Shënime në Blog

Të lexosh e të mos kuptosh

Në një botë dixhitale, ajo që lexojmë dhe forma si lexojmë po ndryshon me pasoja domethënëse për mënyrën se si mendojmë, si lidhemi me qeniet e tjera njerëzore, si e transformojmë informacionin në njohuri dhe madje edhe se si votojmë.

Të lexosh e të mos kuptosh

Nga Maryanne Wolf/ Më shumë se tridhjetë vite më parë, në “Leksione amerikane” Italo Calvino na paraqiti shqetësimet e tij mbi të ardhmen tonë me fjalë që nuk mund të jenë më të sakta në situatën aktuale: “Hera-herës më duket sikur një epidemi murtajore ka goditur njerëzimin në pikën e tij më karakterizuese, pra në përdorimin e fjalës, një murtajë e gjuhës që shfaqet si humbje e forcës njohëse [...] që tenton të nivelojë shprehjen në formula më të përgjithshme, anonime [...], për të shuar çdo shkëndijë që ndizet nga përplasja e fjalëve me rrethana të reja”

Bëjini vetes një pyetje. A është e vërtetë se e kaluat këtë pasazh të bukur, duke i marrë kuptimin, por mezi ia gërvishtët sipërfaqen mendimeve që Calvino shpresonte të përcillte në secilën prej fjalëve të tij, të zgjedhura me aq kujdes? Nëse po, sapo keni përjetuar diçka që mundon shumë lexues sot. Në një botë të mbushur me informacione, mënyra jonë e parazgjedhur e leximit është të rrëshqasim nëpër tekst, të fluturojmë e të shkojmë drejt e në thelbin e asaj që kemi lexuar, zakonisht në një ekran që na shfaqet i gjithëpranishëm.

Ndoshta edhe më keq, kur marrim parasysh breshërinë e informacionit që kemi në dispozicion: priremi të drejtohemi vetëm te burimet më të njohura të informacionit, ku ajo që ne mendojmë paraprakisht “konfirmohet” nga këndvështrime të ngjashme, duke na bërë të cenueshëm ndaj lajmeve të rreme dhe demagogjisë në të gjitha format e njohura. Çka zhduket është ajo “gjë” së cilës i referohem si “lexim në thellësi”.

Ato janë procese të sofistikuara njohëse dhe afektive, të cilat i marrin më shumë kohë trurit tonë, edhe pse bëhet fjalë vetëm për disa milisekonda. Këto procese nënkuptojnë një cilësi të vëmendjes në lexim që na lejon të nxjerrim (dhe të vlerësojmë) kuptimet që qëndrojnë nën sipërfaqen e fjalëve, të kuptojmë këndvështrime të ndryshme, të futemi në jetën dhe në emocionet e të tjerëve, të analizojmë tekstin ashtu si për të dalluar të vërtetën e asaj që lexojmë dhe në disa raste të zbulojmë intuitën tonë. Pra proceset e leximit në thellësi na lejojnë të zhytemi në atë që lexojmë dhe, sipas fjalëve të paharrueshme të Prustit, “të shkojmë përtej urtësisë së autorit për të zbuluar urtësinë tonë”.

Jam një neuroshkencëtare dhe kam mësuar po aq shumë nga Proust dhe Calvino sa edhe nga teknikat e imazherisë së trurit që lexon. Të dyja perspektivat më alarmuan për faktin se, në një botë dixhitale, ajo që lexojmë dhe forma si lexojmë po ndryshon me pasoja domethënëse për mënyrën se si mendojmë, si lidhemi me qeniet e tjera njerëzore, si e transformojmë informacionin në njohuri dhe madje edhe se si votojmë.

Nuk po ngre aspak pretendime të thjeshtuara se duhen shmangur format dixhitale të leximit, ose se leximi i thellë mund të ndodhë vetëm përmes medias së shkruar. Përkundrazi, siç ka shkruar Sherry Turkle, një studiuese në “Massachusetts Institute of Technology”, ne duhet të pyesim se çfarë minojnë apo çfarë penalizojnë inovacionet, siç është leximi dixhital.

Ekranet na japin mundësi të jashtëzakonshme për shpërndarjen e informacionit, por gjithashtu ushqejnë aftësitë e leximit sipërfaqësor, të cilat pikërisht ju si lexues po përdorni tani për të lexuar këtë artikull. Gjithmonë e më shumë kërkime mbi leximin dixhital tregojnë se të kuptuarit, analiza kritike dhe ndjeshmëria vihen në rrezik serioz kur nuk u kushtohet kohë e mjaftueshme këtyre proceseve.

Pa të gjitha këto, siç shkroi Calvino, aftësia jonë më e veçantë, gjuha, rrafshohet krejt ndërsa aftësia për të kuptuar transformohet në disa mënyra që nuk duhet t’i injorojmë nëse duam të mbështesim mendimet tona më të mira dhe t’i përhapim ato tek brezat e ardhshëm. Kemi nevojë për informacione, për njohuri dhe për mençuri, nëse duam t'i ruajmë të treja këto forma të dijes.

*Maryanne Wolf është studiese dhe aktiviste për të drejtat e arsimimit të fëmijëve. Përveç karrierës akademike, ka drejtuar “UCLA Center for Dyslexia” dhe “Center for Reading and Language Research”. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.