25 Rreshtat e Mirës

Fuqia e normalitetit

Fuqia e normalitetit

Kur kam dëgjuar për herë të parë fjalët "spin doctor", diku nga vitet 2008, u hoqa sikur e dija më herët, siç e kemi zakon ne ballkanasit që mos të pranojmë kurrë se nuk e dimë diçka. Kemi një mani për t'u dukur perfektë, të ditur në çdo fushë, të pagabueshëm dhe nëse jemi të rrëzuar nga kali e çojmë bisedën tek gjyshja e kalit dhe jo tek këmba jonë e thyer.

Gjatë kësaj kohe kaloj shumë kohë në portal dhe lexojmë e përkthejmë në Tiranapost aq fjalime, opinione, intervista nga të cilat përveçse po informohem po bëj edhe disa zbulime të vogla. Gjithmonë kam besuar se politika dhe propaganda janë dy gjëra që s'jetojnë dot pa njëra-tjetrën dhe se të gjithë bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë - në Amerikë, Gjermani, Francë, Serbi, Kinë e Shqipëri, me ndryshimet e sistemeve, por që në thelb është e njëjta nevojë për t’i dhënë masës me masë atë që i duhet të dijë ose t’i çmontojë atë që di ose ta pengojë të mos dijë.

Pikërisht këtu nis diferenca e madhe mes perëndimit dhe lindjes! Demokracisë dhe autokracisë.

Për shembull, Gjermania ka treguar edhe një herë fuqinë e shtetit, politikanit dhe njeriut qytetar.

Kancelarja Angela Merkel pësoi rritje në sondazhe pas uljes së ndjeshme që pati dy vitet e fundit në popullaritetin e saj që me çështjen e emigrantëve e deri tek lufta brenda partisë së vet, siç ndodh kur shokët e shoqet e partisë ndjejnë që po të fryn era e perëndimit të yllit.

Merkel ka folur si një gjyshe e ëmbël në podcastet e saj të pastra dhe me dritë të bukur; e qetë, e matur, një herë në javë ose dy, në varësi të situatave dhe dinamikave.

Nga ana tjetër, s'duhet harruar kurrë fakti i mrekullueshëm që i flet një shoqërie të sistemuar ekonomikisht, psikologjikisht dhe kulturalisht.

S'e dimë nëse në Shqipëri një gjuhe të butë do t'i ishim përgjigjur të gjithë dhe ç'do ndodhte nëse Edi Rama do bënte liderin normal, ashpërisa e të cilit nuk ka qenë pa rezultate. Ajo ka dhënë efekte, por do të japë edhe pasoja. Të përmendësh luftën, masat e ashpra apo burgun, një ide e guximshme e kryeministrit modern shqiptar, është e rrezikshme!

Më mirë të sëmuremi sesa të kalojmë në një gjendje diktature. Ne si qytetarë nuk kemi asnjë faj që lufta biologjike pushtoi planetin. Që virusi erdhi në Shqipëri, që del tek tregu i Kombinatit apo që në Shkodër njerëzit morën pjesë në një varrim në mënyrë të papërgjegjshme.

Në 2020-ën, kur shohim sesi qasen ndaj një situate të befasishme liderët e shoqërive të sistemuara, mund të mësojmë se ka vend ta mbrojmë njëri-tjetrin pa dhunë verbale, pa dhunë në përgjithësi, pa propagandë. Vetë momenti që po kalojmë është një ndëshkim, të cilit duhet të gjejmë mënyra të mos ia kriposim të çarën në mish.

Presidenti Steinmeier mbajti një fjalim para pak ditësh. Një fjalë e butë e që të plaste zemrën që s'je gjerman e që nuk e ke dhe ti një president që të të drejtohet kështu: “Kjo nuk është një luftë, vendimet nuk mund t'i marrim vetëm ne politikanët dhe ekspertët. Vendimet i marrim të gjithë bashkë me qytetarët”.

Fjalimin po e lexoja në ballkon dhe ndërkohë poshtë një burrë ecte dhe pështynte me sa kish fuqi. S'e di nëse ai tipi kupton nga vendimmarrja, por ai nuk është shumica dhe normalët nuk kanë pse ta pësojnë nga disa idiotë.

Për të mos marrë shembullin e Macron, dhe mbylljen e fuqishme “vive la France, vive l’Europe” që nga fillimi deri në fund ka vetëm informacion dhe asnjë koment të natyrave personale, politike, a thua se atje nuk ka opozita dhe kritika. Ndoshta nuk ka?! 

Madje as Conte që megjithatë nuk i shpëton italianizimit, dhe që detyroi gazetarin e famshëm Enrico Mentana, të kërkonte falje publikisht pse lejoi në transmetim live që kryeministri Conte të sulmonte personalisht opozitën: “Po ta dija që ai do ta përdorte këtë kohë për sulme personale me opozitën nuk do ta kisha lejuar transmetimin live”, u shpeh Mentana.

Ndërkaq, në Shqipëri kjo gjë jo vetëm nuk të vret veshin, por nëse të gjitha këto nuk ndodhin, të marrin për të lodhur e të paaftë.

Është propaganda e vendeve të lindjes, e shoqërive të pasistemuara që mbahen me konfuzion, duke dhënë çdo ditë shumë, shumë informacion dhe detaje. Shumë sulme dhe shumë spin-doctor!

Kush e pa në serinë e fundit të "Casa de Papel" hilen e komisare Lisbonës para trupit gjykues që jepte sa më shumë detaje dhe informacione që ta lodhte për vdekje trupin gjykues dhe ia doli në fund?!

Edhe ne dëgjojmë pafund çdo lloj detaji, përjetimi personal derisa lodhemi e kalojmë një tjetër natë të trullosur. Nuk e dimë nëse jemi fëmijë të mbarë apo të këqinj. Nëse nesër do bëjmë gabim apo do sillemi mirë?! S’dimë  çfarë jemi kur ulemi të flemë!

Një pikë tjetër që po na dallon nga shoqëritë e zhvilluara është perfeksioni ynë!

(Si unë në 2008- ën, me termin spin doctor! )

Kur Franca, Gjermania, Anglia, Zvicra e pasur u shfaqën të pasigurta në ditët e para të virusit famëkeq (dhe këtu ka shumë për të folur sesi vende kaq të forta u gjendën të papërgatitur, por kjo gjë kërkon diskutim më vete) dhe dilnin e thoshin "Jo"! Jo, nuk kemi tamponë, teste, respiratorë, maska, shtretër. Nuk e dimë çfarë do ndodhë, dukeshin krejt në kontrast me Shqipërinë, që të dukej vendi më i sigurt në botë e gati po trembeshim se mos emigronin nga ne zviceranët, që i linin në shtëpi me temperaturë dhe nuk i qasnin në spital.

Çdo gjë është perfekte, çdo gjë e kemi, çdo gjë e luftojmë dhe të gjitha i mundim. Asnjë pranim defekti, pamundësie, pasigurie, fundja pse kaq shoqëri e frikshme qenkemi sa i kemi trembur politikanët tanë në atë pikë që ata të kalojnë ylberin, të kenë frikë t'i thonë gjërat siç janë? Kjo është një histori e paprecedentë për të gjallët e një 100 vjeçari dhe askush nuk ka nga ta dijë rrugën e drejtë.

Nëse ka një gjë që e dimë sot nga leksioni koronavirus është se nëse autoritetet e Wuhanit në Kinë do ta kishin pranuar të vërtetën dhe nuk do t'i kish marrë para propaganda e partisë, sot bota nuk do ishte në shtrat, Italia nuk do ish veshur në të zeza si vejushat në filmat me mafie, Madridi, Nju-Jorku, Parisi apo Londra e Tirana s'do ishin sot në këtë dert.

Dhe ne që mendonim se civilizimi ka brirë, makina të bukura, tramvaj, metro, hotele me shumë yje, kafe shekullore e tulipanë. Në fakt ka diçka që ne e kemi në dorë: fuqinë e të qënit normal!

Vive Normalité

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]