Dje në një spital të Italisë është shuar Patricia Millardet, por që ne e njohim si Silvia Conti.
Kush nuk e kujton modelin e flokëve, pardesynë e saj, dashurinë me komisar Katanin, por më shumë nga këto detaje të lehta jete, kush nuk e pëlqeu modelin që kinemaja italiane i dha si pak herë një gruaje në luftën me mafien, më të pushtetshmit.
Këto ditë numërojmë shumë vdekje në portal dhe e ndjej sesi ajo është afruar në jetën tonë, herë duke na trembur dhe duke kërkuar termometrin për të matur ashtu kot temperaturën, dhe herë duke na hapur një fole si ata zogjtë nëpër pemë për të mbrojtur të sapolindurit; një fole shprese se një ditë do dimë të jetojmë më mirë.
Kështu në këto ditë vdekjesh ku asnjë libër s’po e çojmë dot në fund, vdekja e Silvia Conti-t mbërriti si një kumt i tepruar.
Nuk e di pse nuk desha të kishte vdekur nga Covid-19! Një ndjenjë çlirimi qe fakti se e kish marrë fati i vet personal, ora e saj. Te paktën aktorja mit thjesht ka vdekur, nuk e ka marrë peng mafia e koronës.
Gjenerata e re nuk e njeh shumë, por me siguri e ka dëgjuar këtë emër edhe në politikën shqiptare, kur shpesh kemi dashur t’ia metaforojmë disa grave të drejtësisë, thjesht kemi dashur, ngaqë Silvia ishte e tillë në film, gruaja që duhet me fuqinë dhe brishtësinë, asnjëherë dobësinë.
Unë kam qenë në fillore kur shihja Silvia Conti-n, por them se disa filma e role janë të tillë sa kanë forcën e padukshme por të paimagjinueshme në ndikim për të të treguar se çfarë të pëlqen të jesh në jetë, një Silvia apo një Baywatch. Prandaj sot vdekja e Patrice Millardet është një lajm i trishtë që të pikon në kraharor e të çon larg në ditët kur mendoje se jeta është si tek "La Piovra", vetëm se tani pa Silvia-n!
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]