25 Rreshtat e Mirës

Fundjava në izolim! Një masë pa sens mase

Fundjava në izolim! Një masë pa sens mase

Pandemia jo vetëm ka vështirësuar lidershipin, por e ka bërë jetën e mërzitshme për këdo dhe ta pranojmë që ka humbur kuptimi i punës, festës apo edhe funeralit vetë. Stili i jetës ka ndryshuar kryekëput.

Të njëjtën gjë që bën Julia Roberts e bëj dhe unë në Tiranë dhe të njëjtën gjë që bën kryeministri shqiptar bën edhe ai indian: shtëpi-punë-punë-shtëpi!

Pandemia ka nxjerrë në pah edhe kulturat dhe nivelin e popujve, shoqërive, formimin dhe dijen e liderëve, maturinë dhe papjekurinë alla Johnson, që u drodh si gjethe plepi kur u infektua dhe tani s'i ndihet zëri më.

Ky virus po zbulon me një avantazh të paparë tiparet e shoqërive, të liderëve, të kërkimit shkencor, të politikanëve, të njerëzve të thjeshtë.

P.sh, Kina na kujtoi edhe një herë se të jesh një vend në progres, i fuqishëm ekonomikisht nuk mjafton dhe se duhet të jesh edhe i civilizuar. Minus i madh, shto këtu edhe racizmin, që po ringrihet si valë e re ndaj aziatikëve dhe që është një minus për globalizmin.

Amerika kuptoi (edhe ata që po shijonin komoditetin e Trump në plotësimin e egove amerikane) se në një krizë të madhe në krye ka një ‘imbecile', do thoshin italianët. Shto këtu edhe mbylljen e emigracionit, plagë e re sociale në sfond, bashkë me lindjen e fashizimit, që paralajmëronte Isabel Allende në një podcast për The Economist: “Këtu po lind një fashizëm i ri, që askush s'po e vë re e s'po flet. Njerëzit blejnë letra banje dhe armë. Amerikanët po bëhen të dhunshëm dhe përjashtues”.

“The Atlantic” fliste para një jave në një artikull (ku vura re një "like" nga Natalie Portman) për Jacinda Arden, kryeministre e Zelandës së Re, që po bën për vete botën me thjeshtësinë e saj, me normalitetin dhe komunikimin e qartë - shto këtu suksesin në luftën me pandeminë Covid-19.

Gjermanët, oh gjermanët! Të therin tëmthat kur sheh çfarë mund të arrijë një shoqëri me zell, një popull i disiplinuar. Merkel dhe maturia e saj kanë aleat dhe burim edhe një shoqëri të tërë, që nuk pështyn as në tokë as mbi rregulla.

Kemi mendjelehtësinë e Suedisë, që po përballet me virusin duke vazhduar jetën njësoj, krahas fqinjëve si Danimarka e Mette, e të tjerë që po matin me centimetër lehtësimin e masave dhe po përballen me dinjitet me pandeminë. Shumica e vendeve normale po zbatojnë masa rigoroze sepse pa vaksinën vetëm masat na mbrojnë.

Pardje Angela Merkel citohej: "Do të ishte një turp i tmerrshëm nëse na zhgënjen shpresa jonë". E kishte për kujdesin në lirimin e masave. Por masat në Gjermani nuk kanë shkuar kurrë tek mbyllja me çelës, si në Kinë. Përkundrazi, Merkel, që vjen nga Gjermania Lindore, jo pa qëllim priti gjatë e foli pasi e treti mirë karantinimin e vendit. Arsyet mund të kenë qenë ekonomike të parat, por edhe psikologjike e shpirtërore, sepse edhe këto dy komponentë shkojnë paralel me shëndetin në tërësi të një populli. Një virus i vogël e ktheu përmbys botën, ndaj asgjë nuk duhet nënvlerësuar, krahas luftës dhe masave që duhen respektuar nga të gjithë, kjo s'ha asnjë diskutim, duhet edhe pak kujdes në mënyrën si dhe deri ku i çon masat shtrënguese.

P.sh, një e tillë pa shumë kuptim duket të jetë fundjava në Shqipëri. Mbyllja dhe moslejimi i një ecjeje. Ku bazohet ky format?

Të paktën deri tani nuk ka asnjë orientim nga OBSH-ja, nga ekspertë, shkencëtarë që virusi në fundjavë është më i rrezikshëm, as ndonjë faktor social që mund ta shtojë atë nëse rrugët dhe parqet lihen të lira për një ecje, shoqëruar kjo me një protokoll të qartë. “Vetëm me persona të familjes, ose nëse janë jashtë saj me distancën një metër e gjysmë. Kontrolle me dron nga ajri dhe me patrullim policie në tokë”. Kur ke shtetin mund të kontrollosh edhe pandeminë.

Nga ana tjetër, s'ka informacione se ndonjë vend ka mbyllur parqet! Berlini, Roma, Nju-Jorku, Parisi, Singapori, Brukseli etj, nuk e ndalojnë një shëtitje në ajër.

Kjo është një masë pa sens mase! Një karantinim pa dinjitet.

OBSH-ja vetë në protokollet e saj këshillon ecje në ajër të pastër.

Në rastin më të mirë, kjo mbyllje na mban larg virusit dy ditë. Atë mund ta marrim ose shpërndajmë edhe të hënën që vjen. Në këtë betejë me virusin e keq ka rëndësi edhe sesi luftojmë, duke mos harruar asnjëherë që një popull i bindur nuk është më i mirë sesa një popull i vetëdijshëm. Këta të dytët të respektojnë më shumë një ditë!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]