25 Rreshtat e Mirës

Jemi të fyer!

Jemi të fyer!

"Të gjitha civilizimet kanë ardhur nga shkatërrimet", është thënie e famshme që nuk ia di autorin, por i reziston historisë së njerëzimit.

Këto ditë kur koha nuk është më një privilegj por gati ndëshkim, kemi parë më shumë sesa duam filma, seriale, dokumentarë, secili sipas shijes së tij. Por kemi kohë të mendojmë!

Gjatë kësaj kohe në izolim, edhe pse themi të gjithë se po luajmë mendsh, çuditërisht njerëzit duken më normalë se më parë. A nuk ju duken se jemi normalizuar nga dallga që supozohet të na luante nga fiqiri? Ndoshta është herë për konkluzione, por diçka bie në sy.

Njerëzit janë bërë të prekshëm, tani që s’prekemi. Që të gjithë, nga yjet e Hollivudit e deri tek ata të mëhallës. Jemi të barabartë mes të barabartësh. Përveçse të gjithë janë me tuta dhe pizhame ngado, me flokët e rrëmujshëm, prapë rrjetet sociale për herë të parë që nga krijimi i tyre kanë shërbyer jo vetëm rol për mirë, por xhiruan dhe fotografuan uljen me këmbë në tokë të njerëzimit. Me një çmim të lartë sigurisht, ku shpesh duket sikur na ulën në gjunjë më shumë sesa në tokë, na ofenduan, na fyen e lënduan duke na fshehur si strucët nën rërë në shtëpi. Duke na veshur në mënyrë qesharake, duke na ndryshuar sjelljen mijëravjeçare që prej revolucionit konjigtiv; të takimit, përqafimeve dhe shoqërizimit e intimitetit që njeriu ka në dallim nga speciet e gjalla të planetit, si një Homo-Sapiens.

Po, e vërtetë, jemi të fyer, të turpëruar edhe që bëhemi dëshmitarë të një formati të ri të jetës, akoma më shumë, të vdekjes. Kush e kish menduar që mund të vdisnim edhe kështu! Çfarë është ky kob?! Të mos prekësh në ballë e të përcjellësh me nderime njerëz të dashur? Është e ulët për njeriun!

Ne po e paguajmë një çmim të egër për kthimin me këmbë në tokë.

Duhet të shkatërroheshim për të rindezur një flakë të re. Për t'u riformatuar, për t'u shëruar nga marrëzia ku nuk po gjenim password-in e daljes. As nuk e dinim që donin të dilnim prej aty. Sa më e madhe egoja aq më shumë kërkonim të ishim pjesë e elitës së saj. Vetëm dëshira dhe shumë pak mirësjellje e mirënjohje për atë që na duket sot gjëja më e bukur në botë: një kafe në diell, pa menduar për spërklat! Një kafe buzë detit që të marrim jod nga hundët dhe jo nga një maskë që s’dihet nëse do e heqim më, kur do ta heqim?

Kam lexuar dhjetëra shënime burrash e grash të mençura, nga Jacques Attali, Bill Gates, David Grossman, Romano Prodi, etj.,etj., në kërkim të shpresës japin dhe përgjigjeve. Të gjithë bashkohen në një stacion: kush e thotë më ashpër, kush në mënyrë më elegante bindjen: bota kish nevojë të shkatërrohej. Kish ardhur çasti i mbramë. Njeriu po nxitonte drejt çdo gjëje 'reality show'. Njeriu po çmontonte njeriun.

Jo më larg se dje e pyeta mbesën se përse duhet të postonte në Instagramin e saj fëmijën e Kylie Jenner?

As e kemi gjë, as e njohim...

Kur shumë mirë mund të postonte këngëtaren e saj të preferuar Billi Eilish (siç e kam vënë re që e bën) a diçka tjetër, boll që të jenë gjëra që i përkasin. Por, gabimi im. Fotoja ishte e djeshmja!

Dhe faj kemi të gjithë këtu. Miliarderja e rikrijuar nga kirurgjia plastike kokë e këmbë dhe familja që është bërë e pasur me sherre familjare 'live' janë modeli i ri ëndrrës. Veshjet, thonjtë, festat, makinat, pushimet, buzëkuqi, pudra dhe fëmijët e tyre janë ëndrra më e madhe e të rinjve, e një pjese dërrmuese, se ka ndonjë përjashtim!

Dhe nuk është e lehtë të mos e adhuroje, doje deri dje të pasurin ose këtë lloj të pasuri e pasurie që s'kërkon shumë mund. Para një muaji të ishe i pasur ishte status.

(Besoj që do vazhdojë të jetë por ndryshe tani, ose kështu shpresohet)

Të pasurit kanë mundësi të bëjnë foto në vende përrallore, të hanë mirë, të vishen mirë, të kenë tavolinën më të mirë në klub, të jenë ndryshe nga ti, të paarritshëm. Të pasurit dje kishin në dorë botën, fatin, rrogën tënde madje, edhe karrierën dhe ëndërrimet e tua ngjanin me fytyrat e tyre: tmerr!

Edhe ato më personalet i dedikoheshin hijes së tyre. Tërë kohës! Ata lart, ne poshtë!

Po tani ku janë? A ju mjaftojnë milionat dhe trilionat për të qenë të paarritshëm? Përveç faktit që në vila të mëdha nuk ndihet dëshpërimi do themi ne?! S'e dimë! Njeriu mësohet me gjithçka. Izolimi mbetet izolim.

Që të kuptohemi:

-Dëshira për para nuk mund të bjerë, madje as me krizën ekonomike që do mbërthejë, siç shihen gjasat, botën. Do kërkohen forma mbijetese dhe zhvillimi. Por të pasurit e rinj do ndryshojnë para të tjerëve. Status do të kenë ata që do blejnë lumenj, që do krijojnë lumenj, do bëjnë që të avullojë ujë i kripur në Sahara, do blejnë e investojnë paratë në parqe, në kërkime shkencore, në studime, zbulime. Do mbështeten kimistë, fizikantë, epidemiologë, mjekë e shkencëtarë më shumë sesa këngëtarë e futbollistë. Jeta kurrë nuk ka qenë kaq e shtrenjtë dhe kush më mirë se të pasurit ia dinë vlerën lekut!

“Gjithmonë nëse ka vlerë ky sy optimist”!

Kriza e 2020-ës na ka fyer aq shumë sa na ka bërë edhe normalë. Sa inat që nuk kishte rrugë tjetër që të shëroheshim...

P.S. nëse jemi shëruar e kjo që shohim nuk është kalimtare.