Ennio Morricone ose antidoti i kësaj kohe
Nuk pretendoj se e di me saktësi, ndoshta ndonjë 20-vjeçar edhe e njeh. Por nuk besoj se ka 21-vjeçarë, maturantë apo adoleshentë në masë, siç brezi i ‘90 kanë qenë, të lidhur me muzikën e mjeshtrit të shekullit, identitetin e tyre, një të shkuar që ikën nga fillimi sa herë vdes një si Ennio, duke na bërë të reflektojmë.
Koha ikën dhe kur ikin njerëz të shquar që kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në emocionet e tua (sepse ndoshta me një filozof apo fizikant nuk lidhen të gjithë, qoftë edhe me një shkrimtar, kurse muzika shkon tek të gjithë), e ndjen peshën e jetës, jeta që zvogëlohet dhe reduktohet, e shkuara që bëhet më e madhe sesa ti, si një super-sirtar kujtimesh.
Nuk kam asnjë kujtim, sigurisht, me Ennio Morriconen, as foto si Laura Pausini, as ndonjë histori dashurie që lidhet me muzikën e tij, por ndoshta si unë, shumë të tjerë të brezit tim, na lidh ëndërrimi. Muzika që ka shoqëruar darkat e filmave apo të dielat e filmit të drekës në TVSH. Është muzika e kohës sonë, e një kohe kur ishim të gjithë të mirë, naivë, me pasione e plane. Atëherë kur kujtonim se i dinim të gjitha dhe më duket i kemi ditur më mirë atëherë. Jeta e re po na mëson pa ideale, pa idhuj ose me idhuj të rrejshëm. Jeta e re po na farkëton me zjarrin e pragmatistit, aty për aty çdo gjë. Sepse Ennio është i kohës kur prisnim, kishim orare dhe durim. Sidomos, kishim ëndrra. Ndoshta edhe falë muzikës së jashtëzakonshme që dëgjuam, jo reklamave që ikin shpejt.
E di që është kollaj të bëhesh nostalgjik e mos të vlerësosh fuqinë e kohës ku je në të tashmen, e cila mund ta prodhojë Ennio-n në kompjuter falë algoritmeve, por prapë ajo dashuria e atëhershme zor se mund t’i vijë më njeriut. Nuk pretendoj se e di këtë më saktësi, por vdekja e Ennio Morricone-s ta çon ndërmend një thjeshtësi njerëzore, që davaritet vetëm kur vdesin njerëz si Ennio. Madje edhe statusi i vdekjes së tij, që e la gati për postim. Ide e mirë për këdo do donte të fliste vetë edhe për vdekjen e vet (Kliko këtu). S'e di nëse ai ka pasur ndonjë dyshim për marrëzitë e rrjetit online ose thjesht një dëshirë të sinqertë për t’u dhënë lamtumirën emrave që i rrethuan zemrën përgjatë jetës.
Jo për fatalizëm, por kemi frikë të vdesim në kohët që kanë ardhur.
Jeta po humb shumë nga pasioni dhe ëndrrat, ndaj sot Morricone dhe statusi i tij i futen si shtizë në kokë gjithkujt që e njohu dhe u rrit me muzikën e këtij burri të madh, vërtet.
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]