Videopodcast

Bisedë për Zotin!

Bisedë për Zotin!

Nga Mira Kazhani/ Sot është Natë Kadri, ose ndryshe nata më e fuqishme dhe e madhe për plotësimin e një dëshire! Kush nuk ka dëshira dhe lutje?! Të gjithë kemi nevojë të ndjehemi më të sigurt për veten dhe të dashurit tanë. Të gjithë e kërkojmë Zotin, edhe pse në rrugë dhe adresa të ndryshme. Disa në xhami, disa në kisha, disa në sinagoga, disa në dritaren e shtëpisë së tyre duke parë lart nga qielli. Unë takova një Imam, me të cilin folëm për Zotin, besimtarët, fenë dhe dëshirat, por edhe për Botën e Përtejme. Imam Bilali thotë se në Botën Tjetër do të takojmë të dashurit tanë dhe do të gjendemi para fytyrës së Zotit. Po ndërkaq që jemi në tokë, çfarë duhet të bëjmë për të patur një jetë të bukur? Mund ta nisim nga një histori me të cilën mbyllëm video podcast-in: Nëse nuk ndihmon të tjerët, nëse nuk bën as mirë, të paktën mos bëj keq!



Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Sot është Natë Kadri. Në shtëpinë time bëhet hallvë dhe kujtojmë gjyshërit që nuk jetojnë më. Nuk dimë asgjë më shumë veç ndjenjës së përuljes ndaj Atij lart, Zotit. Ndaj do të flas sot në një video podcast me një Imam, Gazment Teqja, por që njihet ndryshe edhe si Bilal. Këtë punën e emrave nuk e kuptova…

Imam Gazment Teqja: Që i vogël kam pasur një pasion për fenë, për besimin. Kam dy momente. Se unë kam jetuar mbrapa 9-katësheve, në qendër, dhe kur është bërë çelja e parë fare e Xhamisë se Et`hem Beut, nuk e kapa momentin që njerëzit ishin mbledhur, por momentin që njerëzit po shpërndaheshin. Kam qenë 11 vjeç mbase. Ajo ka lënë gjurmë shumë në shpirtin tim. Gjithmonë thosha, si mundem të shkoj në Xhami, të falem? Ose të filloj të kuptoj diçka për besimin, për Zotin? Nuk e di nga më vinte ajo indicie. Gjithashtu kam pasur edhe një moment tjetër. Në Shqipëri, Haxhinjtë e parë shqiptarë që shkuan me ftesë nga Mbreti i Arabisë Saudite, mbas periudhës së komunizmit, ishin burra të vjetër dhe gra të vjetra, që e kishin ruajtur besimin, mezi kishin pritur të hapej feja, edhe sërish më përsëritet pamja, si tek Xhamia e Et`hem Beut, njerëzit dilnin qanin. Ishin pelegrinët e parë që dilnin qanin dhe thoshin O Zot, falenderime pa fund që na erdhi edhe njëherë mundësia të besojmë. Kjo më ka dhënë indicie shumë të mëdha. Dhe shkoja vetë. Në Xhaminë e Et`hem Beut shkoja në fillim fare. Kur kam lexuar diçka për historinë e Profetit Muhamet, Paqja e Zotit qoftë me Të, më bëri përshtypje një emër Bilal, i cili ishte ai që thërriste njerëzit. Simbolizon Ezanin që thërret njerëzit për adhurim, për falje, për tek Zoti. Të lënë angazhimet e botës dhe jetës së përditshme dhe t`i përkushtohen shpirtërores. Thonë që ka pasur zë të bukur. Më pëlqente shumë gjithmonë të jem si ai, t`i thërras njerëzit tek e mira, tek e bukura. Të kem një zë të mirë që ta lexoj fjalën e Zotit ashtu siç duhet dhe ta lexoj me shpirt. Dhe nga kjo, me shokët, me miqtë, duke parë edhe pasionin tim, edhe dëshirën time, filluan më thërrisnin Bilal dhe ngeli kjo. Po emrin e kam Gazment dhe është emri që më ka vënë babai edhe nëna ai është emri i parë, s`diskutohet.

Mira Kazhani: Të dy janë të bukur, po Gazment është më i bukur. Edhe kuptimin në shqip e ka të bukur.

Imam Gazment Teqja: Zoti i shpërbleftë të dy prindërit!

Mira Kazhani: Atmosfera në Xhaminë e Xhurës është vërtet mistike. Unë nuk kam provuar të bëj intervistë pa këpucë, por janë rregullat e fesë. Nuk dimë shumë. E thashë pak edhe në fillim. Edhe për Natën e Kadrit, përgjithësisht njerëzit mezi e bëjnë atë llogarinë. Si llogaritet, se unë nuk e kam kuptuar asnjëherë?

Imam Gazment Teqja: Nata e Kadrit, quhet Nata e Madhe. Vetë fjala Kadër është madhështore pozitë e lartë, ose natë në të cilën përcaktohen fatet e njerëzve. Ky është kuptimi i Natës së Kadrit dhe me të vërtetë e ka marrë vlerën, sepse Natën e Kadrit ka startuar shpallja e Kuranit Famëlart, për nga historia Islame. Ka startuar Shpallja Hyjnore, manuali që ne themi drejton shpirtrat edhe zemrat e njerëzve. Ka gati 2 miliardë besimtarë myslimanë. Për nder të fjalës së Zotit, Zoti i dha madhështi kësaj nate dhe vlera të jashtëzakonshme. Në këtë natë falen mëkate shumë. Në këtë natë pranohen lutjet shumë. Në këtë natë përcaktohen mirësitë. Është më e mirë se 1 mijë muaj. Pra gati 83 vjet, një jetë e plotë. Në kuptimin që, nëse njeriu bën një vepër të mirë, është njësoj sesa ta ketë kryer për më shumë sesa 1 mijë muaj. Imagjino si shkruhet tek Zoti! Ne kështu e besojmë, sipas teksteve të qarta fetare. Njerëzit mundohen që ta arrijnë Natën e Kadrit, ta gjejnë Natën e Kadrit, që të fitojnë mirësinë e kësaj nate. Përveç faktit që fal një qetësi edhe një paqe shumë më të madhe. Ne kalojmë me adhurime netët e fundit të Ramazanit, se ajo kërkohet në netët e fundit të Ramazanit. Ka një histori që mendohet se është nata e 27 më tepër se të gjithë netët e tjera. Në momentin që del t`u tregojë njerëzve kur është Nata e Kadrit, gjen dy persona që kishin një grindje, u shqetësua shumë Profeti Zot dhe thuhet se iu hoq dija e Natës së Kadrit për shkak të zënkave. Ne që kemi konflikte, imagjino sa të mira humbim nga Zoti. Profeti thotë kërkojini në netët e fundit, sidomos netët teke, 21, 23, 25, 27, 29. Tek këto netë edhe besimtarët përkushtohen maksimalisht.

Mira Kazhani: Çfarë njerëzish ke parë që janë shtuar në këtë muaj të Ramazanit, xhamisë, lutjes? Ke parë fytyra të reja? Nëse mund të më bësh një skaner të personazheve, të figurave, të gjinisë, të moshave.

Imam Gazment Teqja: Në çdo vit, vijnë edhe nga trevat shqiptare. Është interesante, vijnë vetëm që të falen natën këtu dhe kthehen prapë. Ne kemi shtruar edhe syfyr, që ata që vinin nga larg, t`i akomodonim pak. Mos t`u ikte koha e syfyrit. Vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, vijnë nga qytetet po e po, vijnë nga diaspora që marrin pushimet dhe vijnë falen. Nganjëherë unë vij i fundit, se njerëzit vijnë përpara që të zënë vendet dhe çuditem kur shoh personazhe shumë publik që i shoh aty në asfalt dhe them o Zot i madh ç`bën modestia dhe ç`bën besimi në Zot.

Mira Kazhani: Do na thoni ndonjë emër apo…

Imam Gazment Teqja: Jo nuk i them me emra. Duhet të vish… (qesh)

Mira Kazhani: Politikanë, biznesmenë, gazetarë?

Imam Gazment Teqja: Nga të gjitha. Mbase do vini një natë edhe juve, edhe do ta përjetoni mirësinë.

Mira Kazhani: Për çfarë luten besimtarët kryesisht?

Imam Gazment Teqja: E para është ajo që thamë, ndahet përcaktimi edhe fati i gjithsecilit prej nesh për një vit të tërë. Njerëzit mundohen të luten që ajo që do vijë për vitin e ardhshëm, të jetë diçka e mirë edhe Zoti t`i largojë të këqijat. Po gjithashtu luten që Zoti t`i falë apo t`i mëshirojë, sepse besohet që mëshira dhe falja e Zotit këtë natë është më e madhe se çdo herë tjetër. Siç kanë zbritur engjëjt e Zotit në momentin që është shpallur Kurani, ne besojmë që përsëriten të njëjtat mirësi edhe begati për të gjithë besimtarët. Kështu që mundohen të fitojnë faljen, mëshirën e Zotit dhe mirësinë që Zoti t`ua bëjë mbarë për ato objektivat që kanë në jetë, për shqetësimet që kanë, që Zoti t`ia largojë.

Mira Kazhani: Nëse do t`i thonim konkretisht, cilat janë disa nga shqetësimet e shqiptarëve, besimtarëve?

Imam Gazment Teqja: Gjithsecili ka hallet e veta. Mund të jenë në planin familjar. Mund të jenë në planin e punëve, ose të angazhimeve ditore që ka. Po ne besojmë që jeta shpirtërore është kryesorja. Pra me kuptimin që nëse Zoti nuk të fal qeëtsi në shpirt, nuk të hyjnë në punë as lekët dhe as pasuria. Ne besojmë që nëse Zoti nuk të fal të përjetshëm, atëherë kjo kalimtarja është diçka që mbaron shpejt. Ikin vitet shpejt. Ndaj ato bëhen miks, lutjet. Neve lutemi, në fund mbase falemi, lexojmë Kuran. Bëjmë edhe lutjen. Lutja mund të jetë 20, 25 minuta. Njerëzit thonë të gjithë Amin, mbas Imamit, mbas drejtuesit të faljes së jam unë. Dhe aty fillojnë lutjet: O Zot na rregullo këtë jetë në të cilën ne jetojmë! Na rregullo jetën tjetër në të cilën ne do shkojmë! O Zot na rregullo besimin tonë, zemrën tonë, edhe bëje inspiruesin tonë në jetë! O Zot të jem i dobishëm!

Mira Kazhani: Imam, a do t`i takojmë ne në jetën tjetër të dashurit tanë që i kemi humbur?

Imam Gazment Teqja: Ne besojmë që patjetër po.

Mira Kazhani: Cilat janë shenjat?

Imam Gazment Teqja: Më ndodh herë herë që shkojmë edhe në këto rastet kur përcjellim të vdekurit, që i bëjmë ato ritualet. Aty është moment shumë i mirë që ta thuash një fjalë, se njerëzit besoj që mund të reflektojnë. Është moment që e shikon të dashurin tënd që është i shtrirë, po largohet. Asgjë s`ka me vete. Deri dje ka qenë me ty, i gjallë, si puna jote komunikonte. Sot nuk lëviz dhe po e përcjell për në banesën e përtejme po themi. S`po themi e fundit, se ka Botë Tjetër. Unë u them edhe njerëzve duke e bërë shumë të thjeshtë bisedën, duke e bërë bashkëbisedim. Them ok. As unë s`e kam parë që ka botë tjetër. Nuk është se kam qenë edhe u ktheva. Ama Zoti që na tha se ka botë tjetër, është ai që na krijoi, që na solli në këtë botë.

Mira Kazhani: Ka Botë Tjetër apo ka një jetë të dytë?

Imam Gazment Teqja: Ka një botë tjetër. Nuk ka kuptim ai që ka bërë shumë zullume dhe ka bërë shumë pisllëqe, të jetë njësoj si ai është treguar njeri i mirë, që të dy të vdesin dhe të mbarojë kjo histori. Nuk ka kuptim. A të ka pyet njeri ty kur erdhe në këtë jetë a do me ardh apo s`do me ardh?

Mira Kazhani: Jo nuk më ka pyetur njeri, po mirë kanë bërë që më kanë sjellë.

Imam Gazment Teqja: (qesh) Patjetër, se është mundësia e artë që ne të jemi të mirë. Është mundësi e paçmuar. Është dhurata më e madhe që na dha Zoti. Ne mundemi, e kemi në dorë ta orientojmë jetën siç duhet. Nëse dikush thotë: Nuk besoj. Unë them besoj. Ok 50 me 50. Ta bëjmë bisedë të thjeshtë edhe të kuptueshme për njerëzit. Unë që përgatitem për ditën kur do dal para Zotit, unë nuk ka, nuk humbas gjë. Thjesht mirësi kam bërë në këtë jetë. Ama ai i cili nuk përgatitet, do të ishte fatale. Do të ishte humbje e madhe për të.

Mira Kazhani: A i fal Zoti të gjitha?

Imam Gazment Teqja: Nëse njeriu pendohet me sinqeritet, patjetër. Madje gëzohet shumë kur njeriu i lutet dhe i kërkon falje. Është nga gjërat që të Madhin Zot e gëzon më së tepërmi, që njeriu do të ndryshojë dhe do të rregullojë diçka në jetën e tij, në raport me Zotin dhe në raport me njerëzit.

Mira Kazhani: Dikush mund të thotë që meqë Zoti m`i fal të gjitha dhe mund të kem një pendesë të sinqertë, mund edhe t`i bëj mëkatet.

Imam Gazment Teqja: Jo me këtë sens. Njeriu për nga natyra është mëkatar. Madje në tekste të qarta thuhet: Nëse ju do të ishit krijesa që nuk bënit mëkate, do t`ju ndërronte Zoti, do sillte të tjerë. Se kështu është natyra e kësaj bote. Ka gabuar njeriu i parë, babai jonë Ademi, ose Adami, edhe gabojnë edhe të gjithë njerëzit. Kjo është natyra jonë. Po ne tek kjo çështja e gabimit, ne gabojmë se kemi nevojë të falim njëri-tjetrin. Gabojmë se kemi nevojë të tolerojmë njëri-tjetrin.

Mira Kazhani: Po, por ne nuk e falim shumë njëri-tjetrin.

Imam Gazment Teqja: Gjithsecili punon me veten e vetë. Gjithsecili duke menduar që shpreson tek falja e Zotit mund të mundohet të marrë sadopak nga kjo cilësi e mirë është të falë. Ata që falin dhe tolerojnë, i fal Zoti. Ata që tregohen të mirë edhe të mëshirshëm, ata që janë në tokë, Zoti është i mëshirshëm edhe me ta. Janë tekste të qarta.

Mira Kazhani: Në fe thuhet se në Botën Tjetër ata që kanë bërë mëkate nuk do falen. Po ka nga ata, ndoshta edhe si puna ime që thonë që mirë është që njerëzit të paguajnë për sa kohë janë gjallë.

Imam Gazment Teqja: Në fakt, dikujt që i bëhet padrejtësi, ose që sheh diçka që nuk është në rregull, që teprohet, është ndjenjë njerëzore që kanë qejf ta shohin ndëshkimin e Zotit, që të bëhet mësim edhe për të tjerët. Tani ne nuk hyjmë dot tek kompetencat e Zotit. Ai është aq i mirë dhe aq i mëshirshëm dhe aq i plotfuqishëm saqë ne nuk e orientojmë dot mëshirën hyjnore aty ku duam ne, edhe as ndëshkimin hyjnor. Ne duhet të mendojmë vetëm diçka. Nuk humbim asgjë nëse Zoti i fal të tjerët dhe nuk fitojmë asgjë nëse Zoti i ndëshkon të tjerët.

Mira Kazhani: E vendos Zoti fatin e gjithsecilit apo ne punojmë për fatin tonë? Pra duhet t`ia lëmë në dorë Zotit, kësaj Plotfuqie jetën tonë, apo disa gjëra varen nga njeriu?

Imam Gazment Teqja: Njeriu ka mundësi që ta orientojë veten e tij. Do të shkojë tek e mira apo tek e keqja. Pastaj gabimet apo rrëshqitjet rrugës apo mëkatet që i bën gjithsecili, nëse ka një raport të mirë që gjithmonë mundohet të rregullojë, që mundohet të përmirësojë, ne shpresojmë shumë që Zoti është falës i madh.

Mira Kazhani: Pse kur e përfytyrojmë Zotin e përfytyrojmë gjithmonë lart në qiell, jo në tokë? Ai ndoshta është në çdo grimcë.

Imam Gazment Teqja: Nëse do të thuash me emrat, me cilësitë e Tij, me dijen e Tij, me plotfuqinë e Tij, me përkujdesjen e Tij, patjetër që është në çdo grimcë. Ama si qenie nuk mundet që ta shohim. Ai e përfshin gjithësinë, nuk e përfshin gjithësia atë.

Mira Kazhani: Përse e përfytyrojmë Zotin si një plak me mjekër?

Imam Gazment Teqja: Ne dimë në Kuran edhe në tekstet fetare që ka disa përshkrime për madhështinë e Zotit. Dhe ai ka dhënë aq sa ne mund të kuptojmë. Ne nuk mundet që ta çojmë intuitën tonë, ose parapërfytyrimin tonë më tutje. Ne themi që Zoti është real dhe e ka fytyrën shumë të bukur. Aq sa ata që do ta shohin, ditën kur ta shohin, do mrekullohen nga bukuria. Nëqoftëse njerëzit do hyjnë në parajsë, thuhet që bukuria më e madhe e parajsës është shikimi në fytyrën e Zotit. Në momentin që gjithsecili do të ketë takimin me Zotin e Madhërishëm, kur të kthehen në banesat e tyre do t`i pyesin familjarët: Hë, si ishte? Nuk do dinë ta tregojnë. Është i mrekullueshëm.

Mira Kazhani: Një tjetër shkrimtare që është me origjinë turke, por që jeton në Gjermani, Elif Shafak, ka një libër, “Dyzet rregullat e dashurisë” – që ua sugjeroj shumë vajzave të reja – aty ka shumë dervish, sofistë, edhe janë filozofë të fesë islame. Ata kanë bërë gjithashtu një investim të çmuar në fenë islame. Shumë të mençur. Fjalë që thua, o Zot sa të bukura. Ju keni dervish, ose keni pasur njerëz që i keni pasur si mentorë?

Imam Gazment Teqja: Unë kam lexuar vetë emra të shquar të historisë islame, njerëz të dijshëm plot.

Mira Kazhani: Mund t`i thuash disa emra?

Imam Gazment Teqja: Di të them që feja vetëm në kuadrin e rregullave, është e thatë. Nuk do të kishte kuptim pa shpirtëroren, pa këtë që juve thoni. Pra çdo gjë, edhe falja që bëjmë ne, do të ishte mekanike, nëse nuk ka shpirtin brenda. Edhe ky pastrimi, edhe leximin i Kuranit, nëse nuk futet shpirti dhe nëse nuk gjen filozofinë shpirtërore në gjithçka që bën, atëherë është mekanike.

Mira Kazhani: Çfarë funksioni kanë pasur Dervishët? Ata kanë qenë zëdhënësit e fesë?

Imam Gazment Teqja: Neve themi kështu, dijetarët e islamit. Njerëzit e shquar dhe të dijshëm. Njerëzit që kanë orientuar ideologjinë, që kanë zbërthyer kuptimin e Kuranit dhe të fesë. Ka shumë. Madje edhe shqiptarë ka. Edhe nga ata që kanë qenë përpara se të mbyllej feja, që janë emra të njohur. Normal që ne i kemi shembull. Ka edhe nga bota islame plot. Janë njerëz që edhe bota perëndimore i merr për referenca.

Mira Kazhani: Interesante të mendosh që sa pararojë, sa filozofike dhe sa e përparuar ka qenë feja islame, ndërkohë që sot ka disa kritika herë pas here. Është edhe përpara zgjedhjes së madhe, siç ka qenë Vatikani. Dhe ka një tentativë të jashtëzakonshme për ta reformuar dhe për ta modernizuar. Për shembull Papa Françesku po bën çmos që t`i tërheqë njerëzit dhe t`i rikthejë në Kishë, sepse pati një largim për shkak të skandaleve. Ndërkohë që edhe feja islame po përballet me probleme të jashtëzakonshme vitet e fundit për shkak të disa akteve terroriste që nuk kanë të bëjnë me ideologjinë e pastër islame.

A jeni në një pozitë duke menduar se si ta reformoni, si ta modernizoni? Është e vërtetë. Xhamitë janë plot. Po pikërisht se xhamitë janë plot me djem të rinj, me vajza të reja, me biznesmenë, me gazetarë, me figura publike, pikërisht se janë plot, a është kjo një përgjegjësi më e madhe për ta reformuar, për ta modernizuar?

Imam Gazment Teqja: Unë besoj se në fe të gjitha problemet zgjidhen. Nuk po flasim për teknologjinë. Se Kurani nuk jep shpjegim për kiminë. Mund të japë ndonjë argument, mund të japë diçka, por ne flasim tek ana shpirtërore, tek ana e raporteve njerëzore, edhe tek orientimi i jetës së njeriut. Ajo që ka munguar unë besoj ka qenë artikulimi dhe shpjegimi i saktë. Pse themi neve sot që xhamitë mbushen dhe afrohen të rinjtë dhe të rejat. Zoti kur e zbriti e zbriti si një ushqim për shpirtin. A ka kush ta tregojë ashtu siç duhet dhe ta japë ashtu siç duhet? Njeriu pse vjen? Vjen se merr atë që i ka munguar. Atë që nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Nuk e gjen as tek pasuria, as tek argëtimet e tjera. Në asnjë aspekt të jetës. Është diçka që e ka të nevojshme njeriu vetë. Nëse është dikush që ta shpjegojë ashtu siç duhet, është e bukur dhe e asimilueshme shumë lehtë. Duke qenë se shpjegohet bukur edhe ashtu siç është, sjell edhe këtë lloj afrimi të njerëzve.

Mira Kazhani: Ruajtja e disa riteve dhe disa rregullave, qoftë edhe në veshje, a mund të shoqërohet edhe kjo me një lloj modernizimi?

Imam Gazment Teqja: Po nuk është se ka ndonjë lloj veshje të përcaktuar, të paktën për burrat themi.

Mira Kazhani: Për gratë, shamia.

Imam Gazment Teqja: Ndoshta për gratë është shamia. Ajo është diçka fetare. Është diçka që e thotë Zoti në Kuran. Më pyesin shumë edhe besimtare edhe njerëz që i takoj përditë, motra ose vëllezër ose për vajzat e tyre, për nuset dhe bashkëshortet e tyre.

Mira Kazhani: Çfarë të pyesin?

Imam Gazment Teqja: Rreth shamisë.

Mira Kazhani: Që si ta vendosin? Po nuk mund të pyesin vetë bashkëshortet?

Imam Gazment Teqja: Jo pyesin. Ka diçka. Ajo është një kërkesë që e kërkon Zoti. E ka zbritur në Kuran.

Mira Kazhani: Si ka lindur? Më fal, se dua ta sqaroj këtë momentin e shamisë. Unë e kam nga leximet, por besoj një Imam mund të na e sqarojë më mirë, a është e vërtetë që Profeti Muhamed e ka kërkuar shaminë për t`i identifikuar në atë kohë gratë familjare nga skllavet? Kjo është një nga teoritë.

Imam Gazment Teqja: Po mund të jetë. Kjo është një nga teoritë.

Mira Kazhani: Dhe më vonë, pas vdekjes së tij, është interpretuar pas vdekjes së pasardhësve të Profetit Muhamed, duke shkuar tek burka, tek ajo shamia e zezë që mbulohen komplet.

Imam Gazment Teqja: Ato pastaj…

Mira Kazhani: Janë, le të themi… ekzagjerime.

Imam Gazment Teqja: Ne kemi studiuar edhe në botën islame që e kanë traditë edhe më të theksuar dhe nuk ka pasur ndërprerje si këtu tek ne, të besimit dhe të fesë. Edhe në ato vende që gratë e veshin këtë burkën, më shumë është traditë traditë sesa diçka fetare. Edhe ata njerëzit e dijshëm atje që i orientojnë njerëzit që ta mbajnë, më shumë për traditë. Ashtu e kanë kulturën e vetë. Ashtu organizohet komuniteti atje shoqëria thonë: Jo, ajo që kërkohet është vetëm një shami e këndshme dhe e bukur që e hedh në kokë.

Mira Kazhani: Faleminderit shumë! Ishte intervista e duhur, në kohën e duhur, në natën e duhur. Do doja që ta mbyllnim me një thënie të Profetit Muhamed, nëse mund të na citosh diçka.

Imam Gazment Teqja: Mua gjithmonë më inspiron edhe më pëlqen shumë. E përsëris edhe me njerëz në predikimet e mia: Në çdo ditë që njeriu gdhin, duhet të bëjë mirë. Duhet të japë një lëmoshë, ose të bëjë bamirësi. Dikush e pyet dhe i thotë: O i dërguar i Zotit, nëse njeriu nuk ka mundësi që të japë, çfarë të bëjë? Nëse nuk ka mundësi, atëherë të punojë dhe të ndihmojë. Pra të punojë derisa të mbyllë hallet e veta edhe pastaj të ndihmojë të tjerët. Po mirë, i thotë dikush tjetër: Po nëse ai përpiqet, mundohet, por nuk ia arrin? Atëherë të ndihmojë me mund fizik. Dikush ndihmon një të moshuar të mbajë trastat, siç bënim dikur. Për ta përcjellë deri tek shpia, apo t`i hapësh derën. Ose të ndihmosh një fqinj. Me mund fizik. I thotë dikush: Po nëse nuk kam mundësi? Edhe këta shumë kërkues, se donin të zbulonin për më mbrapa, çfarë mund të bëjë njeriu nëse i priten mundësitë të gjitha…

Mira Kazhani: Nga cili qytet ishin këta që s`donin të bënin asgjë? (qesh)

Imam Gazment Teqja: Jo, jo donin të mësonin dhe të na jepnin neve një mesazh të bukur. Atëherë i thotë (Profeti): Thuaj një fjalë të mirë. Fjalën e mirë gjithkush e ka në dorë. Dikush tjetër thotë: Po nëse s`ka mundësi të thotë fjalën e mirë se varet si janë rrethanat? Atëherë i thotë, mos bëj keq. Nëse nuk mundesh të bësh mirë, nëse nuk mundesh të japësh mund fizik, nëse nuk mundesh të thuash fjalën e mirë, atëherë të paktën mos bëj keq.

Mira Kazhani: Ishte shumë e bukur! Faleminderit Imam!

Imam Gazment Teqja: Faleminderit juve!

Ky podcast u mbështet nga Abi Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore