Shënime në Blog

Sëmundja e konformizmit

Këtë vit, në Panairin e Frankfurtit, presidenti francez Emmanuel Macron tha se zbuloi Baudelaire-in përmes Walter Benjamin-it. Pra, ishte një gjerman, një hebre gjerman, ai që e shtyu një francez të lexonte Baudelaire-in: një i huaj deshifroi për të elementë të kulturës së tij. Një francez merr nga një gjerman, një hebre gjerman që vepron si ndërmjetës, atë që tashmë i përket. Që do të thotë: i Huaji është përbërës i së njohurës.
Sëmundja e konformizmit

Nga Byung-Chul Han/ Çfarë është Europa? Si mund të përkufizohet? Të gjitha partitë liberale e gjejnë veten çdo ditë tek Europa. Por ku saktësisht e gjejnë veten? Te një kontinent të kufizuar gjeografikisht? Apo në një ide? Cila është ideja në themel të Europës? Ku fillon Europa, dhe ku mbaron? Rusia për shembull, prej së cilës Europa po përpiqet në çdo formë të distancohet jo vetëm në kuptimin ekonomik por edhe ushtarak, është pjesë e Europës si gjeografikisht ashtu edhe kulturalisht.

A është tamam e vërtetë që nuk ka alternativa ndaj Europës? Alternativa europiane, siç është “alternativa për Gjermaninë”, është shqiptuar dhe pothuajse është monopolizuar tërësisht nga partitë populiste të krahut të djathtë. A nuk ka vërtet alternativa që partitë liberale mund të promovojnë? Sot, Europa gjendet e humbur në pyllin politik të muhabeteve boshe. A është e mundur të përkufizohet Europa, nëse jo gjeografikisht, të paktën konceptualisht? E parë me një lente madhuese, Europa s’duket asgjë më shumë se sa një fantazmë.

Sa për t’ia filluar, emri “Europë” vjen nga termi grek europe, i përbërë nga eurys (e bollshme) dhe ops (pamje). Atëherë, fjalë për fjalë, Europa është ajo që ka pikëpamje të gjera. Emër i bukur. Sipas mitologjisë greke, Europa është emri i një princeshe fenikase të rrëmbyer nga Zeusi dhe dërguar në Kretë. Paraardhësja par excellence e Europës, paradoksalisht, vjen nga Lindja. Në fillim, Europa ishte një term gjeografik i kufizuar në Peloponez, por pastaj Herodoti e shtriu vlefshmërinë e saj edhe në vendet në veri të Mesdheut. Megjithatë, është e pamundur që Europa të përkufizohet gjeografikisht. Mungojnë kufijtë e qartë me Azinë. Prandaj Europa është një ngrehinë e ndërvarur nga ndryshimet historike dhe e analizueshme nëpërmjet tyre. E megjithatë, sot Europa është reduktuar në një ngrehinë të thjeshtë ekonomike.

Le të marrim banorët e qytetit portual rus Vladivostok, madje në lindje edhe ata të Koresë së Veriut: a do të ishin ata europianë dhe fqinjët e tyre aziatikë? Një japonez ose një kinez do të ngurronte për ta përshkruar veten si “aziatik”. Nëse një gjerman do të më thoshte: "Hej, aziatik!", kjo shpesh do të tingëllonte fyese apo edhe raciste. Koncepti i Europës fillon të lëkundet përgjatë kufirit që ndan Rusinë nga Koreja e Veriut. Gjermanët priren drejt abstraksionit. Një pyetje klasike për një gjerman është: "Çfarë është tipike gjermane?", ndërsa asnjë korean nuk do të pyeste: "Çfarë është tipike koreane?", sepse përgjigja do të ishte: "Kimchi" ose "Bibimbap".

Nga ana tjetër gjermanët përpiqen me të gjitha mënyrat t'i kthehen një përkufizimi ose "thelbit" të konceptit. Edhe Adorno, në esenë e tij me titull “Auf die Frage. Was ist Deutsch?”, ndihet i detyruar të ofrojë një përkufizim. Me stilin karakterizues, ai shprehet: duke i qëndruar besnik idesë se gjërat, ashtu siç janë, nuk përfaqësojnë realitetin përfundimtar dhe duke shmangur përpjekjet e dëshpëruara për të përcaktuar se çfarë është "gjermane", për aq sa sugjeron ky koncept mund vetëm ta imagjinojmë: një tranzit drejt njerëzimit. Adorno e ngre gjermanin kryesisht në kundërpeshë të tregut dhe kapitalizmit, kurthe në të cilat kanë rënë amerikanët. Prandaj të qenit gjerman tregon përkushtimin ndaj njeriut që ndahet rrënjësisht me kapitalizmin.

Sot vetë Europa është një ngrehinë ekonomike abstrakte, integruar tërësisht dhe në gjithçka globalisht, që përparon duke shtypur individët. Europa si abstraksion ekonomik ngjall ngado hutim, sepse çdo strukturë abstrakte ka veçorinë të zbehë karakteristikat dalluese. Këtu qëndron dhuna e saj. Po kështu, globalizimi mposht me forcë të gjitha dallimet rajonale në mënyrë që të përshpejtojë qarkullimin e informacionit dhe kapitalit. Dhe pikërisht për shkak të dhunës së globalizimit, që e bën gjithçka të njëtrajtshme, lind një dëshirë për identitet, sot e promovuar mbi të gjitha nga partitë e ekstremit të djathtë. Globalizimi që e bën çdo gjë të barabartë, të krahasueshme me monetizim total të botës, na privon nga kuptimi dhe orientimi. Dhuna delokalizuese e globalizimit zgjon një dëshirë për lokalizëm. Lëvizjet separatiste dhe madje identitare, ashtu si terrorizmi ndërkombëtar, përfaqësojnë një përgjigje irracionale ndaj dhunës globale.

Në iluzionin e tij, terroristi përpiqet të imponojë një kuptim. Europa sot nuk është gjë tjetër veçse një ngrehinë ekonomike dhe burokratike, një zonë e tregtisë së lirë me mure dhe gardhe të drejtuara nga jashtë për të bllokuar hyrjen e mysafirëve të padëshiruar. Globalizimi e bën gjithçka të njëjtë dhe të krahasueshme.

Çdo i huaj dëbohet. Karakteri unik i Tjetrit e shqetëson globalen, e cila na imponohet në mendimet tona. Ne sot, ndaj fuqisë së tepërt të botës, reagojmë me nacionalizma, rajonalizma dhe provincializma që e heqin veten si liri dhe pavarësi - Katalonja është shembulli i shkëlqyer i kësaj. Në dritën e këtyre zhvillimeve, nuk ia vlen më barra qiranë të jesh europian. Më mirë një gjerman që e lë veten të frymëzohet nga Tjetri. Më mirë një francez që e lë veten të frymëzohet nga gjermanët, sesa europiani që është i njëjtë kudo.

Këtë vit, në Panairin e Frankfurtit, presidenti francez Emmanuel Macron tha se zbuloi Baudelaire-in përmes Walter Benjamin-it. Pra, ishte një gjerman, një hebre gjerman, ai që e shtyu një francez të lexonte Baudelaire-in: një i huaj deshifroi për të elementë të kulturës së tij. Një francez merr nga një gjerman, një hebre gjerman që vepron si ndërmjetës, atë që tashmë i përket. Që do të thotë: i Huaji është përbërës i së njohurës.

Pa të Huajin, jemi të verbër ndaj së njohurës. Këngëtarja Barbara, një hebreje franceze, shkoi në Göttingen në vitin 1964, për t’u mrekulluar e frymëzuar nga ai qytet i huaj. Kështu lindi kënga e bukur “Göttingen”, e cila e bëri Barbara-n të famshme në të gjithë botën. Është pikërisht fantazia përballë Tjetrit, ajo që i jep Göttingen-it një identitet të pagabueshëm. Barbara i këndon qytetit si një vend dashurie dhe pajtimi. "Sigurisht, nuk ka Senë atje / as bois de Vincennes, / megjithatë do të kishte shumë për të thënë / për Göttingen, për Göttingen. / Parisi këndohet pa pushim, / për Göttingen-in nuk ka këngë, / megjithatë dashuria lulëzon edhe atje / në Göttingen, në Göttingen».

Sipas Hegelit, pajtim do të thotë të puqësh universalen me të veçantën. Nga ky këndvështrim, Europa e sotme nuk është një strukturë e përkushtuar ndaj pajtimit, pasi ajo sillet si një pushtet post-politik dhe burokratik që kundërshton të veçantën ose imponohet duke e nëpërkëmbur atë. Pajtimi do të thotë gjithashtu liri, dhe të veçantës i mungon çdo liri kur i nënshtrohet universales: universalja abstrakte provokon rezistencë të llojeve të ndryshme.

Personalisht, nuk kam synim që të bëhem me çdo kush vendali në Gjermani. Gjermania mbetet për mua vendi im i bukur, por i huaj, dhe unë me shumë kënaqësi mbetem një i huaj që frymëzohet nga e huaja. Për këtë jam patriot, pra një njeri që do një vend, megjithëse Gjermaninë e dua si një vend të huaj, dhe gjermanishten si një gjuhë të huaj. Dua po ashtu valutat e huaja dhe ende mbetem i çuditur nga fakti që udhëtoj në Itali a në Francë duke hasur të njëjtën valutë: për mua ka qenë gjithmonë kënaqësi që gjatë një udhëtimi të merrja në duar një kartmonedhë të huaj, por euro që është njësoj kudo, ma heq këtë gëzim të veçantë.

Kam qenë një fëmijë i pasionauar pas koleksionit të pullave të postës. Më ndillnin fantazitë mbi vendet e huaja. Aplikimi i pullave europiane do të ishte një tmerr i vërtetë. I huaji ushtron tek unë një fuqi të madhe joshëse. E njëjta dhe globalja nuk më joshin, nuk më magjepsin. Unë besoj se shpirti e do të Huajin - pa të cilin frymëzimi zbehet. Barbara nuk do të ushqente dëshirën për të qenë europiane. Ajo ishte një hebreje franceze që këndonte gjermanisht në emër të pajtimit dhe gjermanishtja e Barbarës është e bukur. Për mua është e pamundur ta konsiderosh bukurinë pa të huajën: e gjithë bukuria autentike është e huaj.

Iluminizmi është një arritje mbarë-europiane, por sot ne po i largohemi gjithnjë e më shumë arsyes duke shkuar mbrapsht drejt mitologjive të shfrytëzuara nga ekstremistët e djathtë. Mbi Europë nuk imponohet arsyeja, por siç shkruan Immanuel Kant në veprën e famshme “Drejt paqes së përhershme”, mikpritja. Të mbajturit mend të kësaj bën veçse mirë në një periudhë të mbizotëruar nga armiqësi të llojeve të ndryshme. Duke u rikthyer te Adorno, do të thosha se të jesh europian nuk do të thotë asgjë më shumë se të jesh “në tranzit drejt njerëzimit”. Atëherë po, do të doja të isha europian.

*Byung-Chul Han është filozof gjermano-korean. Përpara se të studionte filozofi në Gjermani, përfundoi studimet për metalurgji në Korenë e Jugut. Është profesor në Universitetin e Arteve të Berlinit dhe autor i mbi 20 librave të përkthyer në shumë gjuhë. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Lexo edhe:
Kujtesa është një pëlhurë narrative

Turma në rrugë që ndryshonte realitetet dhe tufat në internet që s’krijojnë asgjë