25 Rreshtat e Mirës

Edi Rama sot fitoi mandatin e tretë

Edi Rama sot fitoi mandatin e tretë

Sot Shqipëria ka marrë një lajm të papritur nga askush në Shqipëri, as nga optimisti më i madh.

Shuma e mbledhur në Bruksel 1 miliard e 150 milionë euro është  e vërtetë dhe të prek në tela kur sheh se bota ka ende humanizëm, sepse në këtë rast shifrat nuk numërohen më si të dhëna financiare, por si mesazh dashurie, nga Brukseli, nga fqinjët, aleatët që dhuruan duke kapërcyer edhe lutjen e Shqipërisë. Vlen të sqarohet se nuk janë të gjithë dhuratë, dhe se ka mes tyre grante në formë kredish, që do duhet të shlyhen, por kjo pak rëndësi ka në një ditë të bukur si kjo.

Sot është festa e Edi Ramës në një kuptim të pastër politik!

Miq dhe armiq të tij sot bashkohen tek një shifër të cilën s’ka asnjë presje ku mund ta interpretojnë.

A na e kishte këtë borxh moral BE dhe organizoi edhe një samit duke shfrytëzuar kështu çdo mundësi për të mbledhur në Bruksel me argat sa më shumë?!

Një borxh moral me negociatat e vitit të shkuar, që edhe mund të mos e kishte tek e fundit se ne për burokratë, të mërzitshëm e të padrejtë i njohim.

E kujtoni besoj si shamë edhe Brukselin. Si u përhapën si milingona tifozët në portale e panele. Pati jo pak analistë e gazetarë që e shpërfillën, madje edhe vetë kryeministri nuk i rezistoi lojës politike me mini-Shengen, apo edhe bezdira të vogla ndaj burokratëve që sot na duken krijesat më romantike të botës. Që sot na e ngrohën zemrën, që desh bënë Edi Ramën të këndojë himnin e Liverpulit (humor në linjën e batutave për himnet, marrë shkas nga ngatërrimi i himnit shqiptar në një ndeshje me Francën që Edi Rama e përsëriti në një kontekst me humor një ditë më parë).

Ja pra, kjo është Europa. Kjo është bota dhe raca njerëzore ende ekziston.

Shqipëria ka sot vetëm një rrugë, rrugën e madhe drejt Europës dhe jo rrugë të vogla, me inate të vogla.

Sot është një ditë për kuptuar më mirë politikën. Pse paratë e tregojnë!

-Paratë në këtë rast janë përmbushja e një premtimi. rindërtimi i vendit pa siklete lekësh do ti jepte edhe një politikani formal kartën kryesore të besimit para zgjedhësve: ne jemi çka premtojmë, ne ia dalim, ne s’jemi dështakë, me ne nuk do je kurrë vetëm.

Të gjitha këto do ndodhin, nëse nuk do nisin hilet shqiptare, pazaret, dhe maskarenjtë që ia hedhin qeverisë dhe ia vjedhin milionat. Vetëm një naiv do ta shpërdoronte këtë super mundësi në zenit të suksesit?!

Edi Rama u rizgjodh kryeministër në mandatin e dytë ditët pas tërmetit, (praktikisht po). Fatkeqësia solli një ringjallje të punëve dhe energjive të qeverisë quasi-teknike socialiste.

Kryeministri siç e tha edhe vetë, i ngrihen nervat ndonjëherë edhe me BE-në, edhe me botën, dhe me veten e të vetët. Por sot është dita e tij, Edi Rama është i qetë dhe mund të ecë më i sigurt drejt një mandati të tretë.

Veç duhet të mos i ngrihen më nervat dhe të këndojë himnin shqiptar sa herë të ndjehet bosh.