Shënime në Blog

Privilegji i plakjes

Privilegji i plakjes

Pleqëria është risia e kohës sonë. Duket një paradoks, por në fakt është një privilegj, një arritje që jemi të parët në historinë e njerëzimit që po e provojmë, edhe pse nuk e kuptojmë ende (dhe ky është një problem klasik i kohës sonë: paaftësia për të njohur një avantazh). Për këtë është i bindur Vittorino Andreoli, që në librin e tij të fundit “Letër një të moshuari, nga një i moshuar”, profilizon atë që e quan mosha e re e jetës: kushti ekzistencial i së ardhmes. E bën sepse nuk toleron dot shpërdorimin e burimeve që sjell zhvlerësimi dhe keqkuptimi i pleqërisë, ashtu siç nuk toleron ata që e maskojnë atë, e fshehin, e përkëdhelin, duke mashtruar veten se mënyra më e mirë për të përmbushur të ardhmen është përafrimi i tetëdhjetë vjeçarëve me gjashtëdhjetë vjeçarët dhe gjashtëdhjetë vjeçarëve me dyzet vjeçarët, duke mashtruar veten se mosha është një shpikje kulturore, kur e vetmja zgjedhje qëndron në llojin e atributeve që u japim moshave dhe jo në faktin se ato ekzistojnë. Ashtu si rënia e nivelit të lindjeve, plakja demografike është, për Andreolin, një fakt socio-kulturor dhe, në të njëjtën kohë, një shans.

Profesor, çfarë kanë të përbashkët një plak dhe një fëmijë?
Dëshirën.

Na e përkufizoni dëshirën.
Aftësia që ka secili prej nesh për të imagjinuar se nesër gjendja e tij do të mund të jetë e ndryshme nga sot.

Pra e ardhmja.
Po, e ardhmja.

Por a nuk është bukuria e të qenit i moshuar liri nga fiksimi për të bërë sa më shumë gjëra dhe për të grumbulluar po aq shumë, siç karakterizohet faza e jetës që dominohet prej së ardhmes?
Natyrisht. Pleqëria të bën të shijosh bukurinë e të jetuarit, të bën të ndjesh mirënjohje për faktin e thjeshtë se je gjallë. Dhe është diçka shumë e ndryshme prej gëzimit të jetës që ndihet në të njëzetat. Kemi bërë shumë përpjekje për të zgjatur kohën tonë në Tokë dhe tani që ia kemi dalë, i konsiderojmë të vjetrit si barrë, në vend se të festojmë që bashkë me jetëgjatësinë që ka ndërruar dhe është zgjatur, kemi në dispozicion një mënyrë të re, të ndryshme për të parë jetën. Nuk ndalemi te vështrimi i të moshuarve mbi botën: kënaqemi duke i mëshuar idesë se ai është një këndvështrim i lodhur, i neveritshëm, ose jashtë kohe, i ngadalshëm, i padobishëm. Dhe prandaj as nuk afrohemi me të moshuarit. Themi se janë të vetmuar, por nuk është e vërtetë. Të moshuarit janë të braktisur, jo vetmitarë.

Megjithatë, të moshuarit janë edhe të shenjtëruar.
Ata të pasurit dhe të fuqishmit. Por janë pak.

Kultura popullore i portretizon si të mençur, edhe kur nuk janë të pasur e të fuqishëm.
Mençuria është një cilësi që iu mvesh të moshuarve kur plakja ishte një rast përjashtimor, diçka aq e rrallë sa mund të quhej dhuratë nga zotat. Plaku i mençur ishte ana tjetër e medaljes e rioshit hero.

Po tani?
Cilësia e të moshuarve nuk është mençuria, është paqja. Nuk luftojmë për të punuar, dhe as për të fituar (liria prej parasë për mua është e jashtëzakonshme). Zhduken të gjitha shqtësimet që lidhen me pritshmëritë e të tjerëve, zhduket edhe konkurrenca.

Dhe çfarë mbizotëron?
Dëshira për të qenë të dobishëm.

Si?
Duke dëgjuar. Jua them si psikiatër: shumë prej pacientëve që vinin tek unë, kishin nevojë thjesht e vetëm për dikë që t’i dëgjonte. Nëse do të ishim një shoqëri e logjikshme dhe inteligjente, do të dinim ta shfrytëzonim për mirë këtë aftësi të të moshuarve për të mbështetur të tjerët e për të dëgjuar, për të treguar dhe për të dhënë. A nuk është kjo për të cilën njerëzit kanë kaq shumë nevojë, a nuk është ky përqafim që pastaj përfundojmë duke ua dhënë mjekëve sepse mungesa e tij na copëton e na sëmurë? Jua them unë vetë, të moshuarit nuk presin gjë tjetër veçse të ushqejnë marrëdhënie, t’u ofrojnë të tjerëve një hapësirë paqeje, një strehë nga furia, nga lufta, nga jeta aktive dhe egërsia e saj.

Kështu e imagjinoni ju të ardhmen? Një botë në të cilën të moshuarit janë mbështetje (psikologjike le ta themi) për fëmijët dhe të rriturit?
Por a e kuptoni se çfarë pasurie njerëzore ka për të ofruar një popullsi e tërë (jemi 20% e banorëve në Tokë) që edhe pse është ende aktive, e kthjellët, e fortë, nuk duhet të punojë më? Disa vjet më parë, në Padova u mora me një komunitet të moshuarish brenda të cilit ndodheshin edhe kopshte fëmijësh. Ishte e mrekullueshme: në lulishte takoheshin pleq e fëmijë që dilnin nga mësimi, ngjanin si një familje e madhe, kur ndërkohë ishin thjesht të panjohur që ecnin në park.

A është ekonomikisht e qëndrueshme një botë e moshës së tretë?
Ju lutem, thoni pleq. Mua më pëlqen fjala plak. E urrej togfjalëshin “moshë e tretë”. Gjithë ky ëmbëlsim nuk është gjë tjetër veçse një tradhëti, një mohim.

Ndjesë. Përgjigja?
Në Angli shumë njerëz punojnë katër ditë në javë, shpesh nga shtëpia. Automatizimi e ka bërë shumë të rrjedhshme punën tonë. Kurse këtu themi se s’ka punë për të rinjtë sepse s’të lënë të vjetrit. E vërteta është se puna nuk ka më të njëjtin kuptim që i jepnin disa vite më parë. Kushtetuta jonë thotë se jemi një Republikë e themeluar mbi punën. Nuk është e largët dita kur s’do të jemi më.

Dhe për çfarë shpresoni në atë të ardhme për të moshuarit?
Që të kuptojnë se sa me fat janë, që të kuptojnë se cilët janë, që të kuptojnë se nuk është e vërtetë se rreshtet së dashuruari. Seksi nuk është vetëm një funksion organik. Që të kuptojnë se në trupin e një të moshuari jo gjithçka dobësohet, por ndryshon, sepse kërkesat janë të ndryshme.

*Vittorino Andreoli është psikiatër dhe shkrimtar italian. Është autor i mbi 50 librave dhe njihet për gjuhën e tij të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë. Intervista u përkthye nga Erjon Uka.