25 Rreshtat e Mirës

Kjo histori më duket si “before&after”

Kjo histori më duket si “before&after”

Ndoshta është Zoti, ndoshta Muhamedi, ndoshta Jezu Krishti, ndoshta një shtrigë që s'e njohim, ndoshta një djall që s'e dimë, që jeton diku pas reve, ndoshta universi apo ndoshta toka, kushedi mbase një yll atje lart ka marrë përsipër të na çojë një mesazh o thjesht Karma!

Një gjë është e sigurt, kudo qoftë adresa nga ku erdh lufta biologjike, që duket ajo e treta botërore, po e shkund botën. Ne shqiptarët nuk mund të kërkojmë më shumë shenja, se kemi edhe tërmetin ende që nuk ka ikur nga tavolina e bukës, madje ja dhe tani duket sikur lëviz tavolina ime e punës në shtëpi. Të gjitha sinjalet janë këtu, para syve tanë. Statusi i mjekes italiane, Vallery Cambiaghi është sintezë e këtij shkrimi që meriton një puthje në ballë -virtuale.

“I keni dhënë 1 milion euro në muaj Ronaldos dhe 1 mijë e 300 euro në muaj mjekëve dhe studiuesve. Tani le t'ju kurojë Ronaldo!".

A nuk është idem kështu?! A nuk i kemi përçmuar ne (politika e para dhe shoqëria më pas) prej më shumë se 30 vitesh të diturit dhe dijen në vetvete? A s'kemi hequr dorë nga përpjekjet e sinqerta për të realizuar një ëndërr, por kërkojmë dhe e kemi gjetur rrugën shkurt? A kemi humbur ne naivitetin për të besuar? Ne, që s'jemi më kuriozë për asgjë! Po ndaj virusi është këtu dhe s dihet për sa gjatë. Sot vura re se ishte listuar tek e-mojit më të përdorur në telefon. Një Zot e di si është futur aty se as nuk e kam përdorur, por kot nuk është virus, e gjen rrugën.

-A nuk po rendim ne drejt spektaklit, drejt suksesit të shpejtë, famës së shpejtë, pasurimit të shpejtë, babëzisë pa fre, shpenzimeve tej fuqisë reale, garës për udhëtime nëpër botë, fotografive nga vendet më luksoze? S'e kemi vënë re sa jobiologjik është krijimi i klasave në Shqipëri. Si mund të blesh supervila në kaq pak kohë? Si mund të jetë vendi i mbushur me varfëri në njërën anë të rrugës dhe me fshatra turistikë në anën tjetër?!

Para 20 vjetësh kemi dalë nga lufta civile dhe gjysma e shqiptarëve kishin humbur shtëpitë në fajde. A nuk ka ndodhur këtu një fenomen i çuditshëm dhe disproporcional mes standardit të jetës në vend?! Apo jemi pjellë e një magjie?!

A nuk i shohin që i kanë fëmijët në shkolla private shokë klase me njerëz që para 20 vjetësh nuk i rastisnit as në ëndrrën më të keqe?! Aty ku kriminelin, hajdutin, injorantin dhe intelektualin i bashkon ditëlindja e kopshtit të fëmijës, në Tiranë! Është fotografia perfekte për të kuptuar paradoksin dhe dekadencën. Mos ta përmendim parlamentin, se ai është bërë gjithashtu si ato ditëlindjet e shkollave.

A nuk kanë të gjitha vajzat në Instagram të njëjtat buzë, veshje, çanta dhe shpesh shkojnë në të njëjtin hotel, kafe, në Dubai, në Mikonos, në Amalfi, në Manhatan?

Unë i kam parë, madje kam ndjerë në ndonjë rast pak zili e ëndje dhe do kisha dashur të provoja rërën e bardhë të Karaibeve, të zgjohem në mëngjes dhe të ndjej aromën e mirë të hotelit me yje plot. Jemi prej gjaku të gjithë, nuk më habit vetja dhe dëshirat e saj anonime. Truri i njeriut është kopjues automatik. Madje, mbi kopjen mëson fëmija të flasë. E dëgjon disa herë një fjalë dhe nis e thotë.

Psikologjikisht, nuk ka asnjë studim që të vërtetojë se brenda trurit ekzistojnë filtra që aktivizohen për të luftuar joshjen apo vrasjen e tundimit të një gjëje që e sheh çdo ditë. Joshja sot është kudo, si një virus: në TV, telefon, dhe rrugë!

Mbesa ime do të vishet si Kylie Jenner edhe pse prindërit i thonë mëso gjuhën mandarin (kinezçen).

Në një kuptim e meritonte bota të ulej në gjunjë e të mendojë pak.

Në një sens e meritojmë këtë ndëshkim prej yllit, shtrigës, tokës apo Zotit.

Të rinjtë në Tiranë e meritojnë këtë shtetrrethim. Ata nuk kanë kohë të reflektojnë sepse janë ose në kafe, duke bërë scroll tërë ditën në telefon, ose në klube nate dhe zero projekte për të ardhmen. Të vishen me marka, të kenë makina të shpejta dhe të bëjnë gara tek rruga e TEG dhe gara me qen. Kaq ofron rinia shqiptare, edhe sepse kaq i ofrohet asaj dhe këtë model ka. Fajtorë edhe aq nuk janë. Fajin e ka shpikja e kamerës në telefon!

E meritojnë të rriturit këtë ndëshkim. Modeli i politikanit që dominon sot, ai që ka hequr dorë nga çdo fije që e lidh me dijen dhe janë shndërruar në fansa e paterica të çdo gomari që iu mbron interesat

Tani kauzat kanë qëllim vetëm para dhe asnjëherë kauza që të çojnë para (përpara kuptimi këtu)!

Me fiksimin për pushtet dhe jo për të lënë gjurmë. Me njerëz që duken e shkuara edhe pse e paguajnë tërë kohës të ardhmen, por ja që një dorë lëviz çuditshëm e të nxjerr një virus që nuk e kapin makinacionet. Në fakt, Ka shumë politikanë që rrinë në pushtet si një VIRUS!

Pse nuk paguhen mjekët dhe studiuesit si kapitenët e skuadrave të futbollit? Apo si gazetarët dhe gaztorët e sotëm që ndiqen në rrjete sociale. Ka shumë idiotë të famshëm dhe guxo t’i prekësh qimen e flokut. Janë tërheqës dhe joshës, pra!

Studiuesit, mjekët, shkencëtarët, nuk sjellin dot në pushtet askënd dhe as rrëzojnë nga pushteti kënd. Nuk janë frymëzues dhe s kanë pse janë tërheqës,  s’ka përse as t’u falemi çdo mëngjes, por ata s’mund të jenë askushi në shoqëri! Gjithmonë gjërat e lehta ndiqen më kollaj.

Ky është një ndëshkim edhe ndaj mentalitetit tonë drejt rendjes e pangopjes me materialen. Kemi ikur shumë nga homosapiens që flet profesor Yuval Noah Harari. Jemi homo dhe kemi braktis sapiensin, dijen.

Sapeinsët ndërtuan botën nga revolucioni kognitiv deri tek ai teknologjik.

Por po sillemi keq me jetën, me të dashurit, fëmijët, me tokën, mjedisin, me mjekët që i kemi mallkuar e sot veç ata kemi, të varfër e të pasur, të zakonshëm e të pushtetshëm. Jemi sjellë keq me veten tonë duke mos u ndalur asnjë dekikë për t’i bërë pyetjen vetes: ku po shkojmë? Ku po shkoj? Ku po shkon?

Vetëm fëmijët nuk e meritojnë këtë ndëshkim, sepse ata s'kanë përgjegjësi. Prindërit dhe edukatorët po, ata që duhet të orientojnë gjeneratën e njomë dhe sidomos: “Fëmijët t'i kthejmë në fëmijëri”. Gjatë këtyre ditëve në shtëpi të bëjmë një seancë të vogël gjyqësore vetmevete! Të shtrojmë pyetje të reja.

-A jetojmë në një vend që ka nevojë të sistemojë ndjenjat, ëndrrat, aspiratat, politikanët, gazetarët, studentët, mjekët dhe inxhinierët, shkencëtarët dhe shkrimtarët, banditin dhe intelektualët, hajdutët dhe bankierët, por sidomos a jetojmë në një vend ku po vjen e ardhmja.

Kjo botë u ekzagjerua qyshkur gjen në supermarket 25 lloje majonezash! Dhe në parlament 5 tipe gomarësh. Në televizion 7 lloje psiqikësh.

Kjo botë që krijuam nga reklamat që vetëm të shet e të mëson vetëm të blesh.

Ama, dikush e kuptoi, duke na detyruar ta paguajmë të gjithë shtrenjtë. A nuk ju bën përshtypje që përjashtoi fëmijët?! Dhe a mundet që një virus që merr jetë, gjyshër, prindër, të dashur, që na mori puthjet e përqafimet, të paktën, ta çojë deri në fund misionin e tij duke shembur edhe idhujt e rrejshëm?

#leksionetënjëvirusi

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]