeshur, për t’u përqafuar, për të folur dhe madje të befasohemi nga diçka që nuk e prisnim: letra e duhur në momentin e duhur, ajo që na lejon të fitojmë lojën kur gjithçka duket e humbur.

Përveç lojërave, nisa të merrem me ato që quhen "punë grash" siç bëjnë shumë nga mikeshat e mia: duke kaluar kohë për të ndërtuar diçka në vend të shpërdorimit në kotësinë e konsumit. Kështu që fillova një qëndisje për ta varur në derën e studios sime: Beata solitudo, sola beatitudo. Vetmia ka qenë gjithmonë figura mbizotëruese e jetës time: nuk mërzitem kurrë vetëm dhe kam nevojë për vetminë për të hyrë në botë, përndryshe gjithçka më bëhet e vështirë për t’u arritur, por kjo kurrë nuk më ka penguar të kem marrëdhënie dhe miqësi të thella.

Situata e pandodhur më parë prej virusit na bëri që papritur të reflektojmë mbi këtë kushtëzim. Pamundësia për t’u parë e për t’u takuar i ka bërë shumë njerëz të ndihen dëshpërimisht vetëm. Por është vërtetë kështu, apo virusi ishte vetëm një provë lakmuesi që nxori në pah izolimin e thellë në të cilin na ka zhytur shoqëria virtuale?

Më ka ndodhur më shumë se një herë në këto vite të gjendem në një autobus ku më është dashur të pyes mbi stacionin e radhës, por nuk kam marrë përgjigje nga asnjë prej pasagjerëve pasi ishin diku tjetër, ashtu siç më ndodh shpesh kur eci në shtigjet e fshatit: pjesa më e madhe e njerëzve që takoj dhe përshëndes nuk më përgjigjen, të zhytur në një botë tjetër, falë kufjeve të kudogjendura në veshë.

Të jetosh në një vend tjetër imagjinar në vend se në vendin aktual do të thotë të jetosh në një realitet të falsifikuar, një realitet që na bën të kalojmë kohë, na gënjen me iluzionin se na pasuron, por na bën gjithmonë e më të varfër sepse vetmia e vërtetë, ajo që ka aftësinë për të gërryer jetët, është ajo ekzistenciale që na bën të ndihemi të huaj me vetveten. Vetmia ka qenë gjithmonë një dimension me të cilën njeriut i është dashur të bëjë mirë llogaritë.

Përpara botës së kudogjendur të argëtimit, shpesh herë ndiheshin vetëm. Ishim vetëm fëmijë, vetëm në ankthet e adoleshencës, vetëm në punë, vetëm në pleqëri, e pikërisht ishin këto hapësira boshllëku që i lejonin njerëzve të përpunonin reflektimin e tyre mbi ekzistencën. Nëse nuk e di kush jam, nëse nuk kam përpunuar një vizion timin personal mbi botën, si mund të jem në gjendje të përballem në një marrëdhënie me tjetrin?

Teknologjitë aktuale na lejojnë të kemi mijëra miq gjithmonë të ndërlidhur, por në rastet dërrmuese nuk njohim as fqinjin tonë pranë shtëpisë. Jo vetëm që nuk e dimë se kush është, por shpesh druhemi edhe ta takojmë sepse një realitet i formuar nga mungesa e klikimit, na tremb.

Kemi frikë nga ndërhyrja, e papritura, kemi frikë nga përfshirja në diçka që do të na heqë lirinë dhe do të minojë shenjtërinë e privatësisë sonë. Me pak fjalë, ne nuk e pranojmë më kompleksitetin e rrezikshëm të njeriut dhe ky refuzim, për një kohë shumë të shkurtër, na ka shtyrë në kaosin e zhurmshëm të argëtimit të detyrueshëm, që nuk është asgjë tjetër veçse më i shkreti i shkretëtirave.

“Jo gjithnjë e keqja vjen për keq”, thuhet nga lashtësia dhe thëniet janë gjithmonë rezultat i një mençurie të shtresëzuar me kalimin e kohës. Teknologjitë e mrekullueshme që zotërojmë treguan potencialin e tyre në një moment emergjence, por duke bërë këtë, vunë në dukje edhe lakuriqësinë e madhe të realitetit që është pjesë e natyrës sonë. Jemi “kafshë sociale” por rrjetet sociale nuk na mjaftojnë. Kemi nevojë për të hyrë në lojë, të përballojmë sfidat, të ndërtojmë kohën në vend se sa konsumojmë atë. Dhe ndërtimi kalon vetëm përmes përballjes së papritur me tjetrin.

*Susanna Tamaro është shkrimtare italiane. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.