Ta thotë doktoreshë Silva

Çfarë është trajtimi me plazma dhe cilat janë përfitimet?

Çfarë është trajtimi me plazma dhe cilat janë

Një nga trajtimet më të shpeshta që përdoret në mjekësinë estetike, me indikacione multiple që në thelb kanë rigjenerimin e lëkurës, është trajtimi me injeksione të plazmës (PRP) , e përshkruar në rrjetet sociale edhe si “vampire lift” .

Plazma e pasuruar me trombocite përgatitet duke koncentruar trombocitet e gjakut autolog (gjakun e vet individit) në plazmë. Ajo përdoret për procedura dermo-estetike me qëllim rinimin dhe ngadalësimin e procesit të plakjes si rezultat i çlirimit prej trombociteve të faktorëve me veti rigjeneruese. PRP përdoret prej 3 dekadash në një spektër të gjerë trajtimesh mjekësore miniinvazive dhe kirurgjikale. Në fushën e sëmundjeve dermatologjike përdoret për të trajtuar ulçerat kutane, cikatricet postkirurgjikale, cikatricet post akne, dhe alopecinë(rënien e flokëve).

Prej rreth 1 dekade përdoret me sukses në dermoestetikë si procedurën rinuese të lëkurës së fytyrës, qafës, dekoltesë e duarve -zona që janë pjesët më të dukshme dhe më të ekspozuara ndaj fotoplakjes, por mund të aplikohet edhe në zona të tjera kutane. PRP, kur injektohet në skalp, ngadalëson procesin e rënies së flokëve dhe stimulon daljen e flokëve të rinj, Ajo mund te kombinohet me trajtime të tjera dermo-estetike që mund të kryhen në të njëjtën seancë ose në distancë nga njëra-tjetra (mezoterapia, filler, botox, lazer, etj.)

Procedura realizohet në disa etapa, duke filluar me marrjen e gjakut nga vet individi që do të trajtohet në një sasi prej 10-50 ml (në varësi të sipërfaqës së trajtimit) dhe vendosjen e tij menjëherë në centrifugim ku përpunohet për rreth 5-8 minuta. Në fund të këtij procesi plazma ndahet prej qelizave të kuqe të gjakut dhe injektohet në dermë nëpërmjet teknikave të ndryshme (në varësi të indikacionit) duke përmirësuar për pasojë trashësinë dhe elasticitetin e saj. Gjatë kohës së përpunimit të plazmës, mbi lëkurën ku do të injektohet, aplikohet krem anestezik (mpirës) me qëllim minimizimin e dhimbjes gjatë injektimit. Pas procedurës lëkura paraqitet e skuqur, me ose pa nxirje, si dhe e enjtur, ose thjesht më e mbushur e me volume që po thuajse të gjitha klientet e pëlqejnë e do të donin t’u zgjaste përgjithmonë. Ndërkohë që shijohen këto efekte të përkohshme të plazmës, stimulimi i prodhimit të kolagjenit të ri fillon rreth javës së tretë pas trajtimit dhe lëkura duket më e freskët, më e tonifikuar dhe më me vitalitet. Pas trajtimit, për të paktën 5 orë, rekomandohet të mos lahet lëkura, të mos ekspozohet në mënyrë direkte ndaj nxehtësisë si dhe të evitohen procese që shkaktojnë djersitje si ekspozimi në diell, sauna, banja të nxehta, aktivitet i rëndë fizik etj. Evitoni gjithashtu përdorimin e make up për disa orë pas trajtimit, si dhe përdorimin e produkteve eksfoliuese dhe me efekt peeling për disa ditë sipas rekomandimit të mjekut tuaj. Studimet e fundit shkencore kanë vërtetuar se një sërë faktorësh si njohuritë e mjekut mbi mekanizmin e veprimit, klasifikimin e PRP, teknikat e injektimit dhe të kritereve që duhen plotësuar për të rritur cilësinë e trombociteve, rrisin efikasitetin e trajtimit me PRP. Po kështu njohuritë e mjekut në lidhje me një sërë patologjish bashkëshoqëruese në të cilat ky trajtim nuk rekomandohet të kryhet (kundërindikohet) janë mjaft të rëndësishme që të kryeni një trajtim dermoestetik si plazma në terren të një organizmi të shëndetshëm.

Dr. Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku