25 Rreshtat e Mirës

Dy shembuj që Zoti po 'qesh' me planet e Presidentit

Dy shembuj që Zoti po 'qesh' me planet e Presidentit

Shumë nga çështjet që ngre Ilir Meta, nuk janë edhe aq të çmendura sa i përshkruan kryeministri Rama dhe urrejtësit e tij. Juristë e politikanë që nuk flasin publikisht, e argumentojnë se disa prej tyre qëndrojnë pavarësisht, por lepuri fle tek momenti ose si përdoret rëndom nga anglishtfolësit termi ‘Timing’, që duket se i rri përshtat Presidentit, i cili sa herë planifikon një protestë Zoti ka ‘qeshur’ me planet e tij.

Ja dy shembuj:

Në vjeshtën e 2019-s presidenti u përkushtua me të gjitha për të ngritur njerëzit, të pakënaqurit t’i nxiste ata për protesta në emër të shtetit të së drejtës, të mafies që ka kapur institucionet e drejtësisë, etj. etj.

E para është shumë e vështirë që masa të ngrihet të protestojë për nenin aq, pika kaq. Protestë për procedura zor se bëjnë shqiptarët, të cilët nuk kanë dalë kurrë edhe kur kanë patur shumë arsye. Që pas studentëve të ’91-shit, këtu zor se kemi parë ideale në Bulevard.

Por ja e zëmë se i gjithë populli i ngjan Rexhep Mejdanit apo Ylli Manjanit. Të gjithë kuptojnë sesi është kapur shteti, si është abuzuar me procedurat, si heshti Parlamenti, 30 ditët e presidentit, e te tjera kleçka juridike, prapë sot nuk ka shpirt proteste për shkaqe thellësisht natyrore.

Në vjeshtë termometri politik njohu një pikë kulmore, dhe fap ra tërmeti që ende dridh shtëpitë tona herë pas herë, dhe shqiptarët e trembur për jetën, nuk e kanë dot mendjen se ku betohen sot për sot anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Jo buzë Lanës, por edhe në banjat e tyre po të duan. Në këtë klimë të tilla motive nuk indinjojnë kënd.

Për më shumë, 17 shkurti 2020 e ka çuar psikozën e vendit në një përrallë si në tregimin e Petro Markos (Lexo më poshtë).

Të gjithë presin lekët të bien si pilaf nga qielli. Megjithë dëshirën e mirë për të kuptuar një grusht shteti, masa, populli, qytetarët, fshatarët, më shumë do të dijë kur dhe si vinë lekët. Dhuratë apo kredi, kjo as nuk ka më rëndësi. Të gjithë presin sesi do të çelë sërish jeta.

Dhe si për të mos mjaftuar tërmeti tragjik, dhe post tërmeti magjik ( 1 miliard e 115 milionë eurot e 17 shkurtit) vetëm një javë nga 2 marsi u shfaq koronavirusi. Në tiranapost.al këto dy ditë (që pas panikut italian) lexohet vetëm ky togfjalësh dhe horoskopi. Nuk është një përfundim zyrtar, por mjafton për të kapur nervin e masës, lexuesi që i bie të jetë edhe protestuesi, lundron në ujëra të tjera dhe se ka qetësinë për të gjykuar çështje juridike apo edhe politike, po të duam ne edhe historike. Thjesht nuk e kanë mendjen. Janë shumë më të trembur për çështje që i kërcënojnë tani dhe vetëm tani. Apo shumë në narkozë nga paratë e mbledhura. Janë këto dy shembuj që i vënë kapakun veç nëse 2 marsi do jetë ndonjë komplot i universit dhe do na lërë të gjithëve gojëhapur. Me Zotin nuk luhet as bëhen plane, por deri më tani kuptojmë se:

“Si vështirë duket që në një kohë me tërmete dhe pandemi globale si koronavirusi, njerëzit të mblidhen dhe t’i kthejnë dinjitetin Kushtetutës. Nuk paska qenë e thënë dhe përfundimisht Zoti ‘qesh’ me planet tona”.

Pjesë nga tregimi:

“Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.

U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!

Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…

Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

 Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!

Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.”